SHËNIM: Shkall(ë)-imi i tranzicionit

anazapta

Në mes të Tiranës, mu në bllok, u konsumua dhe një prej historive më absurde të tranzicionit, e vlefshme për t`u përfshirë në guines- in e çudive shqiptare, kur dy vajzat e familjes Milo, dolën pas 14 ditësh ngujim për shkak të një palë shkallëve. Një palë shkallë që kanë shkuar si çështje deri në Strasburg, e që patjetër do kenë detyruar togat e zeza të drejtësisë ndërkombëtare të psherrëtijnë për të kushedisatën herë me ngatërresat tona me tokë e prona. Në lidhjet direkte që realizohen disa Tv informative me vendgjarjen, atje ku u ndërhy heroikisht për t`u dhënë mundësi vajzave të vijonin jetën në lirinë e levizjes, një shtetar lokal tregoi se shkallët e hequra ditë më parë, përbënin dhe një objekt habie për sa e sa të huaj, të cilët teksa kalonin krah tyre, bënin dhe foto për t` treguar botës se ç`mund të hasje e gjeje në mes të kryeqytetit shqiptar, tip xhunglash ndërtimore, me njerëz që humbnin me vetëdije dhuntinë e të ecurit e të jetuarit normal, duke u shndërruar në qenie kacavjerrëse.  Tranzicioni ynë ka prodhuar shumë simbole absurdi. Përshembull, në fushën e kakafonisë së përgjitshme, simbol është bërë zhurma e kanaçeve ose shisheve plastike në rrugë ku tipa të ngeshëm e përgjithësisht fëmijë me të dhëna parazitare u bien me shqelm, ose ajo e matrapikëve që ulërasin kudo e në çdo orë, pasi çdokush është i angazhuar me prishjen e diçkaje për të bërë diçka tjetër që mund t`i ketë shkrepur në kokë. Ndërsa si simbol i katrahurës urbane, janë ca shkallare metalike e gjarpëruese, që nëse gjarpërimi i tyre  zgjaton më shumë se 30 metra, ngjitësi ose zbritësi i tyre rrezikon të nxjerrë zorrët atje kur prek fundin. Janë pra shkallare shkallimi kolektiv, që vetëm teke ne i has. Ndryshe, nuk ka si ndodh që në Strasburg të hapet gjygj dhe për një palë shkallë! / E.H.

Share This Article
1 Comment
  • I nderuar E.H pa ti ulur vleren se je bere nje “person-makineri” me gjerat qe prodhon; ne kualitet e sasi te larte. Por nuk e kuptova mire kete shkrim.

    Pasi e lexova dy here, kam te njeten ndjesi. Si kujtese miqesore, ne nje ndodhi qe ju e dini mire dhe e kane pare shume … gjithsesi duhet dhene me etapa e saktesi; ta kuptojme te gjithe.

    Ndoshta ngaqe ngjarja eshte absurde, faji mund te jete i imi 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *