Opinioni i së enjtes, si shumë “opinione” të tjera, nuk ishte për të sqaruar të ngatërruarat në raport me aksionet e frikshme të INUK-ut; por më shumë për të krijuar atë lloj spektakli kakofonik, ku duelet orale mes palëve, prodhojnë tifozeri politike në distancë, pa mundur kurrë që të përftohet diç e dobishme për ata që nuk janë tifozë. I gjithë emisioni, do vlente vetëm po të pohohej një gjë thelbësore në lidhje me reagimin nervoz ndaj INUK-ut: që, njeriu në përgjithësi, e shqiptari në veçanti, nuk e pranojnë kurrë se janë në gabim; e më së shumti, ajo që po ndodh, ku për çdo prishje, fajin nuk e ka ai që ka ndërtuar, por INUK-u, është një formë ngushëlluese për vakinë e ndodhur. Njeriu në përgjithësi, e shqiptari në veçanti, do e gjejnë me patjetër një ganxhë ku të kapen, për t`u viktimizuar me patjetër në funksion të një pafajësie prej engjëjsh. Sforcohuni, në daç me fantazi e në daç në rrugë reale, për të gjetur qoftë dhe një shqiptar të vetëm që ka vjedhur energji apo që ka ndërtuar pa leje, i cili të thotë: “Po, unë jam gabim!” Mund ndodh që Bleona të pohojë që është e virgjër, por që bir shqiptari ta thotë këtë, kurrsesi. Por kur të gjithë paskan qenë në rregull, kush e qelbi atëherë këtë vend?!/E.H
