SHËNIM: Si plakat…

redaktor

Të bësh opozitë dhe të përpëlitesh për të bërë opozitë, ka një diferencë jo të vogël. E para të bën serioz, të tregon të pjekur, të ngre prestigjin, e të ngre kuotat e besueshmërisë në publik. Ndërsa dokumenti i publikuar dje nga PD-ja, që sipas saj, tregonte dështimin e policisë në disa aksione të saj, futet tek përpëlitjet. Dhe nuk është i vetmi rast. Ndërtimi i akuzave me dokumenta e komunikime krejt normale zyrtare, është shndërruar në linjë të përpëlitjeve opozitare, paralel me “merr një fjalë këtu e kap një fjalë andej, rrotulloi kështu e ashtu e sajo diçka”, sa për ta mbajtur veten me gajret, se ja, po jemi opozitë e fortë. Kjo formë e kjo sjellje politike, e ka bërë PD-në si ato plakat tek filmi Radiostacioni, të lodhura e plot maraz nga humbja e pushtetit, që mbasi u bie pika nga lajmi se Shqipëria ra në dorë të komunistëve, nisin e thurrin plane se si t`jua rimarrin pushtetin. Dhe në këtë udhë të mundimshme, por që e ushqejnë veten me kurajë për ta vijuar pa u ndalur, shkojnë deri në grotesk. Një mbrëmje, tre prej tyre përballen në një qoshe me një patrullë partizane, duke ngrirë para tyre nën urdhërin “Ndal!”. E pasi vijojnë rrugën, frikën e tyre ua transferojnë partizanëve, nëpërmjet këtij dialogu:

-“E patë, ata kanë frikë!”

-“Ta shpërndajmë menjëherë lajmin. Po po, ata kanë frikë!”

E tashmë si në rastin e plakave, çdo gjë, çdo akt, çdo fjalë, çdo dokument, çdo inisiativë, sado normale të jetë, për opozitën aty fshihet djalli qeverisës. Kështu është kur të kaplon pleqëria! Dhe pa i bërë opozitë pleqërisë brenda vetes, rinia për të riardhur në pushtet vështirë se do i vijë; do mbetet e sëmurë në shtrat…duke u përpëlitur!

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *