Ndër veprat që ka lënë pas i ndjeri Ardian Klosi, është edhe libri “Katastrofa e Gërdecit”.
Pasazhi i mëposhtëm është shkëputur prej këtij libri:
“…U ndalëm më gjatë në pjesën e fundit tek “ata aty poshtë”, viktimat dhe familjarët e tyre. Më ka habitur tej mase mirësia e njerëzve që kam takuar, sinqeriteti, mikpritja. Askush nuk ka ndonjë hile a prapamendim në sjelljen e tij – sikurse kanë personazhet e pjesës së parë, “ata atje lart”.
Të gjithë që kanë punuar në Gërdec kanë qenë në skajin e mbijetesës, që kanë pranuar të punojnë në ato kushte. Shumica e viktimave janë prej familjesh të ardhura ose nga fshatrat e Martaneshit, ose të Gramshit, krahina me bukuri të rrallë, por sot të braktisura, njerëz të mësuar me punë të rëndë e të ndershme, që ranë në kurthin e pagesave të shpejta e gjoja të sigurta në një fushë të minuar.
Shumica e të vrarëve janë vajza të reja, me fëmijë të vegjël ose në djep, apo dhe prindër të moshuar që kërkojnë të mbajnë në shkollë fëmijët e tyre. Pastaj të mitur si Flavio Deliu e Erison Durdaj, ata që s’patën kurrfarë lidhjeje e dijenie për bizneset e Albademilit me Ministrinë e Mbrojtjes.
Për hir të kujtimit të tyre dhe barrës që i bie çdo njeriu të vetëdijshëm në Shqipëri për të mos i harruar dhe për të ndryshuar gjendjen e shtetit ku jetojmë, më mbetet vetëm të kujtoj në fund thënien e një gazetareje amerikane: bashkëpunëtorja kryesore në krimin e korrupsionit është indiferenca jonë…”
n.s. / dita