Gjeologu austriak, i atashuar pranë qeverisë shqiptare të kohës, sjell detaje të panjohura më parë për planet e afërta të ekzekutivit shqiptar në vitet ‚20
Ai thotë vetë diku se „autori i këtij reportazhi po kryen me kërkesë të të qeverisë shqiptare një kërkim gjeologjik të rajonit shtetëror shqiptar“. Por kjo lidhet thjesht dhe vetëm me punën e tij. Përtej saj, ai, si një njeri i pasionuar e rrëmues, regjistron në letër gjithçka që sheh, duke na përcjellë një material me shumë vlera dokumentare për një periudhë historike sa interesante, aq edhe të pazbardhur.
Ishte koha kur hidheshin themelet konkrete e të prekshme të shtetit të ri shqiptar, i cili pas afro 11 vjetëve „pavarësi kombëtare“, ishte hera e parë që po i jepej mundësia ta administronte këtë „aset“, për të cilin kishin derdhur gjak breza e breza të tërë. Ishte lënë prapa Lufta e Parë, sapo ishin „zgjidhur“ edhe çështjet kufitare me fqinjët që s’hiqnin kollaj dorë nga pretendimet territoriale dhe konfliktet e stisura, kishte më shumë se dy vjet që ishte pranuar me të drejta të plota, madje renditej tek shtetet themeluese të Lidhjes së Kombeve.
Por vendi kishte jashtëzakonisht shumë probleme, dhe ishte tejet i brishtë, dhe kryengritjet me karakter lokal, zienin. Gjithsesi, ato ishin shtypur me energji, siç vlerëson vetë autori, duke vënë në dukje apo aluduar për rolin e Ahmet Zogut, i cili duket se në këtë fazë, ishte në kohën kur falë një përzierje idealizmi dhe karrierizmi, po përmbushte me përpikmëri detyrat qeveritare që kishin lidhje me mbajtjen e rendit dhe rritjen e besimit publik tek qeveria shqiptare.
Reportazhi i gjeologut dhe gjeografit austriak (gjerman) për Shqipërinë, Ernst Novak (Noëack), botuar në faqet e revistës së Shoqërisë gjermane për Gjeografinë „Zeitschrift für Erdkunde“ në Berlin, në vitin 1923 ( nën titullin origjinal: „Reisebericht aus Albanien“, fq. 32-41) ofron shumë më tepër se kaq, duke na sjellë më pranë jo vetëm atmosferën e asaj kohe, por edhe një informacion shumë të detajuar mbi planet dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për të modernizuar shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Përtej përshkrimit që ai i rezervon shumë qyteteve e zonave ku shkel, kontributi i Novak renditet tek pionierët e hulumtuesve gjermanë për Shqipërinë, duke shënuar me hollësi mbresat nga udhëtimi i tij. Ajo që ai përcjell për publikun gjermanofon, nuk janë vetëm shënime udhëtimesh, siç kishin bërë shumë nga paararadhësit e tij, por një bazë e mirëfilltë të dhënash statistikore, të cilat janë përdorur në kohët që pasuan si një sfond i mirë për të bërë krahasime e nisur investime për shumë zona e qytete të Shqipërisë. Ai e shkel vendin e shqiptarëve dhe paraqitet një njohës i mirë i Ultësirës Perëndimore, Rivierës, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, gjithashtu edhe i krahinës së Korçës e Devollit, duke u zhvendosur më vonë në zonat veriore të Pukës e Mirditës, pa harruar sigurisht edhe Shqipërinë e Mesme. Njeh fort mirë realitet e djeshme e aktuale, situatën politike dhe trendet e zhvillimit. Cila ishte situata me transportin shqiptar pas Luftës së Parë botërore, po shërbimi i Postë Telegrafës?- Cila ishte gjendja e ushtrisë dhe e rendit në Shqipëri dhe çfarë po bëhej me arsimin. Këtu ia vlen madje të ndalemi për të vënë në dukje një fakt që ndoshta shfaqet për herë të parë: Një projekt, i cili siç dëshmoi historia, do të mbetej vetëm në letër për t’u bërë realitet shumë vonë: Universiteti i parë në Shqipëri, nuk do t‘a kishte qendrën në Tiranë, por në Vlorë, dhe për më tepër, ai do të ndërtohej me mbështetjen amerikane qysh në vitet njëzet të shekullit të shkuar. Projekti ishte në letër qysh në vitin e largët 1923. Të paktën kështu na dëshmon Ernst Novak.
