Është kthyer në ritual promovimi i politikanëve të ndryshëm në rolin e kuzhinierit, nëpër studio të ndryshme televizive, pikërisht në ato që kanë hapësira me receta gatimi. Së fundi ishte i pranishëm në një prej tyre dhe ish-presidenti Topi, sot kreu i FRD-së. Dhe gjykuar nga ajo çfarë ka gatuar politika jonë në 20 e kusur vite, ja si asociojnë produktet e saj në kulinari: grirja e sallatës mbetet specialitet i padiskutueshëm i pothuaj të dy kahjeve politike. Dhe njëkohësisht të dyja druajnë të hanë ndonjë kokër ulliri, me dyshimin se aty fshihet djalli i pabesisë. Ndërsa në pjata të tjera kanë bërë namet: në një tavë me speca të mbushura, në vend të kripës kanë hedhur sheqer; tek tava me patate, në vend të pulës së pjekur kanë vënë një rosë të ngordhur; tek perimet e zjera kanë futur aty dhe lëvozhga shalqini; të gjitha gatimet me peshk i kanë të tilla ku peshku qelbet dhe nga koka edhe nga bishti; sa për frutat e detit, kanë kujtuar se vërtet janë fruta dhe i kanë përdorur për gatime ëmbëlsirash. Sakaq, edhe një fasule kur kanë vendosur të ziejnë, u është djegur ç`ka ka qelb dynjanë; po kështu, tavën e kosit i kanë nisur ta bëjnë me qumësht duke menduar se zihet kos vetë pasi futet në furrë. Pa le pastaj që kanë përdorur lloj-lloj mishrash, që nga ai kalit e deri tek i qenit duke i ofruar për të lopës e kecit. E nuk ka asnjë lloj dyshimi se gjithnjë, aty ku është dashur të vendosin djathë, kanë vendosur sapun. Në gatimet e tyre, has qime me shumicë, nga flokë burrash e grash, pa llogaritur miza e insekte të rëna brenda. Prej gatimeve të tyre, një pjesë e njerëzve që ushqehen me to katandisen kaps, një pjesë kalojnë në diare, ndërsa një pjesë tjetër e nxjerrin ushqimin bashkë më zorrët. Në kuzhinën ku ata kanë gatuar, është një rrëmujë e tmerrshme, pasi janë përlarë me njëri tjetrin duke e quajtur me enë, sidomos me garuzhde e tiganë, si dhe me produkte si domate të squllëta, gjizë të freskët, salcë kosi e mustardë. Nuk kanë munguar dhe tentativat për ta përvëluar njëri-tjetrin me vaj ose ujë të nxehtë, ose për qërim sysh me piper. E nëse i referohemi një pjese nga kryevepra ‘Ushtari i mirë Shvejk’ një prej këtyre personazheve të kuzhinës, i ngjan gjellëbërësit okultist Jurajda, i cili – siç përshkruhet fjalë për fjalë – “me kazanin e çorbës që vlon, sulet mbi armikun duke përhapur tmerr dhe djegje!” Është pra ai, që nuk pranon të lëshojë, jo vetëm garuzhden, por dhe satërin nga dora, meqë është afirmuar dhe si kasap mbi të gjitha.
