Nga Neda Balluku
Të qarat e atij fëmije, janë kapja e vërtetë e drejtësisë! Nuk ka sesi të mos kemi të tilla e të tjera raste dhune e barbarie, instikte prezente tek njeriu, nëse po ashtu nuk bashkëjeton edhe një instikt tjetër tek ai: instikti i frikës. Në këtë vend, cdo e keqe vjen nga mungesa e frikës, e ndërgjegjësimit që nuk mund të bësh ç’të duash në këtë vend dhe të mbetesh i pandëshkuar.
Në Shqipëri vrasin të qetë, me mendje të fjetur që nuk do të ndëshkohen. Në Shqipëri dhunojnë rehat, me sigurinë që nuk do të përgjigjen para ligjit. Në Shqipëri ka të papërgjegjshëm me te drejtën për të qenë të tillë, pasi atë të drejtë ua japin ata të papërgjegjshëm që drejtojnë sot pushtetin gjyqësor. Si nënë e qytetare e këtij vendi, instikti i parë qe pata kur për të qindtën e sekondit vura veten time në vendin e atyre prindërve, ishte vetëgjyqësia. Pikërisht sepse, nuk kam besimin që ajo femër dhunuese do të ndëshkohet siç e meriton.
Dhe për të thënë këtë bazohem tek precedentët ndërkaq të krijuar. Pasi sot, edhe nëse një çështje merr përmasa publike e kombëtare, pushteti gjyqësor nuk kompleksohet aspak e vazhdon e qetë lojën e vet me rrethin e parave, rryshfeteve, korrupsionit. Dhe kështu prodhohet dhuna. Vetëgjyqësia është po aq krim. Dhe plotësohet dalëngadalë puzzle-i i shoqërisë sonë, me shumë njerëz të pakulturuar, të papërgjegjshëm, por për të cilët është shpikur një forcë rregullatore për t’i kontrolluar; ligji dhe zbatimi i tij. Por i cili, tek ne mbetet ende utopi.
Në këtë formë, detyron edhe njerëz te ndershëm e të drejtë të këtij vendi, të jenë pjesë e dhunës dhe të prodhojnë dhune. Drejtësia shqiptare është përfundimisht e zeza më e madhe, e keqja e vërtetë, problemi më i thellë, pasi është aleati numër një i kriminelëve, dhunuesve, hajdutëve, nga më i pushtetshmi tek më pak i pushtetshmi. Reforma në drejtësi është një kod I kuq, një urgjencë! Pasi nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë, kapje me e madhe e saj, se kjo që po jetojmë ne çdo ditë! Kapje nga leku, nga luksi, nga korrupsioni, nga rryshfeti.
Duhet të jemi të gjithë bashkë, siç bëhemi për një kombëtare futbolli, të bëjmë presionin pozitiv ndaj “kombëtares” sonë politike, për të çuar në fund nevojën më të madhe që kemi patur ndonjëhere si komb, që pas shpalljes së Pavarësisë dhe ardhjes së demokracisë, përndryshe Zot na mbro nga njëri-tjetri!