Duke shmangur çështjet që i takojnë ekskluzivisht gjeografisë e gjeologjisë, të cilat përbëjnë një objekt studimi më vetë për rrethe të interesuarish, ia vlen të rendisim disa fragmente të shkëputura nga vlerësimet e pohimet e „udhëtarit“ Novak, të cilat nga pikëpamja aktuale publike, mund të kenë një interes të veçantë, pasi nuk janë botuar më parë.
* *
Shteti shqiptar, i cili pas luftimeve të suksesshme me Italinë (qershor deri shtator 1920) ka rifituar përfundimisht sovranitetitn e tij, qeveriset provizorisht nga një qeveri e njohur nga fuqitë e mëdha, në krye të së cilës gjenden katër burra si regjentë. Në krah të tyre gjendet një Këshill Ministror prej shtatë anëtarësh (Ministri për Luftën, i Jashtëm, i Brendshëm, i Financës, i Punëve publike dhe i Bujqësisë, i Drejtësisë dhe i Arsimit) nën përfaqësinë e Ministrit të Jashtëm. Vjeshtën e kaluar, qeveria ka kaluar shumë kriza. Që prej fillimit të vitit, gjendja është më e stabilizuar; një revolucion që shpërtheu në mars, që mori formë serioze veçanërisht në kryeqytetin e vendit, Tiranë, u shtyp me energji. Që prej asaj kohe, pushteti i vërtetë është në duart e Ministrit të ri e energjik të Brendshëm, iniciativa e të cilit, është për t‘u falenderuar, pasi ka sjellë qëndrueshmërinë e qeverisjes aktuale. Programi politik i kësaj qeverie është, me ndihmën e parlamentit të marrë vendimin në një kohë të përshtatshme përsa i përket çështjes së monarkisë (mbretit). Përsa i takon njësive administrative të brendshme, vendi ndahet në tetë prefektuara (Shkodra, Durrësi, Elbasani, Berati, Vlora, Gjirokastra dhe Korça), të cilat janë të ndara në nënprefektura dhe në krahina.
Huazimet „për hesap“ të shtetit
Rendi publik mbahet nga një trupë xhandarmërie e mirëdisiplinuar, oficerët e së cilës në kohën e luftës kanë shërbyer për austriakët. Për më tepër, në vend mbizotëron edhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Modernizimi i ushtrisë është rrugës për t’u marrë në dorë nga një ish-oficer me përvojë i Ushtrisë austro-hungareze. Gjatë fundit të të shkuar, qeveria ka rekrutuar shumë të huaj në shërbimin shtetëror. Kështu, Ministria e Punëve Publike ka huazuar 15 inxhinierë nga Italia dhe Austria (pjesa gjermane), të cilët para së gjithash kanë për detyrë, të përmirësojnë kushtet e këqija të transportit në vend. Në çështjet e mësimdhënies, vlen për t‘u theksuar hapja e shkollave profesionale; kështu kohët e fundit është hapur një shkollë profesionale për bujqësinë; ndërkohë që janë planifikuar edhe dy të tjera; në Tiranë është themeluar nga ana e „Kryqit të Kuq Amerikan“ një shkollë për tregtinë, e cila duhet të merret përsipër tashmë nga shteti. Për më vonë janë planifikuar dy shkolla me konvikt në Shkodër dhe në Elbasan.
Vlora, me universitet amerikan, qysh në 1923
Edhe projekti i një universiteti kombëtar në Vlorë, i cili në pjesën më të madhe do të mbështetet nga ana amerikane, ndodhet tashmë në një stad të avancuar. Në një gjëndje të dëshpëruar është sistemi monetar. Menaxhimi shtetëror financiar është i bazuar në pagesën me flori (franka ari), pasi nuk eksiston një institut shtetëror monetar dhe as ndonjë ndërmarrje bankare në Shqipëri; si rezultat i këtyrë qarkullojnë më së shumti kartëmonedha italiane dhe pas tyre, kartëmonedhat greke, monedha prej ari dhe argjendi të shumicës së shteteve europianojugore; veçanërisht në kryeqytetin Tiranë, në qarkullim janë vetëm koronat e argjendta austriake, të cilat deri më tani përbëjnë edhe monëdhën më të përhapur. Përsa i përket krijmit të një valute vendase, tashmë po bëhen ndërmjetësimet e nevojshme me institucione bankare të huaja.
Përmirësim i transportit pas luftës
Transporti në Shqipëri është përmirësuar shumë pas përfundimit të luftës, megjithëse shumica e investimeve për transport (para së gjithash urat) janë shkatërruar sërish ose janë të papërdorshme. Në zonat në veri të Semanit, në Devoll, apo në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe atë jugore, janë ende edhe sot vetëm rruga e Shëngjinit (Lezhë), si dhe rruga nga Durrësi për në Tiranë e kalueshme për automjetet. Pas vendosjes së një ure të vogël në një kohë shumë të shkurtër, mund të bëhet e kalueshme për automjetet edhe rruga e ndërtuar nga trupat austriake Lezhë – Tiranë ( e cila në Vorë i shtohet rrugës Durrës-Tiranë). Shumë më mirë duket se janë mjetet e transportit të ndërtuara gjatë pushtimit italian, në jugun e Shqipërisë. Kështu, prej tyre është ndërtuar rruga automobilistike nga Vlora në Llogara (1060 m) drejt Himarës e Porto Palermos deri në Sarandë; megjithëse rruga edhe sot është e ndërprerë disa herë për shkak të shkarjeve të dheut. Përfundimisht të çon një rrugë në gjendje shumë të mirë nga Vlora për në veri, drejt Vjosës dhe Fierit. Me anë të tyre rrugët në jug të Shqipërisë lidhen me rrugë që janë në gjendje shumë të mirë. Trafik të vazhdueshëm ka në rrugët midis qyteteve Durrës dhe Tiranë, ndërmjet portit të Shëngjinit dhe Shkodrës, më tutje midis Vlorës-Gjirokastrës-Sarandës nga njëra anë, dhe nga ana tjertër, Korçës dhe Pogradecit. Mjeti kryesor i transportit mbeten kafshët transportuese dhe ato për kalërim.
Transporti ujor
Transporti ujor me jashtë shtetit deri tani ka qënë tërësisht në duart e anijeve italiane dhe njëherë në javë vjen një avullore e „Lloyd“ (dikur Lloyd-i austriak) nga dhe drejt Triestes; ajo udhëton në Portet e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Më tutje udhëtimi përplotësohet nga dy avullore të shoqërisë së anijeve nga „Pulia“ në Bari, që sigurojnë transportin me Brindizin apo Barin; këto dy avullore transportojnë deri më tani të gjithë postën me jashtë shtetit. Së shpejti do të hiqen zyrat postare italiane në Durrës dhe në Vlorë dhe shërbimin postar do ta realizojnë anijet jugosllave. Rrjeti telefonik dhe telegrafik ka pësuar nga lufta një shkatërrim domethënës. Të gjithë qytetet dhe selitë e nënprefekturave si dhe stacionet e postave të Krahinave dhe Xhandarmërisë, janë të pajisuara me lidhje telefonike dhe telegrafike.
Vlora, rrethi më i pasur në Shqipëri
Rrethi i Vlorës duhet të jetë edhe rrethi më i pasur në Shqipëri.
Disa pronarë të mëdhenj tokash kanë filluar tashmë të punojnë me mjete moderne dhe të plugojnë tokën me mjete motorike; gjithsesi mbeten tentativat e para të këtij lloji. Nga të gjithë rrethet e tjerë, Vlora dallohet veçanërisht nga sistemi më i mirë i transportit., i cili gjatë luftës u ngrit nga italianët. Edhe përsa i përket tregtisë, Vlora mban vendin e parë. Një paradoks shumë të madh të ofron rajoni i poshtëm i Himarës, i ashtuquajtur „riviera shqiptare“. Një bregdet shkëmbor .., i pasur me kaçube. Malet më së shumti të zhveshura, pa zhvillim, si vijimësi e zonave të mëdha karstike.
Megjithatë si në të gjitha zonat e Shqipërisë, edhe këtu rritja e gjedhit ofron burimin kryesor të ushqimit. Fshatrat që shtrihen buzë bregdetit (Himara, Vunoi, Drimadha, Palasa) i afrohen me pamjen e tyre nga arkitektura e mënyra e ndërtimit, bregdetit dalmat apo atij italian; Një pamje të mërzitshme, ndonjëherë romantike të ofrojnë fshatrat të banuar nga shqiptarët në brendësi të vendit. Pa përjashtim, ato janë djegur të gjitha nga grekët gjatë sulmit grek më 1912 në mënyrë vandale dhe të vazhdueshme deri në shtëpinë e fundit.
Berati, peisazhi më i bukur
Berati, për nga peisazhi, qyteti më i bukur në Shqipëri, vendndodhja e të cilit shtrihet në derdhjen brigjet e Osumit …
Korça, aromë europiane
Rrugës për në Korçë lartësohet një mal i lartë… Mënyra e ndërtimit të
shtëpive ndryshon këtu nga pjesa tjetër që kam hasur në Shqipëri. Mure të punuara me mjeshtri, pjesërisht prej druri dhe dritare me madhësi normale, trazojnë këtu kakarterin romantik të errët të shtëpive të gurta shqiptare. Edhe veshjet e popullsisë në Korçë, sa vijnë bëhen më pak origjinale. Mund të shohësh rroba europiane dhe qeleshja është zëvendësuar shpeshherë nga kapelja. Pjesa më e madhe e popullsisë ka qënë jashtë shtetit, veçanërisht në Amerikë, dhe disa kanë marrë prej aty si veshjet, ashtu edhe zakonet; në të gjithë rrethinat e Korçës mund të kuptohesh me njerëzit me anë të anglishtes.
Qyteti i Korçës vetë, nuk ka asnjë peisazh ndjellës dhe as një karakter origjinal; dhe dallohet nga të gjitha qytetet shqiptare si qyteti i vetëm me ndikim më të madh të huaj; për t‘u theksuar vlen fakti që banorët kanë një kulturë të lartë qytetare.
Korça do t‘i nënshtrohej shumë shpejt një zhvillimi shumë të madh industrial e të kthehej në një qendër për mbarë vendin, si askush nga qytetet e tjera shqiptare, sapo të posedoheshin mjete moderne transporti dhe të viheshin në dispozicion të këmbimeve me Maqedoninë e Greqinë.
* *
Austriaku Novak, gjeologu i parë „shqiptar“
E meriton këtë cilësim, pasi, sikurse edhe shumë kolegë të tjerë nga fusha të ndryshme, ai kishte ardhur të punonte pranë Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësise, duke hyrë në historinë e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si personi i parë që realizoi një punim të mirëfilltë rreth pasurive minerare të Shqipërisë. Objektivi primar, ishte të zbulonte vendburimet e naftës dhe pa shtatë vitesh punë intensive paraqet me sukses hartën e parë gjeologjike të Shqipërisë, e cila përmbante zonat naftëmbajtëse në zonën Vlorë-Berat, si dhe pasuritë nëntokesore e minerare në zonën Puke-Mirditë. Ajo u publikua në Salcburg më 1929. Me veprën e tij, ai i tregoi botës se Shqipëria ishte një vend „i pasur“, por megjithë përpjekjen dhe dëshirën e tij e të shumicës së shqiptarëve, fatkeqësisht ajo mbeti e tillë vetëm nëntokë.