Zbarkojnë (edhe një herë) aleatët

redaktor

Nga një miting i dështuar i PD-së tek tjetri, nga një seri “prokuroriale” e telenovelës “Doshi” tek tjetra, dy partitë kryesore politike në vend kanë filluar të kthejnë vëmendjen tek zgjedhjet administrative të 21 qershorit. Deri tani duket se llogaritë po bëhen për maksimalizimin aritmetik të votave. Selia blu, edhe pse çdo orë që kalon e ka akoma më të qartë se nuk do ketë “dy palë zgjedhje” së shpejti, por vetëm ato të parashikuara në kalendar, ngjan se ka vendosur për një gjendje “proteste të përhershme” me kërkesë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, pikërisht për të mbajtur të tendosur bazën e militantëve, si një provë gjenerale përpara zgjedhjeve. Aleatët e vegjël të PD-së këto zgjedhje përgjithësisht janë përcaktuar, dhe fakti që PDIU nuk shihet më si aleat nga Basha e Berisha, është lajm i vjetër.

Ndërkohë, panorama në kampin e së majtës është goxha më e koklavitur dhe me të tjera ngjyra. Nëse pakti bashkëqeverisës PS-LSI mbetet i salduar dhe qëndron jashtë çdo diskutimi, nuk është kështu për partitë e tjera të spektrit politik që ende quhet zyrtarisht “Aleanca për Shqipërinë evropiane”. Në mbyllje të një dyvjeçari në qeverisje, PS duhet të llogarisë disa elemente shtesë në ekuacionin e vjetër të para 23 qershorit 2013. Dhe dy më kryesorët janë: A mendon selia rozë se do të ketë firo të votës së saj tradicionale për shkak të faktorit “konsum nga pushteti” dhe gjithçka nënkupton ai, dhe; a mund të merret më si i mirëqenë grupi i aleatëve të vjetër?

Politikat qeverisëse dhe disa reforma domethënëse të këtyre dy vjetëve, mund të perceptohen si gjeneruese të dy reagimeve të kundërta me njëri-tjetrin: I pari, përpjekje serioze për forcimin e shtetit ligjor dhe ‘ndërtimin’ e qytetarit që i bindet ligjit e nuk sillet si kaçak me gjënë publike (drita, ujë, truall etj), dhe i dyti, dëmtimin e drejtpërdrejtë të disa shtresave që teksa pranojnë nevojën e rregullit dhe ligjit, shohin se ka trajtime të diferencuara. Jo rrallë, ky reagim është i dyzuar tek i njëjti individ. I cili, nëse gjendja ekonomiko-financiare e vendit dhe mjedisi ekonomik do ishte krejt tjetër nga ç’është, me shumë mundësi do mirëkuptonte dhe brohoriste përpjekjen e “më në fundshme” për ligjshmëri. Por kështu nuk është. Dhe më e keqja, në sytë e këtij votuesi të ndëshkuar, mungon ai, ndëshkimi i madh dhe i premtuar i shkaktarëve të kësaj gjendjeje, jo thjesht përmes keqqeverisjes (që ndëshkohet me votë), por përmes krimeve penale dhe hajdutërive gjigante. Dhe ndodh si para ca muajsh, që banorë fshatrash të tëra i zë “dalldia” e azilit politik në Gjermani se kështu dolën ca llafe.

Ky profil arsyetimi, pra, hap padyshim mundësinë e firove të votës së 23 qershorit të dy viteve më parë. A janë ndërkaq, aleatët e vjetër në ato pozicione që kanë qenë? Aspak. Teksa PDIU e Shpëtim Idrizit, me shfaqjen e djeshme tenton të rrisë pjacën e negociatave me PS-në me armën e pesë deputetëve që ka në Kuvend, është interesante se kjo parti, edhe kur ka qenë zyrtarisht në opozitë, ka patur pjesë në qeverisje, si psh. me drejtimin e ISSH-së, një institucion që xhiron miliarda lekë dhe ku nuk kanë munguar skandalet, nga një eksponent i PDIU-së për disa vite rresht. Nga ana tjetër, pothuajse të gjithë aleatët e vegjël janë krejt të pakënaqur me PS-në. Mund të llogaritet si i kënaqur vetëm një kryetar që është edhe anëtar i partisë së vet dhe aktualisht drejton Arkivën e Shtetit, si dhe zv.ministri Petro Koçi.

Në një përpjekje të shpejtë për të rikuperuar ç’të mundë, Edi Rama ngarkoi deputetin Balla për të rinegociuar me aleatët e vjetër dhe të rinj. Se ç’do të dalë nga bisedimet, ka ende kohë përpara, por

të kontaktuar nga DITA, përfaqësues të partive PSD e PDS deklaruan në kushte anonimati se çdo tryezë e re do ishte e kotë dhe demagogjike, përderisa selia rozë ka përpara një marrëveshje të sanksionuar para 23 qershorit, që pret të zbatohet. Nga ana e tij, ca ditë më parë kreu i AP Artur Dojaka bëri publik një propozim të veçantë, që në garën për drejtuesit e rinj të bashkive, politika shqiptare të fokusohet drejt kandidimit të figurave jopolitike, por profesionistëve të menaxhimit dhe emrave të njohur të shoqërisë, jashtë selive partiake. Pritet që Aleanca Popullore të vijë ditët në vijim me një platformë surprizuese për këto zgjedhje, ndërkohë që as kjo parti, që sa bashku me Gjinushin dhe Milon kanë sjellë mbi 30 mijë vota në fitoren e së majtës, nuk preferon të flasë për negociatat aktuale për të cilat është ngarkuar Balla.

E panjohura tjetër e kampit të majtë është PBDNJ dhe qëndrimi i nënkryetarit aktual të Kuvendit Vangjel Dule, në rastin e vulosjes së marrëveshjes së PS-LSI-së me Idrizin. Shenjat janë dhënë që më parë, se Dule mund të shkëputet, dhe nuk do ishte çudi një aleancë e re me PD-në. Por në lojën e madhe kanë hyrë dhe FRD e Bamir Topit dhe kristian-demokratët e Mark Frrokut, veç të tjerëve.

A do të tentohet, pra, të bëhen llogaritë me kutin e aritmetikës dhe mbledhjes mekanike të votave, apo do merren parasysh edhe disa faktorë kaq njerëzorë, sa mbledhjet dhe zbritjet nuk kanë ç’tu bëjnë; si të majtët e pakënaqur, aleatët e injoruar etj? Nëse kemi hyrë përfundimisht në epokën e partive post-ideologjike dhe enteve politike thjesht elektorale në trajtën e rezervuarëve të votave që mbushen e zbrazen, do ta shohim së shpejti.

Share This Article
1 Comment
  • Mblidhen haleatet
    ne WC luksoze
    ne zyrat e Partise
    te Partise ngjyre roze

    Mblidhen haleatet
    nje grup me mafioze
    Nga te gjitha ngjyrat
    nga mavija ne roze !

    Ne krye PS-ja
    parti e mavijosur
    nga pafytyrsia
    qe nuk ka te sosur

    Kerkon votat e tjera
    kur s’mbledh dot te vetat
    sepse neper ferra
    i jane grisur getat

    Sepse brenda vetes
    demokraci s’ka
    vendosin mafiozet
    per njerezit fukara

    Sepse kot ankohet
    se Sala vodhi voten
    pse s’eshte vjedhje kjo
    kur te tuve iu ben gropen ?

    Edhe kjo eshte vjedhje
    Madje me e madhe
    se s’vodhe te tjeret
    pot te tute vodhe !

    Vjedhja s’ka rendesi
    nese behet me pushke
    apo me mashtrim
    ku nuk te “pa” kush !

    PS dhe PD-ja
    motra qe te dyja
    qe te dyja pjella
    te kurves Ramiz Alia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *