Shënime për poezinë e Enkelejda Kondi Masseboeuf 

editor

Prof.As.Dr. Agron Agolli

Kur lexon librin poetik  të një krijuesi të anës tënde  ndjen një kënaqësi të dyfishtë së pari për të parë kush vjen dhe së dyti zërin që ka në realitetin e sotëm, si ofron të ardhmen, mbresat që ka për të shkuarën, idetë, mesazhet, bukurinë e vargut dhe të fjalës që kuvendon. Më interesant bëhet ky fakt sidomos kur autorin nuk e njeh e s’e ke parë asnjëherë, por ke dëgjuar nga të tjerët qofshin këta edhe njerëz të afërt të tij. Kështu ndodhi edhe me mua dhe babain e poetes tashmë të afirmuar Enkelejda Kondi.

Në rastin konkret do të theksoj se autorja eshtë vajza e Islam Kondit, një ish oficer me origjinë gjirokastrite dhe krijues i hershëm që shërbeu anembanë Shqipërisë deri sa pensioni e zuri në  qytetin e vogël të Maliqit. Atje në rrëzë të ca kodrave që valëzojnë në të dyja anët e luginës së lumit Devoll, rrahur nga ererat e Malit të Thatë, grykës së Cangonjit, fushës së Orman-Pojanit e maleve të krahinës së Gorës u lind e u rrit poetja jonë e ardhëshme, morën udhë vargjet e poezia që do të mbeten bashkëudhëtaret më të ngushta  e më të dashura të saj.

Nëpër rrugët e atij qyteti vajza me origjinë nga jugu ndjeu aromën e barit, cicërrimën e zogjve në dritare, shushurimën e gjetheve të qershisë mbi çati, lotin e hardhisë që dukej sikur qante çdo fund marsi, dëborën e parë kur zbardhte në vendlindje, njëherazi pa se diçka e brendëshme nisi të trazojë e mandej ngazëllejë shpirtin e brishtë të saj. Dhe kjo ishte poezia që do të rritej së bashku me të në gjimnaz, në shkollën e lartë e mandej në jetë deri atje  në Francën e largët ku banon.

Nga vargëzimet e para të rinisë së  hershme, ku  ka fituar edhe disa konkurse në nivel shkollash të mesme të qytetit të Korçës, lëvrimit të poezisë në rrethin letrar të Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, andej nga vinin edhe prindërit e saj, e deri tek botimi i librit të parë “Ëndërra e një vajze” më 2010, tegon se Enkelejda është kosekuente në rrugën e krijimtarisë, të vargut e këngës së saj, duke e hedhur  me sukse hapin e parë poetik. Duke ndjekur udhëtimin e saj poetik në vëllimet e tjera  me poezi si “Shtegëtim ndjenjash” 2011, “Loti është grua” 2012 dhe “Një vjeshtë pa ty” 2013, bindesh për poezinë në rritje, me simbole të thella poetike, ide dhe forma të kohës. Herë me vargje të rimuara e më së shumti me varg të lirë por gjithkund e pranishme e vërtetë, e kapshme për të tjerët u jep shkëlqim tingujve mahnitës që dalin nga zëmra e saj.

“Poezia është gjinia më e lartë e artit”- thotë Bjelinski dhe këtë gjë poetja e mban mirë parasysh me natyrën e hollë vrojtuese, thjeshtësinë e subjekteve të përzgjedhura, besnikërinë ndaj realitetit, koloritit të pasur figurativ, thelbin e çdo poezie e respektimin tërësisht të kritereve estetike të krijimtarisë. Duket që ajo ka një konceptim realist për atë që shkruan ndaj do ti japë jetë vargut, forcë e mendim të pastër, ta bëjë të gjallë e të dobishme,  me vlerë për lexuesit. Ja si shprehet tek poezia “Vargu im” : Të ledhatova vargu im /si nëna foshnjën/ Të përkëdhela netëve/ të këndova ditëve/ Të dhashë forcën, vargu im.

Krijimtaria poetike e Enkelejdës, ka shpirtin dhe fytyrën e saj dhe kjo na entusiazmon pasi dihet që  poezia mbart me vehte shpirtin e poetit që kërkon gjithmonë shtigje të paçelura, lartësi të reja, siç thotë vetë tek “Drejt lartësive”: “Mes ngjyrash, yjesh, limitesh, pafundësisë”, e larg cmirës, egoizmit, ligësisë e urrejtjes të ngejë folenë e dashurisë dhe të jetës së lumtur me atë që do. Ja ku do të jetojë poetesha jonë: te e qara e një foshnje, te një dritë e ndezur, pranë një dashurie të pastër, afër gonxhes së një luleje plot vesë, aty ku thuret e çel ëndërra e bardhë.

E rritur “me fëshfërimën e gjetheve të pemëve/ me ajrin që ëmbëlsisht ledhaton, ajo di të përzgjedhë dhe mbajë në zëmër bukuritë e vendlindjes e të atdheut për të cilët ndjen dashuri e mall dhe ndjenjë përgjegjësie për të ruajtur emrin dhe dinjitetin e tyre pasi vetëm në vendin e saj është me rrënjë e me krahë ndaj dhe thotë se nëse prisni fjalën time të fundit, do të ishte: “koka të më prehet në timin dhe”, në “Meditim”.

Mësimin e vyer të dijetarit të shquar Sami Frashëri se “Mendimet e larta gjenden në fjalët e shkurtra”e gjejmë të sintetizuar në mjaft poezi të Enkelejdës e sidomos tek “Mirmëngjesi Atdhe”, ku mezi pret që të prekë tokën, sigurinë dhe mallin e pashuar që ndjen saherë shkon e vjen si zogjtë shtegëtarë nga udhët e largëta e të vështira mërgimtare. Është atdheu, ky vend e kjo tokë që të jep forcë e ndikon aq shumë që mendimi yt poetik të udhëhiqet nga e vërteta se kështu bëhesh zot i vehtes, e jo skllav i çdo gjeje, pasi  nënështrimi i shpirtit sjell padyshim edhe paralizimin e natyrës krijuese.

Të bie në sy një veçori dalluese e poetes për t’i thënë e shkruar gjërat ashtu sikundër janë të thjeshta e të vërteta dhe që i drejtohen ngërgjegjes njerëzore, moralit të njeriut të virtytshëm ku kërkon që të zbulojë të bukurën, jetësoren nga merr shkëndijën poetike e  punon pastaj me vullnet e bindje. “Kam shkruar për prindërit e mi/ për jetën, buzëqeshjen, detin, lulet/ Kam shkruar dhe me lotë kam qarë/për lypsarin e varfër të rrugëve (tek “Pak naive”).

Sinqeriteti është një tipar i dukshëm i poezisë së Enkelejdës që vjen nga përjetimet emocionale të  fenomeneve, kënaqësive e brengave shpirtërore për të krijuar pastaj  realitete të reja plot ngjyra e optimizëm. Mesazhi i poetit tonë të madh kombëtar Lasgush Poradeci se “Poezia formëson shpirtin e një kombi”, është prezent në mjaft poezi të autores, të cilat të bëjnë për vete e krijojnë emocione të veçanta. Dhe kjo duket në të gjithë tematikën e larmishme që rrok harku poetik origjinal i vëllimeve të saj, ku natyrshëm lëviz pa ndrojtje edhe gjimnazistja e dikurshme edhe studentja edhe mësuesja edhe nëna shpirtdhëmshur.

Në poezinë e Enkelejdës jeta vjen në shumë këndvështrime falë formimit të saj intelektual dhe kualifikimeve të vazhdueshme profesionale jashtë vendit. “Loti është grua”, thotë ajo në një libër të tërë, stolia e shpirtit/ loti ka emër, loti ka zemër, lotët janë fjalët që zëmra  nuk mund t’i thotë, duke të futur me mjeshtëri në thellësitë e shpirtit nga buron ndjenja më fisnike njerëzore, dashuria, ndjesia për të dashur atë që kurrë s’e deshi  apo guximi për ta denancuar atë që e plagosi, për atë që nuk e di se fjala e keqe godet e vret si plumbi. Për dashurinë, këtë ndjenjë të bukur që është vlera e parë e njeriut të qytetëruar, dhe vazhdim i jetës njerëzore, autorja ka ëndërra të cilat mendjen ja mbajnë përherë zgjuar dhe e bëjnë që në momente të caktuara, të mos ketë lëkundje, mëdyshje e ekujvoke ndaj ileqarëve e të pabesëve. Braktisja, largimi në të tilla raste është gjithmonë i dhimbshëm ndaj ajo shkruan:

Ti ike dhe unë këngë s’i këndova më pranverës/ ti ike dhe unë mbylla portën e zëmrës/..mos u kthe më tek unë, më s’të pres (poezia “Ike”). Duhet thënë së nga 160 poezitë e vëllimeve të Enkelejdës, një vend të rënëdishëm zë tema e dashurisë, në themel të të cilës qëndrojnë cilësitë e shpirtit, të karakterit dhe vlerave intelektuale të poetes që e gjen truallin e poezisë së saj në zemrat e të gjithë njerëzve. “Një vjeshtë pa ty”, ndër më të arrirat poezi të autores ku lirizmi vjen si një shprehje e përjetimeve të brendëshme që u jep kujtimeve një kolorit të pasur figurativ duke u bërë kështu jeta dhe shpirti i çdo poezie, gjaku që qarkullon në trupin e strofave e të vargjeve.

Ja si vjen drithërima e metaforës në poezinë e cituar më lart ku thotë: Një vjeshtë pa ty sa e trishtuar/ m’u duk një vit, një vit i gjatë/ Në stolin bosh gjethembuluar/ ka mbetur vetëm një degë e thatë.  “Se s’dashuroja as unë, as ti po dashuronte dashuria”, do të shkruante Largushi i madh në rininë e tij lidhur me këtë ndjenjë  fisnike të prillit të moshës, i cili vjen njëherë në jetë, rri pak, ikën e s’kthehet më kurrë. Kjo e të tjera poezi me metrikë të rregullt, që synojnë të krijojnë të bukurën, më ofrojnë më pranë poetëve të njohur të kësaj treve, Vehbi Skënderit, Besim Shytit, Ramadan Dinoshit, Besnik Bedollarit, Ymer Nurkës, Petrit Braçes, Çelnik Petritit, Nexhip Bashllarit e sidomos liriko-baladikut të spikatur Koçi Petritit, në korin e të cilëve denjësisht ka zënë vendin e merituar edhe Enkelejda Kondi me forcën e zërit të saj që kërkon lartësi e largësi të reja poetike.

Krijuese këmbëngulëse, më zë kumbuesja e kësaj treve, duke na dhënë nga një libër për vit, me poezi të ndjera e me dritë të brendëshme, di t’u bëjë ballë dallgëve të jetës, dhe ecë nëpër vite me këmbët në tokë duke nxjerrë në pah trillin e saj poetik.  Edhe pse tani më mirë di të lëmojë vargjet, zgjedhë subjektet, shtojë imazhet, depërtojë në thellësi të gjërave, përsos veshjen poetike, shpirti i saj është i trazuar me gëzime, dhimbje, zjarre të brendëshme, në kërkim të më të mirës e më të bukurës siç ndodh natyrshëm me shpirtin real të një poeti. Atë e shqetëson fakti se çfarë do të lerë pas për vendin dhe popullin e saj.

Enkelejda, në krijimtarinë e saj, nuk kërkon ndere e lëvdata të pamerituara se e di shumë mirë që lavdia nuk shkon te ai që  e kërkon, por te ai që e meriton atë. Lexon krijimtarinë e autores nga Maliqi, që ngrihet mbi kufizimet e kohës, me filozofi konkrete, simbole e fantazi të gjallë, që nuk e zbukuron jetën por e paraqet atë siç është, me korektësi e saktësi  shprehjeje dhe të shkon mendja tek përcaktimi i të madhit Dritëro kur thoshte: “Poetët janë si anijet e bardha që vijnë e largohen tej në horizont dhe përsëri shfaqen të bukur dhe të mahnitshëm”.

Duke patur si model natyrën dhe udhërrëfyes të vërtetën, ajo mbetet një ndërgjegje e shqetësuar e kohës që jeton, aty dhe këtu/ me dy toka, pa tokë/ me dy atdhe, pa atdhe, duke e  kapërcyer atë me sukses dhe renditur pa frikë  me të ardhmen. Vëllimet me poezi të krijueses nga Maliqi i Korçës, të cilët  çojnë tek lexuesi botën e saj të hedhur në vargje, lartësinë e shpirtit dhe gjërësinë e mendjes, bukurinë e fjalës, që ofrojnë të vërtetën, duke flakur tutje çdo lloj gënjeshtre, janë njëherazi edhe përgjegjësi e detyrim për më shumë e më mirë në ecurinë e karrierës  poetike.

Jeton ajo poezi – thotë poeti i lirikave të pavdekshme Lasgush Poradeci, që ka e mbart në vetvete ide të mëdha, si atdheu, dashuria, besnikëria e miqësia, për të cilat poetesha e qytetit juglindor është shumë e ndjeshme dhe vigjilente. Ajo di ta çmojë mirësinë e kulturës franceze, ku fati e pruri që të punojë për vite të tëra atje, duke përkthyer e lënë në gjirin e saj të begatë tingëllimën e mbi 60 poezive dhe bashkë me to edhe emrin e mirë të trevës sonë, bukurinë e vendit që s’ta largon dot askush nga zëmra. Arkitektura e ndërtimit të librave me 4-6 cikle, zgjuarsia dhe finesa e përzgjedhjes së fjalëve që përbëjnë yllësinë poetike si: mali, pylli, lumi, vjeshta, dëbora, zogu, toka, dhembja, dashuria, flokët, buzët, sytë, loti, nëna, atdheu, vetmia, urrejtja, trishtimi, familja, brenga, mëngjezi, tregojnë kërkesat e larta të saj jo vetëm në aspektin e përpunimit të fjalëse por edhe në drejtim të paraqitjes teknike të librave.

Njohja, gjatë leximit, me një sërë shprehjesh të përdorura si, moj e bukura e dheut, mendja humbet në kujtime të kaluara, vdiq i miri dhe rron i ligu, gjysma e jote e heshtur më dhëmb, jam guri që kërkon rrënjën e vet, ti do mbetesh lot i patharë në cep të syrit, lejlekun s’do e presë më foleja e tij, puthjen e ndarjes larg e mora, në gjurmët e kohës lashë zërin tim, ia lidha fjongon flokëve të artë të vjeshtës, puthmë që qielli të shkëlqejë mes nesh, lermë të të shoh sytë e bukur etj, e bëjnë tërheqëse poezinë dhe rrisin më tej vlerën e autores.

Natyrisht Enkelejda ka botën e saj, gëzime e shqetësim, ulje e ngjitje, por në tërë këto 28 vite krijimtarie, ka ditur të ruajë të pastër e mbrojë me fanatizëm nga erozioni i kohës, prodhimin më fisnik të shpirtit dhe kjo nuk është pak. Së fundmi kur mbaron së lexuari librat e saj dhe ndjen si fryn nëpër ta flladi i këngëve popullore, gurgullimën e krojeve të vendlindjes që i ushqejnë këngën, aromën e viseve shqiptare ku ka shkelur këmba e saj, vizionin e qartë për të ardhmen, ndjehesh mirë e me të drejtë thua se Enkelejda është një ndër autoret më të denja të  brezit të saj, e cila meriton një vëmendje e vlerësim të veçantë.

Faleminderit Islam Kondi që duke më dhuruar librat e saj, më nxite të shkruaj e them diçka për poezinë e vajzës  suaj poete, vargjet e së cilës ia shtojnë blerimin e hijeshinë pemës së madhe të poezisë shqiptare.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Te lumte profesor. Me te vertete nje pershkrim i mahnitshem per Ledin, ashtu siç eshte vete ajo dhe poezia e saj. Suksese Ledit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *