Ndryshojnë sërish drejtuesit e klinikave mjekësore që përmbledh qendra më e madhe spitalore universitare në vend: “Nënë Tereza”. Kalimi i kësaj qendre spitalore nën skemën e sigurimeve do të shoqërohet me ndryshime sa i takon drejtuesve të shërbimeve, përzgjedhja e të cilëve do të bëhet me anë të konkurrimit.
Vlerësues i konkurrimit për kandidaturat e paraqitura do të jetë bordi i drejtuar nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, teksa në përbërje të tij janë edhe anëtarë të tjerë të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, mjekë, si dhe përfaqësues të Universitetit të Mjekësisë.
Ndonëse lista zyrtare e ndryshimeve në radhët e drejtuesve do të shpallet pas pak ditësh, disa nga ndryshimet e përfolura deri më tani për shërbimet e QSUT-ës, pas përfundimit zyrtar të konkursit janë: “Pëllumb Pipero, i cili mban aktualisht edhe postin e Drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë do të emërohet Shefi i Shërbimit të Infektivit, shërbim ky që ndodhet nën drejtimin e mjekut Dhimitër Kraja. Më tej, ish- ministria e shëndetësisë Anila Godo, do të drejtojë klinikën e Shërbimit të Sëmundjeve Ngjitëse në Pediatrinë e Përgjithshme, shërbim i cili drejtohet aktualisht nga Eli Foto.
Një tjetër ndryshim do të pasojë edhe shërbimin e ORL-së, e cili do të kryesohet nga mjeku otorinolaringolog Besim Boçi. Ndërkohë që shefi i shërbimit i sëmundjeve pulmonare, pneumologji 3, në Sanatorium do të jetë mjeku Hasan Hafizi. Klinika e onkologjikut do të vijojë të jetë nën drejtim e Agim Sallakut. Gjatë ditës së sotme lista zyrtare e shërbimeve në të cilat do të ketë ndryshim të drejtuesve do të kalojë edhe pranë universitetit të Mjekësisë.
Përcaktimet ligjore të bëra saktësojnë se shefat e shërbimeve krahas këtij posti do të jenë edhe pedagogë në fakultetet e këtij universiteti. Sipas ligjit të ri të sigurimeve shëndetësore, si dhe përcaktimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë, bëhet me dije se bordi zgjedh drejtuesit që kanë fituar në këtë konkurs duke marrë si kriter kyç kandidatë që kanë eksperiencë dhe aftësi të larta profesionale.
Më tej sqarohet se për rastet kur drejtuesit e shërbimeve të caktuara në këtë qendër spitalore do të mbushin moshën e pensionit, ata nuk kanë më të drejtë të mbajnë më postin e shefit të shërbimit, çka i hap udhë menjëherë organizimit të konkursit për përzgjedhjen e drejtuesit të ri që do ta zëvendësojë në këtë post.
Të gjitha këto ndryshime bëhen edhe në prag të zbatimit të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili hyn në fuqi në fund të muajit mars. Zbatimi i këtij ligji do të ndryshojë tërësisht skemën e ndarjes së fondeve për spitalet, duke i dhënë prioritet në marrjen e më shumë fondeve spitaleve që do të kenë rezultatet më të larta në shërbimet e ofruara për pacientët.