Po ka një disproporcion vështirë të shpjegueshëm mes muskulizimit të shtetit, kthimit të forcës dhe autoritetit të tij, e shprehur kjo sidomos me shndërrimin e beftë të një pjese të popullsisë, nga zgrapës energjie në pagues shembullorë të saj, e mes krimit, ordiner e elitar bashkë, që vijon të mos tutet e të tregojë se është aty, mu në zemrën e realitetit, me gjithë egërsinë e vet. Që në një formë metaforike, jo që nuk po e paguan energjinë, por po e grabit me kaçakërinë më ekstreme të mundshme. Nuk ia vlen t`i referohesh opozitës dhe ligjërimit të saj në këtë rast – e çuditshme është se si rezervohet të thotë se atë natë në Rrugën e Kavajës, mes individëve që kanë këmbyer të shtëna, ka qenë dhe Rama e Tahiri, por të maskuar – por ia vlen vërtet që të përcjellësh një perceptim publik dominues, i cili nuk merret fort me kalkulime e bilançe shifrore, lidhur me atë që e sheh, e ndjen, e prek: Krimi nuk po e paguan energjinë! Për Rilindjen e rendit, u hodh në treg deviza e “kthimit të policisë në detyrë”, por gjuha e terrenit, na tregon se ky kthim, është si ai dikujt që e ka braktisur punën e rikthehet në vendin e punës, por që nuk do të thotë se ia ka nisur punës. Kështu që, nuk po dyshohet nëse policia është kthyer në detyrë, por nëse ka përveshur mëngët – pa e zhubravitur uniformën – për ta ushtruar detyrën. Edhe njëherë: e pafalshme që krimi nuk po e paguan energjinë!/E.H
