Shënime historike e kulturore të udhëtarit anglez Henry Tozer (II)

J L

Prof. dr. Refik Kadija

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Shqiptarët, prejardhja dhe heronjtë e tyre

Në Kapitullin IX Tozeri e ndërpret këtu përshkrimin e udhëtimit dhe jep shënimet e tij filologjike e historike për origjinën pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre të lashtë e unike (duke u mbështetur në veprën e Hahn-it e Bopp-it), të karakterit të shqiptarëve dhe heronjve të tyre.

“‘Albanezët’ e quajnë veten ‘skipetar’ (shqiptarë) dhe ka dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se ata janë një komb i lashtësisë së madhe (antikitetit të largët). Emri ‘arnaut’, i cili iu është vënë nga turqit, është në fakt vetëm një shtrembërim i ‘albanian’. Procesi i ndryshimit ndiqet qartësisht në greqishten e re, ku fjala origjinale ‘albanites’ (e shqiptuar nga grekët ‘alvanites’), nga një ndryshim i shtegoreve (baskëtinglloreve rrëshqitëse) bëhet ‘arvanites’, dhe që andej, nga ndërrimi i vëndit të shkronjës, ‘arnavites’, nga e cila kalimi është i lehtë në ‘arnaut’. Gjuha e tyre, e cila për një kohë të gjatë ka qenë enigëm për filologët, vitet e fundit është analizuar (ekzaminuar) me kujdes nga Profesor Bopp-i, i cili shprehet se ajo është një degë e pavarur e familjes indo-europjane. Shumë nga sistemi i fleksioneve (parashtesa, prapashtesa, mbaresa) dhe shumë nga fjalët janë shumë të ngjashme me latinishten e greqishten, megjithatë ngjashmëria nuk është e atillë që të na bëjë të hamendësojmë (supozojmë) se ato janë huazuar nga njëra apo tjetra. Në shumicën e karakteristikave, sipas Bopp-it, mund të shpjegohet më lehtë me anë të sanskritishtes se me anën e atyre dy gjuhëve. Dr. Von Hahn-i, i cili ka jetuar për disa vite midis shqiptarëve, dhe nga vepra shkencore e të cilit ‘Albanesische Studien,’ janë nxjerrë shumë nga këto shënime, beson se ata janë përfaqësuesit ekzistues më të afërt të pellazgëve. Ai mendon se ngjashmëritë e mëdha që ekzistojnë në zakone, karakteristika kombëtare dhe çështje të tjera, si edhe në gjuhë, midis shqiptarëve dhe romakëve e grekëve të lashtë, mund të shpjegohen në mënyrë shumë të natyrshme me hamendësimin se ata të gjithë kanë qenë në origjinë nga e njëjta racë, dhe me qenë se shqiptarët kanë qenë më pak të qytetëruar, si dhe pozicioni i tyre pak i shkelur, i kanë ruajtur këta instucione origjinale. Është e vërtetë se pellazgët shpesh janë përdorur për të shërbyer si bazë e teorive etnografike të paargumentueshme dhe se përmendja e tyre ka prirjen të shkaktojë një buzëqeshje; mirëpo këtu duket se ka shumë më tepër për të thënë se në rastet tjera. Sepse të dhënat që na kanë lënë autorët e lashtë duket se tregojnë që banorët e sotëm janë e njëjta racë që ka banuar në këtë vend në kohra të lashta dhe nënkuptojnë një lidhje të ngushtë midis këtyre fiseve epirote dhe ilire dhe atyre të Maqedonisë, etj.

Këto deklarata, të marra së bashku me ekzistencën e orakullit të madh pellazg të Dodonës në këtë vend, si dhe me fakte të tjera të kësaj natyre, duket se e bëjnë të mundur këtë teori. Ekziston gjashtu midis tyre një alfabet, me sa duket i një lashtësie të madhe (antikiteti të largët), që Hahn-i beson se e ka pasur prejardhjen nga disa alfabete pellazge që vinin nga fenikasit – ndoshta nga vendbanimet fenikase në veri të Egjeut – dhe që duket se ka lidhje si një motër me alfabetin grek. Mirëpo, çfarëdo që mund të mendohet për këto pikëpamje, subjekti është i tillë që meriton më shumë vëmendje sesa është treguar për të deri tani; dhe unë nuk mund të mos besoj se një studim i kujdesshëm i gjuhës mund të hedhë dritë të konsiderueshme mbi gjuhët klasike. Për sa i takon karakterit të shqiptarëve, ata janë përshkruar nga Finlay si krenarë, të pacipë, të rrëmbyer dhe të etur për fitim, por të ndershëm dhe të besës.

Poezitë dhe legjendat e tyre tregojnë se ata janë njerëz të zgjuar dhe mendjemprehtë. Kjo dëshmohet akoma më qartë nga gjëagjëzat e tyre me të cilat Hahn-i ka bërë një koleksion të madh. Kemi zgjedhur për ilustrim disa prej tyre që formulohen përgjithësisht në formë krahasimi dhe duhet t’i përgjigjen pyetjes ‘Ç’është?’: ‘Ara e bardhë, fara e zezë, mbillet me dorë dhe korret me gojë’ (shkrimi); ‘babai i gjelbër, i biri i kuq’ (karafili), ‘majmuni hidhet e përdridhet, ndërsa lopa e bardhë milet’ (furka e druga), ‘S’është lopë por ka brirë, s’është gomar por ka samar, dhe kudo që shkon lë argjend mbrapa’ (kërmilli), ‘Ç’është ajo gjë që mbështjell lesh përbrenda e dhjamë përjashta?’ (qiriu).” (v. I, k. IX, f. 209-212)

Në katër faqet e fundit të Kapitullit IX “Nga Ohri në Elbasan” (214-217), Tozeri ka vënë shënimet e tij historike mbi Shqipërinë, të cilat lidhen kryesisht me Skënderbeun, duke shprehur fillimisht edhe një opinion jo-vlerësues për Ali Pashën:

“Heronjtë historikë të Shqipërisë janë Aleksandri i Madh, Pirroja dhe Skënderbeu; dhe në kohrat moderne, nëse është e lejueshme të përmendet një që qëndron shumë poshtë në krahasim me ata emra të mëdhenj – Ali Pasha. Gjithshka që është interesante në historinë e këtij vendi sillet rreth tyre; gjithshka tjetër është një seri fitoresh të përkohshme dhe sulme barbare, efektet e të cilave kanë qenë kalimtare dhe nuk kanë ndikuar në mënyrë të përhershme as në vetë popullin shqiptar, as në racat fqinje. Aleksandri ishte i lidhur me Shqipërinë nëpërmjet nënës së tij Olimpia, e cila ishte princesh epirote: megjithatë ekspeditat e tij ushtarake i takojnë historisë universale, si ato të Pirros që i takojnë asaj të Romës. Për të tretin, Skënderbeun, do të ishte mirë që të bënim një përshkrim të shkurtër, sepse pak luftëtarë kanë lënë mbrapa tyre një famë aq të qëndrueshme ose një admirim aq entuziast sa ai me të cilin shihet e vlerësohet ky hero nga bashkatdhetarët e tij. Gjergj Kastrioti, sepse ai ishte emri i tij i vërtetë, lindi në veri të Shqipërisë në vitin 1404 dhe, me qenë se babai i tij u detyrua t’i jepte haraç turqve, ai bashkë me tre vëllezrit e tij u dërguan si pengje të Sulltan Muratit II. Ata u vendosën me banim në pallatin e atij princi (Muratit II) dhe, në kundërshtim me marrëveshjen e qartë të bërë nga babai i tyre, ata u edukuan në fenë muhamedane. Vëllezrit e tjerë vdiqën herët, por Gjergji u rrit si favorit (i preferuar) Sulltanit, i cili e rekrutoi midis rojeve të tij dhe e caktoi me detyra ushtarake të rëndësishme: aftësitë dhe trimëria e tij u dukën qartë qysh në moshë të re dhe si rrjedhojë e kësaj ai ori nga turqit emrin Iskender Beg, ose Lord Aleksandër. Pas vdekjes së babait të tij, kur pronat e familjes së tij ishin pushtuar dhe administroheshin nga Murati dhe një officer turk ishte dëguar për t’i qeverisur, Skënderbeu bëri planin për t’i rifituar (rimarrë) ato dhe për të shpallur pavarësinë e vendit të tij Shqipërisë. Ai e zbatoi planin e tij në mënyrën që vijon. Kur u dërgua në një fushatë kundër Huniadit, ai bëri një marrëveshje të fshehtë me atë komandant dhe duke dezertuar, në një moment kritik, kontriboi në disfatën e ushtrisë turke në Nish.

Gjatë rrëmujës që pasoi ai mori me forcë nga sekretari i Sulltanit një ferman (urdhër me shkrim) me anën e të cilit guvernatori i Shqipërisë urdhërohej t’ia dorëzonte Krujën, kryeqytetin e atij vendi, bashkë me komandimin e krahinës fqinj. I armatosur me këtë mandat (urdhër), ai nxitoi për të shkuar në vend dhe kur e kishte marrë në dorë pushtetin me këtë mënyrë, ai e hoqi maskën, e deklaroi veten armik të Sulltanit musliman dhe u njoh nga bashkatdhetarët e tij si udhëheqës i tyre në luftën për pavarësi. Për njëzet-e-tre vitet që mbetën nga jeta e tij ai u angazhua në armiqësi thuajse të përhershme (të pandërprerë) me turqit dhe u bë i famshëm për aftësitë e tij si general, për disiplinën që zbatoi tek ushtarët e tij dhe për trimëritë e jashtëzakonshme që bëri me dorën e tij. Më se një herë armiqtë e tij hyn në Krujë, por ata vazhdimisht u sprapsën, dhe kur vetë Sulltan Murati e rrethoi atë vend më 1450, ai u detyrua të tërhiqej, dhe vdekja e tij që ndodhi një vit më vonë, thuhet nga disa se u shkaktua nga disfata që pësoi. Në një periudhë Skënderbeu u tërhoq nga skena e luftës kur, pasi kishte bërë një marrëveshje armëpushimi me Mehmetin II, ai shkoi në Itali, me kërkesën e Papë Piut II, për të ndihmuar Mbretin e Napolit kundër kundërshtarit të tij Kontit Anzhu. Si rrjedhojë e shërbimeve të tij që I bëri në atë rast, ai mori si shpërblim toka të mëdha në Itali, të cilat u zunë më 1460 nga një numër refugjatësh, duke u bërë e para e kolonive të shumta që kaluan nga Shqipëria në atë vend. Gjatë fundit të jetës së tij ai hyri përsëri në armiqësi me armiqtë e tij të dikurshëm dhe përsëri doli fitimtar. Më në fund ai vdiq në Lezhë në moshën 63 vjeçare dhe me vdekjen e tij u shuan edhe shpresat e bashkatdhetarëve të tij. Ai nuk prehet midis tyre, sepse, pasi u varros, turqit e coptuan trupin e tij dhe nga eshtrat e tij bënë hajmali, të cilat supozohej se e mbushnin me guxim në fushën e betejës këdo që e vinte. Aq i madh ishte nderimi supersticioz për njeriun i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk i kishte lënë t’i afroheshin dhe i kishte mundur vazhdimisht! Por emrin e tij e kanë të gjithë në gojë në të gjithë Shqipërinë, bile edhe shqiptarët e Italisë Jugore, pasardhësit e atyre që u larguan nga atdheu i tyre pas vdekjes së tij. Ai është ende heroi i këngëve popullore.

Pas përshkrimit të Elbasanit autori e ka ndërprerë udhëtimin e parë dhe ka vazhduar me udhëtimin e dytë duke filluar me Beratin. Në Kapitullin X të vëllimit I me titull “Nga Berati në Korfuz” Tozeri ka përshkruar segmentin e fundit të udhëtimit të dytë, më 1861, duke ndaluar në qytetet kryesore – Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë e Butrint para se të hidhej në Korfuz.  

Pasi bën një përshkrim të hollësishëm gjeografiko-etnografik të qytetit të Beratit, Tozeri kalon në disa të dhëna historike të kalasë së Beratit, duke u ndalur konkretisht te humbja e Skënderbeut në rrethimin e saj: “ Kështjella e Beratit është e famshme (e njohur) në histori si skena e një rrethimi të rëndësishëm të drejtuar nga Skënderbeu, kundër të cilit ajo mbrohej nga turqit, në fillim të sundimit të Muhametit (Mehmetit) II. Duke marrë guxim nga një seri fitoresh kundër kundërshtarëve të tij, heroi shqiptar vendosi ta vinte nën zotrimin e tij atë pozicion të rëndësishëm. Prandaj ai bëri përgatitje serioze për këtë qëllim; në të njëjtën kohë ai u dha zemër pasuesve të tij duke u kujtuar atyre mbrojtjen e famshme të Belgradit serb nga Huniadi i madh bashkëkohës. Më në fund, rrethimi u ngushtua aq shumë, sa që garnizoni u detyrua të pranonte për t’u dorëzuar, nëse nuk i vinin në ndihmë mbrenda gjashtëmbëdhjetë ditëve. Por përpara se të mbaronte ai afat, u shfaq gjenerali turk Sevali me një ushtri të madhe në fushën në veri të qytetit dhe i sulmoi rrethuesit shqiptarë. Pas një beteje të ashpër, Skënderbeu u mund duke humbur pesë mijë nga trupat e tij më të mira, si dhe Muzakën, njërin prej miqve  të tij më të ngushtë e një prej komandantëve më të zot. Në këtë rast, biografi i tij na thotë, nga zemërimi për këtë mos-sukses, iu ça buza e poshtme dhe i rrodhi gjaku çurg, siç i ndodhte zakonisht kur ishte shumë i zemëruar në këshillë ose në kampin e luftës: dhe kur i pa turqit që po ua prisnin kokat shokëve të tij të vrarë në fushën e betejës, ai u dha urdhër 7000 ushtarëve të tij, pavarësisht nga prania e armikut fitimtar, që të shkonin e t’i varrosnin të vrarët pa marrë parasysh asnjë rrezik. Megjithatë, efekti i kësaj tërheqjeje ishte vetëm i përkohshëm, sepse ne e gjejmë Skënderbeun duke ndjekur karrierën e tij fitimtare tjetërkund.” (f. 222-223)

Në fillim të kapitullit XIII të vëllimit I, me titullin”Shkodra dhe Mirdita” Tozeri ka bërë një përshkrim të detajuar të Shkodrës ashtu siç e gjeti kur e vizitoi gjatë udhëtimit të tij të tretë më 1865. Më tej, pasi përfundon përshkrimin gjeografik të vendit, Tozeri vazhdon me rrëfimin historik të qytetit: “Lartësia e kështjellës mbi të cilën po qëndrojmë ka qenë vend-ndodhja e qytetit origjinal të Skodra-s (Shkodrës), sepse ky emër, i cili është transformuar në ‘Scutari’ nga italianët, ka kuptimin “mbi kodër”. Në periudha të ndryshme të historisë Shkodra ka qenë një vend me rëndësi të konsiderueshme dhe është përballur me shumë rrethime. E para prej tyre përmendet nga Livi[1], i cili e përshkruan vendin si të vështirë për t’u pushtuar dhe si qyteti më i fortifikuar në vend, i rrethuar nga dy lumenj, Clausula (Chiri=Kiri) në lindje dhe Barbana (Boyana=Buna) në perëndim; ky i fundit rrjedh nga Palus Labeatis (liqeni i Shkodrës). Me këtë rast përmendim se Genti, mbreti i fundit i Ilirisë, pasi kishte provokuar armiqësinë e romakëve me piratëritë e tij, u sulmua dhe u rrethua nga pretori (nënkonsulli) romak Anicius, dhe pas një sulmi të pasuksesshëm, u detyrua të pranonte dorëzimin me kusht, pas të cilit Iliria u bë provincë romake ( në vitin 168 para Krishtit). Të kapërcejmë një numër rrethimesh të vogla dhe të kalojmë përsëri në skenën e një konflikti të rëndësishëm në vitin 1478, kur venecianët, të cilëve u ishte dorëzuar Shkodra nga Skënderbeu me anë të një marrëveshjeje të fshehtë[2] e cila vihej në zbatim (kishte fuqi vepruese) pas vdekjes së tij, u bllokuan atje nga Mehmeti II për nëntë muaj dhe ia dorëzuan kështjellën atij si rrjedhojë e nënshkrimit të një traktati paqeje. Dhe tani të vijmë më afër, në kohën tonë, kjo kështjellë ishte selia qëndrore e Mahmud Pashës, apo Mahmudit të Zi, siç e quajnë zakonisht, i cili në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë kishte një pozicion të ngjashëm në Shqipërinë Veriore me atë që Aliu i Janinës mbajti pastaj në jug; dhe i cili, pasi i sfidoi për një kohë të gjatë otomanët, kundër të cilëve ishte hedhur në revoltë, dhe i kishte shpartalluar (i kishte bërë copë-copë) detashmentet që dërguan kundër tij,  më në fund u mund dhe u vra nga malazezët nën udhëheqjen e vlladikës së tyre Petar I, në malet e të cilëve kishte depërtuar në një orë të ligë për të (më 1796). Një nga pasardhësit e tij, Mustafai, një burrë me më pak aftësi, por për një kohë jo më pak i frikshëm, gjithashtu e shpalli veten të pavarur nga qeveria qëndrore otomane, dhe duke përfituar nga koha kur pushteti i Sulltan Mahmudit ishte dobësuar nga lufta e tij me Rusinë dhe nga pakënaqësia popullore për shkak të reformave të tij të mbrendshme, i nxiti një numër të madh prijësish fqinjë që t’i bashkohen flamurit të tij dhe të marshojnë kundër forcave turke. Por gjenerali që u dërgua kundër tij, Mehmet Reshid Pasha, ndonëse forcat nën komandën e tij ishin shumë më të pakta, ishte një njeri me aftësi shumë më të mëdha. Fillimisht Mustafai u mund në fushën e betejës, dhe pastj u detyrua të mbyllej në kështjellën e tij, ku, pasi i bëri ballë rrethimit e bombardimit, u detyrua të dorëzohej nga shpërthimi i depos së tij të barutit (më 1832). Që nga ajo kohë flamuri ottoman është valëvitur paqësisht mbi muret e kështjellës.”

Pas Shkodrës Henry Tozer-i niset drejt Mirditës, të cilës i kushton 40 faqe (I., f. 287-326). Këtu, përveç përshkrimeve të hollësishme topografike e gjeografike të krahinës, shpjegon strukturën administrative të Mirditës si një aristokraci ushtarake, përshkruan dinastinë e Preng Bib Dodës dhe marrëdhëniet e tij e të paraardhësve të tij më Pashallëkun e Shkodrës dhe me qeverinë qëndrore osmane. Gjithashtu, ai jep të dhëna antropologjike e etnografike të mirditorëve, të zakoneve e traditave laike e fetare të tyre si gjakmarrja, krijimi i miqësive me anë të traditës së vllamit (probatinit), zakonet e martesës, sidomos funksionimin e ekzogamisë, e cila, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, e ndalonte martesën brenda gjinisë. Për të mbajtur të pastër traditën fetare të familjes, sidomos atë të krishterë, ushtrimi i ekzogamisë ishte vendosur deri në pesë breza. Në Mirditë, meqenëse martesat brenda fisit ishin të ndaluara, ato kryheshin duke rrëmbyer gra nga fiset e tjera, bile shpesh gra muslimane. Tozeri vë në dukje se “Mirdita ishte ndër të vetmet vende në Evropë ku fenomeni i ekzogamisë ende ekzistonte”. (Kap. XIV,f. 319). Këtu Tozeri e lidh traditën e respektimit të ekzogamisë me traditën e rrëmbimit të grave nga fise tjera. Hulumtimet në ‘Etnologjinë Përshkruese’ të Z. Latham[3], thekson Tozeri, “tregojnë se ekzogamia është, ose ka qenë, thuajse universale. Ajo gjëndet si në Amerikën Veriore ashtu dhe në atë Jugore, në Australi, në ishujt e Paqësorit, në Afrikë, në Indi dhe Afganistan, ndër Kalmukët dhe Cirkasianët. Në shumicën e rasteve që janë mbledhur ajo shoqërohet nga praktika e rrëmbimit të grave dhe zakonisht martesa mbrenda fisit ndalohet si incest”. (ibid, 321).

 

[1] Titus Livius (59 para Krishtit – 17 pas Krishtit) ishte historian i shquar romak.

[2] Një e dhënë e kontstueshme, sepse, përveç të tjerave, mungojnë referencat.

[3]Robert Gordon Latham (1812-1888), etnolog dhe filolog anglez, autor i veprës në 2 vëllime “Descriptive Ethnology” (“Etnologjia Përshkruese”), London, 1859.

Share This Article
3 Comments
  • Autori anglez ka nje veshtrim parashkencor te gjuhes dhe historise se popullit shqiptar.Jep te dhena te njohura per historine e aferme,mbeshtetur tek Hahni dhe te tjere udhetare amatore qe kaluan kendej ne mesin e shek.XIX.
    Burimet shkencore,gjuha dhe kultura materiale e gjetur ne germimet arkeologjike flet per nje prejardhje te sigurte te shqiptareve,arbaneve nga popullsia Ilire qe ka banuar kete vend.
    Para shtegtimeve Indoeuropiane ketu mund te kene banuar pellasge,kromanjone,Neandertale,,por burime historike ,gjuhesore,shkrimore per egzistencen e ketyre homo sapiensave NUK KEMI.
    Ne kete fushe jane leshuar me gjithe gjenialitetin kozmik,ca kasape te gjuhes si Agim Dalipi me arsim 7 vhjecar,ose pellasgos erdoganis me arsim parashkollor.
    Edhe Hahni,qe e hapi i pari kete shpelle te doktoreve me nuska,,ishte nje diletant,me formim gjuhesor te nivelit Dhidhaskalik,,aq sa e mori alfabetin e Teodor Haxhifilipit per alfabet pellasgjik.

    • Edhe ti, Demo, nuk u largohesh shumë atyre që kritikon, përveç Hahnit, i cili përveç të ndonjë gabimi të tij, shumë gjëra i ka patur të sakta, si pararendës të vërtetës së shqiptarëve. Je pordhac i madh, që e mban veten me dituri universale dhe shpesh herë me ideollogji fashisto-balliste të kohës së Zogollit. Nuk lë shkrim pa komentuar dhe pa sulmuar të tjerët. Ku e mësuar që Neanderthal ishin homo sapiensan ?! Në cilën libër, apo shkollë shkruhet kështu ?! Emri Neanderthal është vendosur nga vëndi me të njëjtin emër të Gjermanisë, ku u gjetën mbetjet eshtërore dhe nëpërmjet të karbonit u vërtetua që i përkisnin një njeriu tjetër më të vjetër se Homo sapiens. Toka ka ngrohje dhe ftohje ciklike dhe njeriu i Neanderthal i përket një cikli të mëparshëm se sa në këtë që po jetojmë. Të shprehesh për “burime historike, gjuhësore, shkrimore”, sikurse shkruan ti, për Neanderthal, është laithitje që ua kalon atyre që ke përmëndur si të paditur!!!

  • Do vete me e ngaterru,qe te tregosh sa di per Neandertalet. Une kam shkruar :Ketu mund te kene banuar pellasge,kromanjone,neandertale,,dhe nuk kam theksuar qe neandertalet jane homo sapiensa.
    Ti mund te jesh edhe autori i shkrimit,,Nukk ka pse te mbetet hatri,,Udhetarii,udhetar eshte,nuk eshte shkencetar..Udhetari cmohet per shenimet e udhetimit.Ato qe ka pare ne kohe reale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *