Shënime mbi librin “Një jetë në shtjellat e krijimtarisë” të Konstantin M.Lekës
Njeriut mund t’i qëllojë të ketë në dorë lloj-lloj librash me jetëshkrime interesante ku jetët aty të jenë të mbushura me mbresa dhe përjetime lumturish dhe vuajtjesh gjithëfarësh, por duhet të jenë fort të rrallë ata libra autobiografikë ku njeriu përshkruan jetën e tij të mundimshme dhe njëkohësisht të bukur, në të cilën fantazia e tij e rrallë i është bërë dhe zot dhe rob.
Një jetë të tillë shohim në librin e bukur të Kostandin Lekës me titull “Në shtjellat e krijimtarisë”, botim i OMSCA-1 dhe sistemuar në stendën e pasur të kësaj shtëpie botuese, në panairin e librit që është hapur këto ditë.
Pranoj që tek unë ky libër dhe ky autor sjellin ndjesi të veçanta që nuk mund të jenë për të tjerë, por nga interesi që pashë për librin dhe sidomos nga bisedat me disa nga miqtë e mij, pëlqimet e mia nuk janë edhe aq pjella të dasurisë dhe miqësisë time të vjetër me profesorin tim të shtrenjtë, Kostandin Lekën, i cili ndërroi jetë para pak muajsh, duke arritur, së paku, të shijojë kënaqësinë e botimit të librit të tij, që është pra një jetëshkrim i llojit që përmenda më sipër.
Kam qenë një nxënës i brishtë i shkollës teknike që mban sot emrin e Harry Fultzit, kur njoha profesor Koçin i cili ishte atëherë në vitet e para të përvojës pedagogjike. Nuk pata fat të marr prej tij mësime në lëndën e tij kryesore të fizikës, por përfshirja në grupin
amator të teatrit që drejtonte me pasion ai, më lidhi që atëherë e më bëri që për dekada të tëra të gëzoja më parë kujdestarinë e tij në hapat e mia të para në botën e artit, e më pas miqësinë e tij.
Profesori ynë ishte atëherë në lule të moshës, rrezatonte një mirësi në sjelljen dhe në marrëdhënien me njerëzit e sidomos me M. Lekës -nxënësit e shumtë që e shikonin këtë burrë shtatlartë të vinte në praktikë, me një zell të paparë, tërë dijet dhe kërkimet e tij
fantastike: qendrën e zërit, projeksionet, filmat, fotografitë. Ishte një shëmbull i gjallë në të vepruar e në të shpjeguarin praktik.
Kërkimet e tij vijuan më vonë në universitet, dhe në studiot e radios dhe televizionit. Shpjegimet e tij interesante u panë dhe u shtjelluan në auditore më prestigjoze, në katedra, ekrane, studio dhe ambiente brenda dhe jashtë vendit, aty ku e shpunë interesat e tij profesionale. Me kalimin e kohës ai u bë një autoritet shkencor tepër i njohur, ndërsa nuk rreshti së qëni një punëtor i palodhur me forca fizike të pashterrura, që nga laboratoret e deri në marshimet më këmbë, dhe endjet me kuaj e automjete nëpër tërë pejzazhet, ku e tërhiqnin interesat kërkimore të fotografimit dhe të videove
Janë të tëra në librin e tij të mrekullueshëm, të treguara aty me stilin e një mjeshtri. Profesor Leka tregon me endje, me humor dhe
me një ndjenjë të mahnitshme ritmi. Ai shkruan aq bukur sa të vjen vërtet shumë keq që na paskësh fshehur për aq kohë deri në vitet e fundit të jetës së tij një shkrimtar të klasit të parë. Në tre vite ai botoi po aq libra, njërin më të bukur se tjetrin, me një përzjerje të zhdërvjellët të shkencës, vuajtjeve, të dashurisë dhe kujdesit për familjen dhe studentët e tij. Këto pranira e udhëtime të lakmueshme nëpër viset e Europës të krijojnë përshtypjen sikur këtij kërkuesi të etur i janë shtruar qilimat e kuq përpara këmbëve. Përkundrazi! Në jetë sukseset bëhen burime drite dhe gëzimi, por ndërkohë, dhe më së shumti, janë edhe gjeneratorë të panumërt zilie, xhelozie dhe endës pengesash. Ajo që e bën me interesant librin është pikërisht dhe prurja e këtij sfondi politiko shoqëror, ku lufta e klasave shndërrohej kollaj në aleate të njerëzve me zili të ndezur. Në faqet e librit, pa tepërime, zenë vend vuajtjet intime të pandara, burgimet e njerëzve të afërt, konfiskimet e pasurisë së vënë me djersën e ballit dhe pastaj prania e vazhdueshme e një persekutimi të fshehur dhe të hapur. Nuk kishin se si t’i mungonin këto një njeriu me prejardhje të fisme, nga prindër të ndershëm, rritur në një mjedis të kulturuar që i pat injektuar pikërisht dëshirën për zgjerimin e kufijve të dijes në të gjitha fushat: filosofi, muzikë, letërsi, pikturë dhe shkencë.
Persekutimit ai i vuri përballë një talent të padiskutueshëm dhe imponues, që në raste të rralla bënte përjashtimin e detyruar nga
binarët e hekurt të trajtimit të njerëzve nga burrokracia fanatike komuniste e Enver Hoxhës. Janë aty! Janë që të gjitha aty, në këtë libër që unë me bindje them se lexuesit do të gjejnë kënaqësi në gjuhën e pasofistikuar të shkencës dhe teknologjisë, do të enden nëpër aventura të bukura pasionale në një botë krijimtarie të pasur. Veç të tjerash unë do t’ia rekomandoja këtë odhise fantazie çdo prindi, për t’ia shtyrë përpara syve fëmijëve të tyre, në këto kohëra kur televizioni, kinemaja dhe videogejmet e kanë nxjerrë pothuaj jashtë loje libërleximin, aty ku netëve përfytyrimet e lexuesve adoloshentë bashkoheshin me ato të prurat nga autori dhe ndikonin efektivisht shumë më tepër se sa “llokumi” i veprave të gatshme vizuale, që i shërbejnë përtacisë së mendjes dhe të thonë gjithëçka.
Nuk le dot pa vënë në dukje në realizimin e këtij libri, si edhe të dy të mëparshmëve, punën e kujdesëshme redaktoriale të poetes
së mirënjohur, Zhuljana Jorganxhi. Nga bisedat telefonike mes Nju Jorkut ku jetoj unë dhe Triestes ku mbylli jetën miku im i shtrenjtë, dilte qartë atributi dhe mirënjohja e profesor Koçit, që mjeshtra Zhuljana ishte bërë jo vetëm kujdestare e gjuhës dhe e
drejtshkrimit, por edhe ndihmësja dhe konsulentja e parë në kompozimin interesant të veprës. Redaktorja qëlloi lumturisht të ishte kunata e tij, motra e artistes së shquar, Rozmari Jorganxhi që tok me bashkëshortin e saj të shtrenjtë dhe me fëmijët që lindën e
rritën, e bënë familjen Leka një strehë të vërtetë krijimtarie të poezisë, të artit figurativ, të muzikës së kompozuar, të kantos dhe
të shkencës së gjallë dhe të magjishme.
PERGEZIME Z. PELLUMB.
ESHTE FISNIKERI TE SHKRUASH PER MESUESIT E PERKUSHTUAR, KUJTIMET E TE CILEVE TE PERCJKELLIN GJATE GJITHE JETES.
SI NJE ISHMESUES NJOH KENAQESINE E RASTEVE KUR NXENESIT E MI, KANE ARRITUR ME SHUME SE UNE. FALENDERIMI NE KETE RAST ESHTE RECIPROK DHE FISNIK.
Ju falenderoj nga zemra Zoti Pellumb per fjalet shume te ndjera e respekt qe i dedikuat babit tim. Edhe per mua ka qene idhull i jetes dhe i krijimtarise!
Pellumb Kulla? Nje emer qe nuk e shperdoroi kurre emrin e tij. Per kete meriton gjithe respektin.
I nderuar zoti Pellumb! Ju falenderojme per kete shkrim te shkruar me shume dashuri dhe profeionalizem per te ndriturin tone Kostandin Leka, i cili gjithmone ka patur nje vleresim dhe konsiderate te larte per ju dhe ju ka njohur qe kur ju ishit ende nxenes duke ju ndjekur familjarisht ne çdo shkalle te karrieres suaj te shkelqyer. Edhe Kostandini ju falenderon dhe ju bekon nga atje lart ku eshte ngjitur, po ashtu dhe ne si familje e tij. Mijera here faleminderit duke ju uruar shendet te plote familjarisht dhe si gjithmone pene te arte! Shume faleminderit dhe gazetes DITA qe mundesoi botimin e ketij shkrimi.
Zhuliana dhe familja e Kostandin Lekes: gruaja Rozmari (Jorganxhi), femijet Areti, Hektor dhe mbesa Dorina