Shënimet… histerike të Surroit

redaktor

Nga Baudin Murati

 

Historinë e bëjnë aktorët e saj dhe jo shkarravitësit e letrave historike. Këta të fundit duke ripërtypur faqet e historisë, përftojnë sekrecione që prodhojnë mutacione historike. Në këtë kontekst dhe me këtë ndjesi e përjetova leximin e librit “Këmbët e Gjarprit” të Veton Surroit

Me një urrejtje patologjike dhe uri vampirjane, autori i shënimeve gjarprore tejkalon edhe sensin e masës së imagjinatës njerëzore duke u bazuar në abstraksionin histerik për mohimin e së vërtetës historike. Produkti i një mbetjeje shpirtërore e fermentuar nga tharmi i shpirtligësisë.

Duke përzgjedhur për titull libri simbolikën, më neveritëse dhe duke na shitur “guximin” si një heretik, autori në të vërtetë ekspozon para lexuesit materien e tij shpirtërore, deri tani bukur mirë e kamufluar me imazhin e një predikuesi të çështjes së Kosovës. Për fatin e tij të keq, shënimet heretike lexohen dhe nënkuptohen si shënime HISTERIKE.

Me një oreks hipopotami, autori i shënimeve histerike, mundohet të përpijë një nga faqet më të lavdishme të historisë së popullit të Kosovës në luftën çlirimtare. Duke u përpjekur të njollosë dhe nxijë periudhën “Hashimjane” (siç e quan ai) të luftës dhe pas luftës së Kosovës, autori pështyn me helmin e gjarprit të vërtetë mbi gjakun e dëshmorëve të lirisë.

Nëse i rikthehemi kujtesës dhe rilexojmë përkufizimet e portretizimet që ka bërë S.Milosheviçi për UÇK-në dhe Hashim Thaçin, ata i gjen të përkthyera nga serbisht në shqip dhe të sistemuara fjalë për fjalë në librin me shënimet histerike. Pak a shumë në këtë linjë përkufizuese kanë qenë dhe vlerësimet e I.Rugovës.

Në librin e tij (gjithmonë sipas optikës sime) autori synon të realizojë disa objektiva tunduese dhe turbulluese për opinionin kosovar. Ato janë shumëplanëshe dhe helmuese. Është sinteza e gjithë produktit propagandistik që shpërndan në opinionin ndërkombëtar, politika serbe duke etiketuar UÇK-në si një organizatë terroriste dhe udhëheqësit e saj si kriminelë.

Pos të tjerave, autori i shënimeve histerike siç vetë prezanton në libër, synon me djallëzi të pastrojë vetveten duke mos ju shmangur dot xhelozisë së theksuar ndaj arritjeve historike të UÇK-së, ai shpreh mellefin e papërmbajtur për dështimin e turpshëm të “Orës” në raport me vullnetin e popullit të Kosovës. Ka frikën e analizës dhe hetimeve për përfituesit e fondit 3% të solidaritetit e mbi të gjitha është sindromi, se në një rast të mundshëm të daljes në dritë të dokumentave kompromentuese për të prezantuarit si “luftëtarë” të çështjes së Kosovës, zbardhen skenat e qëndrimeve indiferente dhe pajtuese me gjenocidin dhe krimin serbomadh të ushtruar në Kosovë.

Veton Surroi në shënimet e tij histerike, gjen momentin të nxjerrë në dritë librin “Këmbët e Gjarprit”, mbasi Kosova është shpallur shtet i pavarur, demokratik dhe i njohur nga 120 shtete të botës. Çlirimi i Kosovës është arritur në sajë të organizimit të luftës së armatosur dhe mbështetjes mbarë popullore kosovare e kombëtare pas një periudhe 10 vjeçare të turpshme, shterpë, të mashtrimit, gënjeshtrës dhe diversionit për të frenuar organizmin e revoltës nacionale të shqiptarëve të Kosovës kundra dhunës, terrorit dhe genocidit sërbomadh, nëpërmjet fabrikimit të “Luftës Orale” organizuar dhe drejtuar nga I.Rugova me bashkëpunëtorët e tij.

“Lufta orale” e tipit Gandisto-Budist, i erdhi në ndihmë Millosheviçit në momentin më kritik përballë kushteve shumë të vështira politike, social-ekonomike brenda ish Jugosllavisë.

Mungesa në buxhet për të sponsorizuar luftën në Slloveni, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, e detyroi S.Millosheviçin të tërhiqte nga Kosova të gjitha fondet buxhetore të destinuara për administratën publike, arsimin, shëndetësinë, shërbimet sociale, investimet etje, një pjesë të së cilave i mori si duket përsipër I.Rugova për t’i mbuluar nga fondet e “solidaritetit” nëpërmjet ngritjes të ashtëquajtura “struktura paralele” të menaxhuar nga Presidenca legale në Prishtinë dhe Qeveria “ilegale” në egzil.

Sigurisht para arritjeve historike të UÇK-së trimat e “luftës orale” dhe të filozofisë Gando-Budiste nuk mund ta ndjejnë veten rehat. Meqënëse baruti i tyre doli i lagur dhe në sytë e opinionit, u vetë emërtuan, burracak e burra të “çitjaneve” sepse çlirimin e Kosovës e vështruan nën avujt e alkoolit nga dritaret e “Hotel Grand”, ndaj “heroizmat” e tyre para dhe pas çlirimit të Kosovës do t’i shpalosin vetëm duke hedhur baltë dhe helmin e gjarpërit të vërtetë mbi UÇK-në dhe drejtuesve të saj politikë dhe ushtarakë.

Ushtarët e UÇK nuk ishin cuba dhe banda kusarësh siç ka dëshirën t’i etiketojë “guzhinieri” i “luftës orale”. Historia e luftëtarëve për çlirmin e Kosovës, nuk është histori folklorike siç edhe përpiqet të anatemojë autori i shënimeve histerike. Ata nuk morën armët për të plaçkitur dhe terrorizuar popullin e vet. Një pjesë e tyre u vra në luftë përballë armikut. Populli u dha bukë e strehë, i motivoi dhe ushqeu me dashuri për atdheun dhe urrejtje për armikun. Në këtë kontekst nuk ka pse t’ju verbojë xhelozia për këngët që populli i Kosovës i këndon UÇK-së, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Tahir Sinanit etj. Nuk është faj i popullit që e ndjen për turp, t’u thurë këngë burrave të “çitjaneve”.

Nga sa kuptohet, autorit i rëndon në shpirt, vlerësimi mbarëkombëtar i legjendës kosovare Adem Jashari. Lufta e taborëve të Millosheviçit me fisin Jashari tronditi gjithë botën e cila më në fund kuptoi, gjenezën kriminale shekullore të shovinizmit sërbomadh ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndaj fëmijëve, grave, pleqve etj.

Nga ana tjetër, nuk është faji i Thaçit pse akrepat e “orës” së Veton Surroit ngelen në vend, edhe pse në ndihmë të saj ai investoi kapitalin financiar, Vizionin “intelektual”, Kohën etj por përkundër kësaj, gaboi me Hapësirën. Dhe kur gjërat nuk shtrihen drejt, në kohë dhe hapësirë, rezultati është negativ.

Xhelozia Kanunore për arritjet historike të UÇK-së gjatë luftës çlirimare të Kosovës dhe sukseset e përtej imagjinatës, për krijimin dhe konsolidimin e shtetit më të ri europian brenda vetëm njëdekade, partizanëve të “luftës orale” sigurisht u shkakton dhimbje dhe trauma psiqike. Shpirtërat e tyre të mbushura me urrejtje kundra fitimtarëve të paqes dhe lirisë nuk do të reshtin  edhe në të ardhmen për të ndaluar valavitjen  e flamurit Kombëtar, sepse: “Gjarpëri i vërtetë fle nën gur, kur zgjohet nga gjumi pështyn mbi flamur”!

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *