SHËNIM: Politika jonë, mes tokës dhe qiellit; mes zhgërryerjes e fluturimit!

anazapta

Ligjërimi e debati ynë politik, ka gjithherë një element, nëpërmjet së cilit kërkohet shkëputja nga toka e më pas ngjitja për një moment në qiell e çdokujt për të cilin aludohet se ka gabuar, sipas sentencës përplot urtësi, por që mund të modifikohet në pjesën e dytë : të gabosh është njerëzore; të falësh (modifikimi: të kërkosh falje), është hyjnore. Nëse i referohemi kësaj sentence, politikanët tanë asnjëherë nuk shndërrohen në zogj qielli, por vijojnë të mbeten zvarrianikë që zhgryhen baltrave të mospendesës. Që të jemi më konkret: nga dy palët, jo pak herë kërkohet që pala përballë të kërkojnë falje për këtë ose atë dështim, gabim apo shkelje. Sigurisht, as ka ndodhur e as ka gjasë të ndodhë që vërtet të kërkohet falje, qoftë dhe në terma hipokritë, por veta kërkesa për kërkim faljeje, ka një efekt më të madh se dhe vetë akuza, e për këtë arsye ka një super përdorim.

Dje, ishte ministrja Gjermeni ajo që i kërkonte opozitës në komisionin e Ekonomisë që të kërkonte falje për zvarritjen e legalizimeve dhe degradimin si proçes sa ishte në qeverisje. Por a ka ndodhur të kërkohet falje nga ndonjë protagonist politik për gjithë çfarë ka shkuar keq në tranzicion?! Ka ndodhur që është pranuar një gabim, por kjo nuk është shoqëruar asnjëherë me frazën plot efekt magjik: Më fal! Sa ishte në opozitë para se të rivinte në pushtet, Sali Berisha e pranonte gabimin e bërë me piramidat, si për t`u pëllumbzuar në sytë e njerëzve, por “më falni”, kurrë nuk e artikuloi. “Shoku” i tij, Fatos Nano, nuk ka ndodhur të artikulojë as një frazë vetëkritike përsa qeverisi. Ndërsa Rama, është rrekur deri diku që të pranojë gabime për kohën që ka qeverisur Tiranën (tek ‘Kurban’ ka disa shfaqje reflektive me elementë vetëkritike) , ndërsa i është rregjistruar një “ndjesë” e shprehur qartë së fundi, për shkak të një artikulimi pa zë por veç më figurë, ku aludohej se po fyente rivalin e tij politik.

Ashtu siç komunizimi është një akuzë e rëndë ndaj kastës udhëheqëse të asaj kohe, protagonistëve të së cilës u është kërkuar gjithnjë të kërkojnë falje, ngjashëm është dhe tranzicioni. Por dhe nga ajo kohë, dy akte me përmasë qiellore na vijnë, ndonëse pa ndonjë “më fal” të thuket, të qartë dhe të drejtpërdrejtë: pranimi i përgjegjësisë dhe pendesa nga ana e Bedri Spahiut me anë të një letre publike në 91-shin; si dhe qëndrimi i Bashkim Shehut ndaj të atit e regjimit që ai përfaqsonte, mospajtues e akuzues bashkë. Paradoksalisht, janë një hap para, derisa ende nuk kemi ndonjë “Xen” në tranzicion që të denoncojë paudhësitë e të atit.  / E.H.

Share This Article
1 Comment
  • kush nuk ndjek nismen ‘KU JANE PARATE E VJEDHURA TE SHQIPETAREVE DHE PASURIJA E SHQIPERISE’ jo vetem nuk eshte me shqipetar por nje mjeran idjot ose politikan.Rinija po vdes ne gjumin e morfines se politikes.Mbeshtesni nismen KREU I BANKES SE SHQIPERISE DHE AI I PROKURORISE URGJENT NE PARLAMENTIN E POPULLIT PO NUK NDIHEN QE JANE TE INKRIMINUAR TI JAPIN PERGJIGJE DIREKT NE TELEVIZION POPULLIT.KU ESHTE PASURIJA E SHQIèETAREVE?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *