Shënime kulturologjike të Wolfgang Kayser-it

Ornela
Moikom Zeqo

 MOIKOM ZEQO

Dijetar i shquar, i letërsisë në përgjithësi, është edhe gjermani Wolfgang Kayser (1906-1960).

Kam lexuar disa libra biografikë për të.

Njeri me inteligjencë të hatashme, me kulturë shumëdimensionale, ai u doktorua në 1932 për poezinë baroke dhe konkretisht analizoi krijimtarinë e poetit Harsdorffer.

Më 1935 shkroi për baladat gjermane mesjetare.

Në 1938 qe docent privat në Laipzig, në 1941 punoi në Institutin e Kulturës gjermane në Lisbonë.

Kayser i përqafon idetë, për fat të keq, naziste, të kohës. Por puna e tij shkencore është tepër ambicioze.

Kryevepra e tij është “Gjuha e Artit, një Hyrje për letërsinë”, – e botuar në shumë gjuhë të botës.

Në vitet 1950 deri në 1960 qe profesor në Universitetin e Gottingenit.

Studiuesit që kanë shkruar për Kayserin janë të panumërt. Ata e kritikojnë patjetër , por ndërkohë vënë në dukje rëndësinë e tij si dijetar filolog dhe specialist i madh i njohjes së letërsisë botërore dhe sidomos gjermane.

Po çfarë shkruan Kayser-i për narrativën romaneske, ose për ligjërimin letrar?

“Fakti i të insistuarit, në fillim të një romani, mbi karakterin e tij të “historisë”, tregon që narratori ka për të treguar një përparësi të rëndësishme në raport me atë që tregon, cilado qoftë lehtësia për të qenë absolutisht prezent.

Ai vetë (dhe asnjë folës i realitetit nuk e ka këtë mundësi) mund të jetë njëkohësisht në dy vende të ndryshme dhe të jetojë në dy sisteme kohore.

Disa debate, të kohëve të fundit, mbi artin e të treguarit, i japin një rol të rëndësishëm një tipi fraze, prej të cilit ne po marrim më të shkurtrin, frazën: Të nesërmen treni u nis… Kjo është një frazë e përbindshme.

Nuk shmangim dot habinë e parë.

Në jetën e përditshme, ne padyshim, mund të themi: “Të nesërmen ai do të nisej me tren”. Në këtë frazë, një kohë e shkuar e afërt, së bashku me një ndajfolje, evokojnë njësoj të ardhmen.

Wolfgang Kayser

Por nuk ka veçse një sistem kronologjik. Folësi flet në të tashmen, ai gjendet në pikën zero të sistemit.

Në raport me këtë, treni niset nesër dhe gjithnjë në raport me të njëjtën pikë, projekti i nisjes i përket së kaluarës – që folësi njeh për një arsye ose një tjetër.

E shkuara e foljes dhe e ardhmja e ndajfoljes tregojnë dy gjëra të ndryshme.

Në shembullin tonë, kemi këtë keqformim që jep të njëjtin çast, në të njëjtën frazë, me dy fjalë të përafërta, herën e parë si e ardhme, dhe të dytën si e shkuar: Të nesërmen treni u nis… Ai që flet jeton dy sisteme kronologjike: në atë të personazheve të tij – e atje nisja e trenit është një ngjarje e ardhme – por në të njëjtën kohë, ai jeton me një avancim të madh, në të tashmen e tij si narrator, dhe nga ky këndvështrim, gjithçka i përket së shkuarës.

“Jeta e përditshme” nuk lejon ta kuptojmë këtë. Mes kësaj jete dhe lëmit të artit me ligjet e veta nuk ka kalime, por vetëm një kërcim.

Duhet hequr dorë përfundimisht nga matja e narratorit romanesk me imazhin e gjyshit të ulur në kolltuk.

Të kujtojmë më mirë një veçori të çuditshme, pothuajse të harruar të narratorit: Faktin që ai është, ose mund të jetë, omnishent.

Askush prej nesh nuk mund të vështrojë në zemrën e tjetrit. Mendimet e dikujt, ndjenjat e tij ne nuk i njohim përveçse me ndërmjetësinë e fjalëve, gjesteve dhe veprave.

Narratori  kinse disponon pushtet të rezervuar Hyut ose Hyjve. Në këtë pikë, çdo analogji me situata tokësore bie poshtë.

Sado amator që të jetë lexuesi në psikologji, ai do të dallojë që një indikacion romanesk i tillë: “Ai qe thellësisht i frikësuar, por nuk lejoi të dukej asgjë, as në atë çast, as më pas”, lexohet dhe duhet të lexohet si një informacion autentik e jo si një hipotezë e përftuar me anë të arsyes.

Edhe kur narratori paraqitet dukshëm si një personazh, si njëri prej nesh, lexuesi ia pranon, si një gjë të natyrshme, dhe përgjithësisht pa u menduar gjatë, faktin e të mbajturit të diturive të tij në shina të tjera e jo në shinat tona.

Në shekullin XIX-të e XX-të, shpesh është hequr dorë nga figura e ndjeshme e narratorit dhe me të njëjtën mënyrë, është kufizuar omnishenca e narratorit.

Kjo është një çështje stili.

Ta bësh çështje parimi dhe të shkosh deri atje sa të përjashtosh narratorin e romanit – siç kanë kërkuar disa në teori dhe siç kanë realizuar në praktikë – çon në privimin e romanit nga karakteristika më esenciale, dhe, që nga ai çast ai nuk mund të vegjetojë më.

Ky eliminim i narratorit ka qenë tentuar prej kohësh në shekullin XVIII-të; në historinë e romanit si gjetkë nuk ka asgjë të re.

Nëse asnjë nga romanet e shumtë në formë dialogu të shkruar në fillim të shekullit XIX-të nuk ka mbijetuar dhe nëse të gjitha këto tentativa kanë qenë braktisur shpejt, jo vetëm historia e letërsisë por edhe tërë poetika e romanit duhet të gjejë këtu lëndën për reflektim.

Po kush është atëherë narratori i romanit, që adopton moshën e një narratori personal ose, mbetet në të kundërt, një hije?

Ne kemi qenë të shtyrë për të shkatërruar analogjinë mes narratorit romanesk real sipas përditshmërisë.

Një tjetër analogji imponohet në vend të saj; narratori omnishent është analog me Zotin ,(ose Zotat) omnishent dhe i kudondodhur.

Narratori i romanit, nuk është as autori, as personazhi fiktiv dhe i afërm.

Pas kësaj maske është romani, që tregon vetveten, shpirtin e gjithë ditur dhe të kudondodhur, që krijon këtë univers.

Ai konstituon këtë univers të ri dhe unikal duke marrë dhe duke folur, duke evokuar vetveten me anë të fjalës së tij krijuese.

Është ai që krijon këtë univers dhe aty ai mund të jetë omnishent dhe omniprezent.

Narratori i romanit, është në term të qartë dhe analogjik,  “krijuesi mitik i universit.”

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Woooah, ma ne fund komunistet po bejne nje vleresim per nje nazist!
    Ndoshta tash do e kuptojne dallimin nder ta edhe germanet: germanet i vleresuan nazistet edhe i lejuan me vazhduar karrieren akademike, kurse ju i mbytet gjithe intelektualet per ‘kollaboracion’ kishe…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *