Sfida e injektimit të Rilindjes në frymë

anazapta

Historia e re e botës është përplot me shembuj, kur popuj a kombe, kanë startuar etapa ringritjeje pas periudhave të erëta, lufte apo anarkie sociale, shoqëruar nga një frymë optimizimi që ka përfshirë gjithkënd; është ndjerë ajo si tek elita qeverisëse e si tek populli i thjeshtë, si tek brezi i ri e si tek moshat e thyera, duke ngërthyer me afsh e dëshirë për ndryshim çdo kategori shoqërore.

“Rilindja”, kjo gjetje provokative e Ramës, që pikëtakohej me një prej epokave më të vështira, por dhe shpresëmëdha që ka kaluar ky vend, agimeve të një shteti shqiptar të pavarur, arriti të kishte një impakt jo të vogël, që kishte për tregues votën e 23 qershorit. Kjo votë, ende pritet të shndërrohet në frymë, në një frymë që të karikojë me entuziazëm, shpresë, besim e punë njëherësh, siç thuhej rëndom në zhargonin ideologjik, të madh të vogël.

Në një opinion të para 23 qershorit, dikush e trajtoi këtë sfidë të Ramës, pra mobilizimin psikologjik e shpirtëror të gjindjes së lodhur e të dërmuar nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, për t`iu përveshur punës për një rilindje të mundshme. Sipas qasjes në fjalë, Rama duhej të gjejë mënyra për ta injektuar në popull atë çfarë i zjente si vizion brenda vetes së tij. Në këtë pikë, 23 qeshori është një datë, por ende nuk mund të thuhet se përfaqson një epokë. Zhvillime epokale në 23 vjet, që janë shoqëruar nga kadenca të forta euforie, entuziazmi e shprese në popull, që do kishin qenë mjaft frytëdhënëse nëse do ishin shfrytëzuar drejt nga elitat qeverisëse, kanë qenë pa dyshim: Pas 22 marsi; paslufta e Kosovës, por dhe fundi i nanoizmit 8-vjeçar më 2005, shoqëruar nga riardhja e Berishës, që ndonëse naivisht, mu prej degradimit të qeverisjes së majtë, shihej si diç shpresëdhënëse, përveç një njeriu, Edi Ramës, që i duhet dhënë haku për nuhatjen që pati, sipas së cilit, vështirë se ndonjë e mirë e madhe e priste Shqipërinë pas ringjitjes së PD-së në pushtet.

E tani, jemi në një situatë, ku duket sikur  Rama është personi i duhur në një kohë të gabuar. Por kjo është njëra anë e medaljes, pasi ana tjetër është se Rama është ama është i vetmi person i duhur për këtë kohë të gabuar, në mos të çmendur ku gjendet Shqipëria. Tjetër alternativë nuk ka. Por ndër sfidat, kjo mbetet kryesorja: injektimi i Rilindjes në frymë, në përditshmëri, në ato që mund të konsiderohen realitete të rëndomta shqiptare.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *