SHENIM: Plazhi është sezonal, pushimet po ashtu janë sezonale por jo turizmi!

redaktor

Padijen tonë mbi turizmin, mosnjohjen e thellë për këtë dukuri sociale e industri njëherësh, aq më pak në mirëmenaxhimin e tij, e shprehim simbolikisht  dhe në gjuhën e folur; dhe pikërisht në zhargonin zyrtar që ka të bëjë me të. Ja, po zë vend gjithnjë e më tepër togfjalëshi ‘sezon turistik’, duke e (keq)kuptuar  turizmin si diçka sezonale, të limituar në kohë të caktuara gjatë vitit. Afërmendsh pra, që ngatërrohet një sezon pushimesh a plazhi, me turizmin, që duhet theksuar, ka një vokacion mjaft të gjerë përmbajtësor. Turizmi është diç mbi stinët, mbi motet, mbi sezonet. Nuk të bëjë veçmas as me detin e as me malin, e rrjedhimisht as me stinën e verës ku bëhet plazh, e as me dimrin kur bie e borë e shkon për skijim. Deti është dhe tërheqje vizuale, frymëzim meditativ, kështu që dhe gjatë dimrit mund ta shijosh, pa qenë nevoja të futesh fare në të; po kështu dhe vera, e bën një terren malor po aq këndellës sa në dimër. Më pas, turizmi përfshin trashëgiminë, që nuk ka të bëjë më stinë të caktuara, si dhe fusha të tjera interesi, të pakushtëzuara pra nga rrethana klimaterike. Në Vlorë, Sarandë, Durrës,  Shëngjin e Pogradec, bëhet plazh e bëhen pushime vere në afro tre a katër muaj, ndërsa turizëm mund të ketë në çdo kohë, në varësi të resurseve të tjera, sidomos të trashëgimisë,  siç ndodh në gjithë mesdheun vendet e tjera përreth e më gjerë, ku prania e kontigjenteve turistike është diçka mëse e zakonshme në çdo stinë. Dhe ky duhet të jetë pikësynim i yni. Nuk ka vlerë të thuhet se në Gjirokastër çelet sezoni turistik, ku magjia e atij qyteti, nuk ka të  bëjë me diçka sezonale, pra të kufizuar në kohë. Po kështu dhe Berati. E po kështu duhet të jetë dhe për Sarandën, që para se të ketë një det fantastik e plazhe po ashtu fantastike, është njëherësh dhe një pellg trashëgime nga më të rrallët në trojet shqiptare, me mbi 100 monumente, që datojnë prej antikitetit të hershëm e deri në mesjetën e vonë, me Butrintin si kurorë e artë. Ndaj, qeveritarë lokalë e drejtues të lartë të sektorit të turizmit, duhet të heqin nga përdorimi frazën ‘çelje të sezonit turistik’ kur është fjala për periudha thjesht plazhi. Po për Dardhën kur është çelja e sezonit turistik?! Po për Shkodrën apo Korçën?!

Së këndejmi nis të kuptuarit e drejtë mbi turizmin. Përndryshe, ja pse qytetet tona bregdetare, edhe pse të pasura me resurse të rralla trashëgimie, shndërrohen në fantazma për 6 a 7 muaj me radhë, ku nuk shkel këmbë turisti. Sepse, janë të parët shqiptarët ata që ngatërrojnë turizmin si diçka e gjithëkohëshme, me plazhin ose pushimet verore si diçka e përkohshme.

E.H

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *