Pak ditë më parë u rishfaq drama ‘’Shërbëtoret’’ në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’.
Vepra e përzgjedhur nga Kiço Londo vjen nga një autor i fuqishëm si Jean Genet(Zhan Zhenet) në sallën Goethe të Teatrit Eksperimental. Ajo mbahet ndryshe edhe si kryevepra e Jean Genet që flet për dramën e të rinjve të ndodhur në krizën e modernitetit, ku shpërfaqen probleme të mprehta sociale me identitetin e njerëzve, krizën e vlerave moderne si dhe krizën e formimit të karaktereve njerëzorë. Ai ka qenë novelist francez, aktivist në politikë, eseist dhe dramaturg.
Skenografia e veçantë nga Oligerta Mehmetaj i dha kësaj shfaqjeje gjërat e thjeshta, të përditshme, ato gjëra që më shumë se të përditshme japin kuptimin e femrës.
Tiparet e sallës Goethe i përplotësonin drurin, improvizimin e garderobës, kuzhinës apo dyerve korridoreve, një shtrat që mund të ishte dhe burg, dhe një burg që mund të ishte dhe shtëpi. Shtëpi e rrethuar nga artdashësit nga afër, dhe një sallë të vogël midis artdashësve. Tek-tuk ndonjë orë, ndonjë pasqyrë, ndonjë kënd i gurtë simbolikisht sillte më fortë pasqyrën e femrës në rolet e shfaqjes.
Po cfarë kishte kjo shfaqje që ndryshe quhet kryevepër, cfarë kryevepre fshihte autori në kompleksitetin e vet?
Një nga problemet themelore të sjelljes së njeriut është egoizmi që në shumë forma kthehet në sadizëm(sundim). Po nuk është vetëm ky problem. Problemi qenësor është se nga momenti i lindjes së frikës së njeriut lindin një zinxhir pasojash që shprehen me dhunë, poshtërim sa nënshtrim, urrejtje sa dhe lakmi, dëshira sa dhe impulse të zjarrta për të qenë.
‘’Aty ku flet e pavetëdijshmja, njeriu nuk egziston’’shprehet Michel Foucalt
Në luftën e vetvetes për të qenë e dashuruar në vetvete ishte vetëm një personazh, po ky personazh shumëzohesh për tre. Kishte dy anë, shërbëtore dhe pronarë, mazohistë që ringriheshin si sadiste dhe sadiste që kishin frikë si mozahiste. Lufta për të hequr frikën kishte shpallur dhunë në ecejeket e orëve të interpretimit, lufta për të shprehur dhunën.
‘’Sadisti ka nevojë për personin mbi të cilin të ushtrojë sundimin e tij dhe për këtë ka nevojë të madhe, sepse ndjenja e tij e forcës e ka rrënjën pikërisht në faktin që është sundues i dikujt… nuk mund të jetojë pa atë, ose pa dikë që ai e ndjen si një instrument të pafuqishëm në duart e veta… në realitet i ’dashuron’ sepse i sundon. I lidh përmes gjërash materiale, lajkash, protestash dashurie, me mendjemadhësinë e shpirtit dhe shkëlqimin, ose duke treguar përkujdesje. Mund t’u japë të gjitha, të gjitha, përveçse një gjëje: të drejtën për të qënë të lirë dhe të pavarur.’’ Erich Fromm
Ato donin dhe urrenin, që të trija, vetëm se dhuna ishte e formave të ndryshme ashtu si dhe dashuria, sa dëshira për të qenë vetvetja, vetvetja shprehesh në zëvendësimin e tjetrit, në një pseudoun. Këtu narativa zgjerohet, kompleksiteti i pseudounit mazohist të shërbëtoreve i mbivendosej një çrregullim personaliteti i tyre për t’u shprehur me fuqinë e zonjave, ato duhet të futeshin nën lëkurën e saj, në pushtetin dhe hallet e saj, në frikën e saj, nën fustaneve shumëngjyreshe, ecejakeve, krevatit, luleve e deri tek cigaret, çaji që pinte zonja, pra në gjithë ritualet e zonjës së parë të familjes, për të urryer atë që dashurojnë, për të marrë pushtet me dhunë nga ajo dashuri e humbur dhe e përulur. Nën petkun e fustaneve fshihen drama e dy qenieve të përulura sa një copë e gjatë në fund të këmbëve fsheh urrejtjet e zonjës së saj të veshur.
Ngjarjet e dramës zhvillohen në një shtëpi ku rrethrrotullohen sjelljet sadisto-mazohiste të dy shërbëtoreve që vihen në raportin komunikativ zonjë-shërbëtore. Ato imitojnë perfekt sjelljet e zonjës për ta risjellë atë në kohën e lirë, për ta poshtëruar atë, për ta ofenduar, pështyrë, zhgërryer në dysheme sepse ndiejnë njëkohësisht edhe dashuri me forcë si sillet ajo me shërbëtoret.
‘’Është e vërtetë se një person mund të luajë shumë role dhe subjektivisht të jetë i bindur se është vetvetja në secilin rol. Në të vërtetë, në të gjitha këto role personi është ai që ndjen se duhet të jetë dhe, në shumë njerëz, në qoftë se jo në pjesën më të madhe uni autentik është i mbytur nga pseudouni” Erich Fromm
Dashuria është ngjethëse, dehëse, clodhëse dhe idilike e një njeriu që përplotëson mungesën e saj nëpërmjet dhunës.
Dashuri dhe urrejtje, e duan sa e urrejnë zonjën dhe nuk kanë forcë drejtpërdrejt ta shprehin këtë, por nëpërmjet simbolikave me forcë ato mund ta poshtërojnë, nëpërmjet gjithë veprimeve në shtëpi, gjithë sjelljeve, etiketave, zhargonit femëror joshës kur zonja nuk është në shtëpi.
Nëpërmjet një zakoni që risillet në vetët e tyre gjithmonë në kohë, por gjithmonë koha nuk premton dhe ato nuk e kryejnë plotësisht dhe në kohën e duhur këtë akt ritual, kanë dënesë për këtë. Në një formë tëhuajtjeje veprimet e tyre duken tabu ndaj zonjës, në një formë tjetër nëpërmjet kësaj tabuje ato duan të marrin forcë, dhunë dhe madhështi për t’u përplotësuar.
Në fakt më shumë se kohë ato kanë frikë prej zonjës, dhe frika detyron një ngutje që shprehet me ankesa për të rifituar shpresa.
‘’Nuk ka frikë pa shpresë e as shpresë pa frikë’’ shprehej dikur Spinoza.
Në tempin e një muzike franceze ndjellëse dhe sensuale mbi femrën dhe dëshirave të saj fillon një shfaqje rozë. Dy shërbëtore joshëse dhe grishëse, dy femra sa të kundërta dhe të njëjta për të krijuar një komunikim ku hiqet vetja, kompesohet me vetveten e munguar.
Këtu dalin në pah dy femra sa dy motra, sa dy të kundërta, armike të vetes po dhe të njëjta, arritjen e një qëllimi, të poshtërojnë dhe të mendojnë se si mund ta vrasin zonjën e tyre, pasi kjo është fatkeqësia më e madhe e tyre. Njëra nga personazhet futet në botën e zonjës, tjetra në botën e shërbëtores, në botën e atij personazhi. Këtu dalin në pah tallja, ofendime, përulje, shpërfytyrimi i një sundimi përcart, dehja nga ky sundim i dialogut.
‘’Nga kjo rrjedh arsyetimi i mëposhtëm, dhuna kompensuese është pasojë e jetës së gjymtuar të pajetuar, rezultat i pashmangshëm i saj. Ajo shtypet me anën e frikës e të ndërshkimit ose drejtohet në një tjetër shtrat përmes përfytyrimesh dhe argëtimesh të ndryshme’’ Erich Fromm
Shërbëtoret Solange (Solanzh) dhe Claire (Kler), performojnë rituale sadistomazohiste kur zonja e tyre e shtëpisë nuk ndodhet. Në formën e një psikopatizmi që duket në syrin e tyre normal ato shfaqin një sërë deformimesh të ardhura si nga vetja dhe nga zonja e saj. Ndrydhjet kundrejt një forcë të përdorur prej tyre marrin hov.
Është e lehtë të urrehesh kur nuk ndodhesh. Të dyja e urrejnë po aq fort sa zonja do t’i poshtërojë. Ato madje urrejnë dhe vetvetet e tyre, urrejnë njëra-tjetrën sa dhe e dashurojnë. Marrëdhënia e të kundërtave duket përplotësuese. E kundërta do të plotësojë të njëjtën po në të vërtetë kjo sjell një personalitet të dyfishtë të shërbëtoreve që enden nëpër ecejaket e këmbëve seksi nga shërbëtore në sundimtare, nga sunduese në nënshtruese, nga urryese në të dashuruara. Me forcën që ato duan të shprehin ftohtësinë si të zonjës ato qajnë, me dëshirën për të dashuruar sa dhe duke u fërkuar nëpër të ato urrejnë, me forcën e një ledhatimi timbri në të folur ato ulërijnë.
‘’Nuk egiston besim racional te fuqia. Tek ajo ekziston nënshtrimi, ose nga ana e atyre që e kanë fuqinë, dëshira për ta ruajtur atë.’’
Me dashurinë që kanë për veten ato urrejnë, urrejnë atë shtëpi, ato gjunjë, ato puthje, atë papafingo, ato lule të pavlera, ato dorashka që mbajnë era qelbësirë.
Zbrazen në këtë urrejtje në këtë lakmi që kanë për zonjën, në këtë jetë që e kanë rritur në papafungo a duke lare enët, duke qenë shërbëtore që ndillen nga shitësi i qumështit, e c’e duan ato më veten pa e plotësuar atë. Nga ky duf veprimesh ato lëpihen në ledhatimin e vetvetes për të ngritur një pseudoun narcisitik.
Por kjo vete plotësohet vetëm duke poshtëruar zonjën, duke i bërë keq, madje duke ia bërë fatin e zi, duke i futur të dashurin në burg, duke bërë krim, po a mund të quhet kjo krim në syri ne tyre?!
A mund një njeri që nuk e kupton veten dhe të jetë tëhuajtur ta pranojë krimin e vetes, mos vallë sa nuk e pranojnë edhe e zhdukin këtë kujtesë në syrin e tyre triumfues midis njëra-tjetrës në katërkëndorin e shtëpisë?!
‘’I marri ose ëndërrimtari dështojnë plotësisht në zotërimin e një pamjeje objektive për botën e jashtme, por secili nga ne është kush më pak i marrë ose ëndërrimtar; secili nga ne ka një pikëpamje subjektive për botën, që deformohet nga orientimi ynë narcizist.’’ Shprehet Erich Fromm
Kler(Claire) e ka më të vështirë, ajo futet në botën e zonjës, do të jetë e ftohtë dhe indiferente si zonja, akullnajë dëshirash që dhe dashurinë e fal ashtu si copa e bukës që u jep atyre, me përkujdesje ftohëse në ngrirje ndjenjash.
Kler e futur në zonjën e shtëpisë do të gjitha ritualet e saj, nuk ngopet, as me shërbëtoren e saj për momentin Kler që është në vetvete në këtë moment teatral Solange në shtëpi.
Shfaqet një teatër brenda një teatri ku rolet zëvëndësojnë vetveten nga halli dhe nga realiteti.
Publikut i shfaqet një realitet i tyre qenësor brenda një teatri. Një teatër i trefishtë i një drame që e kanë afër 2 metra, por për më shumë e kanë përbrenda në një formë apo një formë tjetër.
Një femër që shpreh një mikrokozmos të pseudounëve të cdo njeriu. Megjithatë drama vazhdon në sensualitetin e Kler të luajtur nga aktorja Laura Nezha. Ajo nuk mund dot të plotësohet pa diçka, ajo ka halle të tjera.
‘’Njeriu ka tre karaktere, një që ia veshin të tjerët, atë që ia jep vetes dhe atë të vërtetin”, thënie franceze.
Në fakt njeriu mund të endet e të thurë rrjeta në shumësi karakteresh por po e hoqi vetveten ai nuk është më ai, ai është i zhdrejtësuar në dramat e veta.
Ajo do ta poshtërojë deri te taka e këpucës, do ta injorojë deri në qelizën e fundit femërore Klerin e luajtur nga Solange. Ajo nuk ngopet me fustane, as me lule, madje as me prekje e puthje të Klerit, nuk ngopet me pushtet, nuk ngopet me dashuri sepse ajo është e tëhuajtur.
Ajo e tall aq fortë por kur kthjellohet e shikon që duhet edhe ta dashurojë pasi si thotë ajo zonja është e mirë. Megjithatë ajo e shpreh dufin me arrogancë, ulërritje dhe ëmbëlsi, një lloj kontradiksioni që vazhdon përgjatë shumë momenteve në zhvillim të shfaqjes. Ajo shpreh në nënvetëdije gjithë ato tallje që zonja shpreh për të. Kleri i futur në botën e zonjës shpreh zonjën në formën më të vrazhdë, pasi tëhuajtja krijon më urrejtje dhe dhunë prej frikës, frika gjeneron gjithmonë dhunë.
Kleri-Solanzhit: Me këto dorashka, po me këto dorashka mbete, të kam thënë shpeshherë t’i lësh në guzhinë,… me këtë ti shpreson të joshësh shitësin e qumështit. Jo. Jo mos më gënje mua, është e kotë. Shko laj rubinetin e lavapjatës.
Solangë në formën e Klerit: Të më falni zonjë po përgatisja çajin me luleblirit për zonjën.
Kler në formën e zonjës: Prej meje dhe vetëm prej meje jeni bërë shërbëtore, dhe ti më shpërfill, të jesh arsye përkëdheljesh, po të dua unë të zhduk, unë jam e mirë, jam i bukur dhe po të dua të sfidoj…
Ky rol tepër kompleks në tëhuajtjen e identitetit të Klerit në zonjën e shtëpisë luhet nga Laura Nezha. Nuk shfaqet vetëm ana profesionale e saj. Futja në rolin e simbiozës së sadistes dhe mazohistes do më shumë se profesionalizëm për t’u luajtur, do të gjithë elementët e njeriut, elementët e femrës sa dhe shumë elementë përfaqësues të karakterit, përndryshe stonon.
Forca e bukurisë së saj shprehet bukur më shumë prej këmënguljes së këmbeve të hapura si formë proteste, trupit të drejtë në formë ngurtësimi, një sforcim të mimikës në formë dhunë, kundrejt padrejtësive të brendshme që do të nxjerrë.
“Një lypës në këmbë vlen më shumë se një perandor në var” shprehen francezët e ditur. Edhe ajo kaq peshon në ecejaket e saja.
Laura nuk ishte vetëm në rol harmonik me Kler, ajo ishte në harmoni të plotë me Ilirda Bejlerin që e hap shfaqjen, Ilirda është Solange, po në këtë rast kur zonja nuk është në shtëpi duhet të futet në rolin e Kler. Dhe kjo është më e rëndësishmja për vazhdimin e shfaqjes, harmonia midis Kler dhe Solange për të mos stonuar kuptimi i një simbioze impulsive që rikthehet vazhdimisht në formë sindromë problematike.
Në lutjet e saj, në dënesë, në përuljen e shërbimit të saj, në besnikërinë e nënshtrimit sa dhe dashurinë e fanepsur plot afsh dhe zjarr.
Nga ana tjetër Ilirda nuk duhet të ishte e mrekullueshme, ajo thjesht duhet të ishte përplotësuese e elementëve të tëhuajtjes së saj e njëkohësisht nga kjo debulesë të gjente rolin e saj të vërtetë, atë të Solangë, të madhërishmes sa një mbretëreshë ku mund të bërtitet, të flakëritet për pak despotizëm të denjë nga format nënshtruese të jetës.
Sa te Solangë, ajo duhet të kthehet tërësisht në rolin e Kler dhe kjo harmoni simfonike elementësh të shtëpisë duhet të lozesh nga të dyshja Laura-Ilira Zonjë-Kler, Kler Solange.
Ilirda në gjithë fuqinë e saj interpretuese vinte e ëmbël, joshëse, shumë harmonike dhe dinamike në gjithë shfaqjen, më shumë se dinamike ishte si një grua me forcën e një ushtaraku që do të zvarritet në cdo cep të sallës për ta përplotësuar rolin. Ajo futet në rol dhe sikur nuk del nga roli, qëndron po aty me po të njëjtën shkrirje, sikur e ka provuar vetë ecejaket e vështira të rolit. Solange në rolin e tëhuajtur të Kler para zonjës që me tëhuajtje luhet nga Kleri i vërtetë duhet të jetë nënshtruese. Sadizmi i saj duhet të jetë ndjellës, joshës, ëngjëllor sa përvuajtës, nënshtrues.
Në simbiozën sadisto-mazohiste tëhuajtjet dhe urrejtjet ndryshon vend shpesh herë. Edhe ajo duhet në prepotencën e saj, sa përgjërohet tërbohet, sa ndjell pështyn, sa përulet ngre një prepotencë femërore superiore për të qenë ajo e madhërishmja, Solangë.
‘’Dallimi kryesor, më duket se është që te sadizmi armiqësia, zakonisht është më e ndërgjegjshme dhe më e shprehur drejtpërdrejtë në veprim, ndërsa te mazohizmi armiqësia është deri diku më e pandërgjegjshme dhe gjen një shprehje të tërthortë’’ Erich Fromm
Papritur e pakujtuar ato duhet të ktheheshin nga Zonjë-Kler në Kler-Solange. Duhet të zgjoheshin jo për të arsyetuar por për të urryer, për të poshtëruar, për të vrarë atë zonjën imagjinare që në realitet nuk e vrisnin dot.
Urrejnë dhe dashurojnë papafigon e tyre, shitësin e qumështit, veshjet, sjelljet, dëshirat, sepse ato duhet të revoltohen, ato janë shërbëtoret që duken si të nënvleftësuara por që bëjnë revolucion.
Dalëngadalë loja e tyre sadisto-mazohiste sa dhe tëhuajtja e indentitetit personal në çrregullim personaliteti dhe personalitet të shumëfishtë kuptohet më mirë në zhvillim të shfaqjes dhe fanitet tek artdashësit në sallën Gëte rreth e rrotull. Publiku duket me sy të nxjerrë për të kapur sa më shumë imtësi të sjelljeve të tyre.
Ilirda dhe Laura janë dy gjysma që e plotësojnë bukur veten e tyre në rol, ato futen bukur të dyja, luajnë bukur, shprehen bukur, kanë po të njëjtën shije, të njëjtën performancë, edhe lëvizjet, të njëjtin trup pothuasje, joshjen, veshjet, mimikën, uljet dhe ngritjen e intonacionit.
Njëra bionde dhe tjetra brune sikur japin atë panoramën e plotë të së tërës.
Madje kur ecin ashtu pompoze nëpër mure dytullëshe duket sikur imitojnë njëra tjetrën, sikur e kopjojnë perfekt, sikur japin dhe mbushin njëra-tjetrën në rol.
Plastika e tyre e komunikimit është, aq shprehëse, sa e ndjen urrejtjen dhe dashurinë. Ato duan të shprehin mëkatet e një zonje me turfullim sa ulëritje, deri në dehje të bërtitjeve të tyre, sepse u duket se në këto momente nuk kanë faj për ato që kanë bërë.
‘’Mekatet e të tjerëve janë para syve tanë, mëkatet tona i kemi pas shpine’’ shprehej dikur Seneka
Edhe lotët e Laurës duket sikur dalin me po të njëjtën ndjenjë nga vetja, sa dhe ai tërbimi apo përulja e Ilirdës të kujton sjelljet e ‘skllaveve’ të dikurshme. Rëndësia e të qënit ‘skllave’ moderne do mjeshtëri dhe shkrirje në rol.
Të dyja këto aktore zhytin spektatorët në mendime. Sa nga erotizmi te mesazhet ato dalëngadalë e zhvillojnë bukur shfaqjen, por cfarë vjen më pas? Cfarë pritet, a ka më apo vetëm një lojë frikë-dhunë e dashuri-urrejtje.
Kler dhe Solange sapo duhet të vijë zonja duhet të futen në këllëfin e tyre, te ajo papafigoja e ndyrë, te femrat e pështyra, te ato sjelljet skllavëruese, tek shërbimet përulëse, te komplimentet e zakonshme të përbota për një zonjë të bukur, tek dëshira për ta parë zonjën të gëzuar.
Po kjo krijon përsëri inatin, frikën dhe njëkohësisht forcën tërbimin e nënshtruar.
Padashur në fund të lojës marrin vesh që të dashurin e zonjës, që ato me 500 peripeci letrash e kishin futur në burg, do ta nxirrnin nga burgu për mungesë provash.
Kjo ishte një vdekje e përkohshme e tyre. Duhet të përgatiteshin të vrisnin zonjën për të shpëtuar, po a përbën krim të vrasësh për të shpëtuar?
Të vrasësh e të arratisesh a mund të jesh vetvetja? A quhet krim një diçka aq e vogël kur ato mendojnë diçka aq të madhe, ta vrasin dhe ta zhdukin zonjën, të shpëtojnë një herë e mirë nga kjo vuajtje.
‘’Ai që është i pakënaqur me veten, është gjithmonë gati për hakmarrje’’ shprehet Nietzsche.
Në kushtet kur zonja po vjen ato mendojnë ta helmojnë me caj, le ta helmojnë dhe hallet e tyre do ikin, ato do të triumfojnë, po a ndodh me të vërtetë kështu? Ankthi nëpër panik mbërthen të dyja. Ato veshin petkat, rregullojnë ambientin, zhdukin nënqeshjet, prepotencën dhe ja më në fund një zonjë akullnajë e rëndë vjen e hyn në sallë serbes sic shtrihet akullnaja në mal, ftohtë dhe me hap të sigurt.
Në pamje të para paraqitet një zonjë shtëpie e re, e bukur, por kjo bukuri duket e kallkantë. Ashtu si kallkani që krijon copëza çarjesh dhe grisjesh duket sikur kjo dashuri që ka zonja për shërbëtoret duket e grisur, e krisur dhe e ftohtë, e një lloj ngrohtësie që të gënjen si vjeshta. Duket e dashur, e ëmbël po me një ironi rëqethëse, me një ftohtësi stoike. Një femër sipërfaqësore, neglizhente, që duket sikur nuk ka thelb po jo jo, ajo ka thelbin e saj të dramave, e ka të njëjtë me pasojat e shërbëtoreve të saj që u thotë bija, e ka me të njëjtën forcë që quhet dhunë dhe me të njëjtën përmbajtje që do të thotë urrejtje, urrejtje që krijon frikë. Egoizmi i saj shpreh mungesën e vetvetes.
‘’Egoizimi nuk identifikohet me dashurinë për vetveten, por me të kundërtën e vet.’’ Erich Fromm
Në pamje të parë duket egoizmi i një femre narcisstike që vetëhidhet në bukuritë dhe dashuritë e veta, një lloj dashurie që edhe kur do ta fitojë plotësisht për të qenë e lumtur ia rrëmbejnë shërbëtoret e saj për ta futur në burg
Duket sikur ajo me qeshjen e saj të krisur dhe gjuhën e saj të egër, me vështrimin rrëqebull për ndonjë prapësi shërbëtoresh nuhat.
Ajo ndjell po nuk mund të faktojë me ftohtësinë e një nuhatësi. Ajo nuk e kupton dot një botë që do ta shkelë me këmbë, por nëpërmjet këmbëve të saj ajo shikon sa e duan.
Nëpërmjet dashurisë së saj ajo do të kuptojë të tjerët, të tjerët për të nuk ekzistojnë, ekziston ajo që duhet t’u japë jetë të tjerë, t’u japë formë, t’u japë material, t’u japë qenie, t’u jap liri dhe pavarësi.
Narcizismi, ashtusiegoizmi, ështënjëkompensimpërmungesënthemeloretëvetëdashurisë’’ Erich Fromm
Egoizmi i saj shkon deri në Alaskë po të dojë me atë ftohtësi narcistike dhe aty dashuron, por edhe kjo dashuri është si bora e atjeshme, në përvojë jetësore ka vetëm ftohtësi.
Ajo fal shërbëtoreve fustan të kuq, edhe pelice, po dhe këtë e fal me një copë akulli të ftohtë dhe të plasaritur në ndjenja, ajo ndjen një lloj ftohtësire. Përuljet e shërbëtoreve duken mosmirënjohëse, dashuria e tyre duket përvuajtëse, ndjellëse në timbrikë dhe fëminore. Në sytëqershi të zonjës fshihet një frikë e ethshme në mosbesim.
Ato në këtë kuptim urrejnë të treja, dhe dashurojnë të treja, ato të treja kanë frikë. Janë shëmbëlltyrë.
‘’Skllavi dhe tirani kanë frikë njësoj’’ thonë francezët.
Instinktet vrastare janë të kudondodhura te njeriu, perandor apo skllav qoftë. Desara në rolin e zonjës duket sikur i mbizotëron shërbëtoret, sikur i udhëzon, jep ultimatume, ngre gishtin shpall prepotencë, shtrihet kryelartë dhe mendjehollë, ajo ngjit në rol. Prepotenca e saj shkon. Gërvishtjet e ulëritura në kupë të qiellit në zë të kujtojnë forcën e sundimtarit, e shkatërrimtarit por kjo e një ledhatimi femre që fsheh djallin e saj. Duket sikur loja sundimtar-nënshtrues këtu zë vend me realitetin. Shprehjet e saj i bashkohen triologjisë dhunuese sa frikës, sepse nga frika burojnë të gjitha llojet e dhunës, frika është dera ku njeriu futet në anormalitetin e tij. Brenda një femre të këndshme mund të ketë luftë të përgjashme.
Zonja merr vesh me vonesë dhe tërbohet që i dashuri i saj do lirohet. Në egoizmin dhe prepotencën e saj ajo do të fluturojë te dashuria e saj e zemrës pa pirë atë çajin që është stisur për ta shpënë në varr. Ajo nuk e pi çajin edhe po të ftohet sepse është koha për shampanjë, ajo nuk do ta pijë çajin, nuk ka shërbëtore ta urdhërojë që të pijë çajin, nuk ka e bindin dot. Në lutjet përgjëruese ajo ndjell mëshirë po jo të bindet, pra të pijë çajin. Ajo nuk do të vdesë po me këtë rast i hap rrugë një tjetër vdekjeje.
Pas ikjes së zonjës për të takuar të dashurin përgatitet vdekja e njërës prej shërbëtoreve, e asaj që ka futur të dashurin e saj në burg, Klerit. Kler merr zemër për të vdekur, e ka flakur zemrën për të jetuar, nuk mund ta ndalë as Solanzhë, nuk ka më forcë si Solanzhë të mos i urdhërohet për t’i dhënë atë caj të ftohtë ku do fanepset vdekja e saj. Në fund të fundit vdekja e saj duket si shpëtim.
“Vdekja është shumë më e mirë se frika prej saj” Spinoza
Dhe shfaqja mbyllet tragjikisht këtu.
Shfaqja duartrokitet fort dhe gjatë. Shfaqja i dha mesazhet e saj të forta. Në radhë të parë në një teatër të shumëfishtë të sjelljes psikologjike ajo shpall një tëhuajtje të modernitetit fals, të një skllavërimi modern që më shumë se përulje prodhon drama, dhunë dhe rebelim. Të një brezi moderniteti që nuk mund të japin atë që duan, atë që ndjejnë dhe atë që munden. Është një kumt për gjithë shqiptarët që në vetveten e tyre do e gjejnë tek ‘’Shërbëtoret’’. Në një Shqipëri që mes halleve ka më shumë vdekje dhe dhunë, hakmarrje dhe frikë, stres, përulje.
Të një sundimi që quhet ndryshe barbari. Në një formë përshtatje ‘mizerabël’ do thoshin francëzët që duket nënshtrim, dhe në një shumë ‘’Të mjerësh’’ do thoshte Hygo për modernitetin e tyre pa qenie, po me një arrati. Me një psikoptizëm që po i vret njerëzit për së gjalli.
Ejani në teatër, aty ku drama njeh të zotin e vetvetes, për ta vetëkuptuar atë!
Nga Eugent Kllapi
