Sulmuesi argjentinas zgjohet pas sfidave të fundit nën ritëm, shënon dhe kthen te fitorja Barcelonën.
Skuadra katalunjase mundi 2-1 Atletikon e Bilbaos, duke larguar hijet e krizës që sollën eliminimin nga Liga e Kampioneve dhe humbjen në finalen e Kupës së Mbretit.
Por për t’u kthyer te suksesi, Barcelonës iu desh të vuante. Pas pjesë së parë të mbyllur pa gola, është Aduriz ai që vendos heshtjen në “Kamp Nou”.
Avantazhi i skuadrës baske prish humorin e tifozëve vendas.
Kjo gjendje zgjat deri në minutën e 72-të, kur Pedro do të barazonte shifrat.
Merr zemër Barcelona, që dy minuta më pas përmbys shifrat.
Lionel Mesi kthehet serish në protagonist, duke vulosur fitoren e skuadrës së tij.
Kjo ishte përgjigja më e mirë e sulmuesit argjentinas, në qendër të kritikave javët e fundit.
Sukses i rëndësishëm për moralin e Barcelonës, që në pritje të Realit të Madridit me një ndeshje më pak, mund të shijojë përkohësisht vendin e dytë në renditjen e kampionatit spanjoll.
