Abuzimi i llojit “fonde për bojë printi, pa patur printera”, që i atribuohet një komune në Mat, për krerët e së cilës kërkohet ndëshkim penal, shërben dhe si një lloj mostre për të kuptuar më qartë se si është rrjepur ky vend në më shumë se dy dekada. Nuk ka rëndësi se sa e madhe ose sa e vogël ka qenë kjo vjedhje, e matur me shifra. Prej asaj “boje printi”, ndoshta është përfituar mjaft pak krahasuar me zhvatje të tjera më spektakolare; si të thuash, janë futur në xhep ca mijra, ndërkohë që gjetiu janë futur miliarda. Rëndësi ka skema, ku pothuajse është zbatuar gjithkund njëlloj: merr për atë që nuk ekziston; pra, merr pa dhënë asgjë. “Printerat” e munguar të komunës, përfaqësojnë, në mos (pa)ndërgjegjen, punën e munguar të shumë birbove me funksione, detyra e pushtet, të cilën kanë bërë hatanë në mbushje xhepash. Jo thjesht duke vjedhur si kaçakë me kapuç në kokë, por mjaft duke mos e bërë punën të cilën u është besuar, duke e bërë keq, e në rastin më flagrant, duke u vetëkonvertuar në hajdutë me rrogë. Sikur vërtet mania e shumë shqiptarëve për një vend pune në administratë, të kishte të bënte me punën, kjo do ishte gjysma e së keqes; ndërkohë që rezulton e kundërta: tek “puna”, shohin një mundësi për të blerë “bojë printeri”, pa patur printera!/E.H

Po si i behet halli i atyre qe KANE printera dhe kur j’u nevojiten 10 blejne 1010 ? Edhe kjo keq e mos me keq eshte. Apo jo ?