Shenjat dalluese të rritjes dhe rënies së sheqerit në gjak

Pranvera Kola

 

Si rritja e nivelit të sheqerit në gjak, po ashtu edhe rënia nën normat e lejuara të tij, mund të bëhet mjaft e rrezikshme për shëndetin.

Neglizhenca e marrjes së ndihmës së duhur mjekësore në kohë ka bërë që shumë pacientë të përballen me ndërlikime të shumta të shkaktuara nga këto dy sëmundje, që në gjuhën mjekësore njihen si: hiperglicemia (rritja e nivelit të sheqerit në gjak), si dhe hipoglicemia (që ka të bëjë me rënien e nivelit të sheqerit në gjak).

Për t’u ardhur në ndihmë personave që rrezikojnë nga këto dy sëmundje, autoritetet e shëndetit publik tregojnë shenjat dalluese për të cilat duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl.

Hipoglicemia
Sikundër e përshkruam edhe më lart, hipoglicemia ka të bëjë me rënien e nivelit të sheqerit në gjak tej normave të lejuara (vlera më të ulëta se sa 70 mg/dl).

Kjo rënie mund të ndodhë për një sërë arsyesh që kanë të bëjnë kryesisht me mosngrenien e vakteve të duhura, përdorimin e tepërt të insulinës, të qenit më tepër aktiv se sa zakonisht, marrjen e mjekimeve që shtojnë prodhimin e insulinës, apo edhe nga pirja e alkoolit esëll të pa shoqëruar me ushqim.

Sa i takon simptomave, autoritetet e ISHP-së thonë se nisja e të dridhurave të papritura, rrahjet e shpejta të zemrës, djersitja e shtuar, turbullimi i shikimit janë ndër shenjat karakteristike të rënies së sheqerit në gjak. Po ashtu edhe ankthi është një tjetër shenjë e dukshme që tregon se nivelet e sheqerit po ulen tej normave të përcaktuara. Gjithashtu pacienti manifeston edhe ndjesinë e vazhdueshme të urisë, shfaq dhimbje të shpeshta koke, ndihet i lodhur dhe i dobët.

Në rastet kur hipoglicemia është e thellë, ajo mund të shkaktojë humbje ndjenjash dhe deri në dëmtime të pakthyeshme të trurit. Ndërkohë sa i përket dëmeve afatgjata, si rezultat i hipoglicemive të shpeshta, rreziku më i lartë është për sëmundjet kardiovaskulare (dëmtimin e zemrës dhe të enëve të gjakut).

Si duhet të veproni në këto raste
Përkundrejt kësaj situate mjekët rekomandojnë që të ndërhyhet menjëherë në normalizimin e vlerave të sheqerit në gjak. Kështu, për të shmangur pasojat e rënda, duhet që të ndërhyni menjëherë me matjen e nivelit të sheqerit në gjak.

Pasi të kryeni këtë veprim, rekomandohet që të konsumoni 2-3 karamele me sheqer, apo të pini 120 ml lëng frutash. Pas disa minutash duhet të bëni sërish një tjetër matje të nivelit të sheqerit në gjak, për të ndryshimin nëse është normalizuar gjendja. Situata fillon të përmirësohet brenda pesë minutave, por përmirësimi i plotë mund të arrihet edhe pas 20 minutash.

Nëse edhe pas përpjekjes së dytë sheqeri vazhdon të jetë <70 mg/dl duhet të kërkoni ndihmën e mjekut ose të paraqitemi në qendrën më të afërt shëndetësore për ndihmë mjekësore. Më tej pacienti duhet të kryejë një kontroll të plotë të organizmit për të përcaktuar shkakun e vërtetë të hipoglicemisë (sidomos në personat që shfaqet për herë të parë).

Konsultat me mjekun endokrinolog do të përcaktojnë edhe mënyrën e duhur të ushqyerjes, si edhe aktivitetin fizik të domosdoshëm që duhet të ndiqni. Pacientët me diabet janë më të rrezikuarit nga rritja e vlerave të sheqerit në gjak.

Hiperglicemia
Duhet të dyshoni për hiperglicemi (rritje të nivelit të sheqerit në gjak), kur vëreni praninë e shenjave të tilla dalluese si: keni etje të shtuar, urinim të shpeshtë, lëkurë të thatë.

Sinjale të tjera që tregojnë se niveli i sheqerit në gjak po rritet janë edhe uria që mund të ndjeni gjatë gjithë kohës, ndjesia e lodhjes dhe përgjumjes së pashpjegueshme, turbullimet në shikim, si dhe vështirësitë që mund të paraqesin plagët në shërim.

“Nëse keni ndonjë nga këto shenja dalluese duhet të masni menjëherë nivelin e sheqerit në gjak, si dhe të konsultoheni me mjekun tuaj se si duhet të veproni për të normalizuar vlerat e tij.

Në asnjë rast nuk duhet të lini që këto gjendje të kalojnë vetë, pasi dëmet që mund të sjellin më pas janë të shumta”, vënë në dukje specialistët e shëndetit publik.

Ndjekja e një diete me sasi të larta të karbohidrateve, mosmarrja e mjekive të duhura të diabetit, si dhe sëmundje të ndryshme mund të jenë shkak për rritjen e vlerave të sheqerit në gjak. Ndërlikimet që shfaqen nëse kjo gjendje nuk trajtohet në kohë janë të shumta, pasi  shkaktojnë dëmtime të rënda në shumë organe e sisteme, sidomos në nervat dhe në enët e gjakut.

Shenjat dalluese të hiperglicemisë
Etje e shtuar
Urinim i shpeshtë
Lëkurë e thatë
Uri e shtuar
Lodhje dhe përgjumje
Shikim i turbullt
Shfaqje e plagëve që shërohen me vështirësi

Shenjat dalluese të hipoglicemisë
Të dridhura
Rrahje të shpeshta të zemrës
Djersitje e shtuar
Ankth
Shikim i turbullt
Ndjeheni i uritur
Dhimbje koke, dobësi dhe lodhje

 

p.k/dita 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *