Projekti “Shenjat e Kujtesës: Për një qytetet të vizitueshëm pa udhërrëfyes”, mblodhi në Durrës akademikë studiues, arkeologë, historianë dhe specialistë të kulturës.
“Shenjat e Kujtesës” përmban dëshmi mbi historinë mijëra vjeçare të qytetit të Durrësit, të ndarë në epoka të ndryshme, identifikimin e personaliteteve, duke nisur nga miti i mbretit Epidam, Monun, roli i Shën Palit, i Cesarit; peshkopi i parë i Durrësit, hartat “gjermane”, figura e Jan Kukuzelit, beteja e perandorit Jul Çezar, perandori durrsak Anastas, rruga “Egnatia”, arkitektura e Amfiteatrit, muri bizantin, si dhe pikëpyetjet mbi tezat nëse ka pasur universitet në Durrës, apo ekzistenca e një shtypshkronje në kohën kur Gjon Buzuku punoi “Mesharin”, ngjarjet e mesjetës, e deri në ditët e sotme me rrëfime të rralla, etj.
“Shenjat e kujtesës” është një projekt që ka për qëllim jo aq për të bërë të panjohuren të njohur sesa te bëjë të dukshme të padukshmen, të nxjerrë në dritë mijëvjeçarët e qytetërimit të Durrësit, përmes identifikimit të ngjarjeve, vendeve e personaliteteve që lidhen me të.
I prezantuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, projekti konsiderohet arkiva më e madhe e vlerave historike dhe kulturore në shekuj të qytetit të Durrësit. Paraqitja e studimit u kthye në një bashkëbisedim kulturor-qytetar mes të pranishmëve, përfaqësues të njohur të bashkësisë intelektuale të Durrësit, si dr. Hasan Ulqinin, prof. dr. Hajredin Isufin, prof. asoc. dr. Lida Mirajn, etj.
Projekti është hartuar nën drejtimin e akad. Shaban Sinanit (Akademia e Shkencave), me një skuadër dijetarësh të disa fushave, si prof. dr. Irakli Koçollari (Akademia e Shkencave), prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi (Akademia e Shkencave) dhe dr. Arian Leka (Akademia e Studimeve Albanologjike) të cilët prezantuan të gjitha faktet historike dhe mënyrën si do të realizohet ky projekt i rëndësishëm.
E pranishme znj. Emiriana Sako, kryetare e bashkisë së Durrësit, e cila, në fjalën e saj të hapjes, theksoi rëndësinë e certifikimit të trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të qytetit prej fillimeve deri në kohët e sotme, jo vetëm për të përuruar pasuritë e saj në listat kombëtare e ndërkombëtare, por edhe për të nxitur turizmin kulturor, fetar dhe historik.
“Unë e konsideroj këtë takim tonin si një rast këshillimi me njerëzit e ekspertizës, këtu në Durrës e nga kryeqyteti. Me projektin “Shenjat e kujtesës” ne duam t’i kthejmë Durrësit atë që i takon: pamjen e një metropoli, që e fitoi dhe e ruajti në rrjedhë të shekujve, duke dëshmuar cilësinë europiane të qytetërimit tonë”, theksoi Sako, e cila shtoi se ky projekt përputhet me direktivën e BE-së për të certifikuar historinë e traditën, qe ne rastin e qytetit të Durrësit “na bën të ndjehemi krenarë e të mburremi”.
