Partia Demokratike dorëzon në Kuvend 3 amendamente për ligjin e shërbimit diplomatik. Tre kontestimet e demokratëve të depozituara nga Aldo Bumci, korrigjojnë draftin fillestar të ministrit Bushati, i cili shkaktoi përplasje mes palëve në komisionin parlamentar të politikës së jashtme.
“Janë tre çështje të rëndësishme të cilat ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si është administruar dhe drejtuar shërbimi i jashtëm. Që mund të merren në shërbim në nivel ambasadorësh vetëm 20 për qind, mund të jenë politike dhe 80 për qind nga sistemi i karrierës. Kjo kuotë nuk është respektuar në zbatim, sepse nga 20 për qind mund të ketë shkuar në 30-40. Tani ministrin vjen dhe heq kuotën tërësisht, çka do të thotë që mund të jenë 100 për qind politik. Nëse kjo kalon kështu është dëmi më i madh që i është bërë në 24 vite sistemit tonë diplomatik.Ministria kërkon ta shmangë këtë. Ndryshon një traditë të mirë, dhe shmang tërësisht komisionin, nga qeveria propozimi i shkon presidentit. Pyetja është çfarë dëmi i ka sjellë procesit të emërimit të ambasadorëve ky komision dhe debatet këtu. Marrëdhëniet me presidentin, vendoset një afat kohor, Kushtetuta nuk e ka. Nëse presidenti nuk arrin dot të bëjë verifikimet brenda këtij afati kohor, çfarë ndodh? Ne vumë re prirjen që kjo qeveri ka deri më sot për ta zhveshur presidentin nga kompentecat”, tha Aldo Bumçi, Deputet i PD, raporton “AS”
Pas përplasjeve fillestare dhe reagimit edhe të ekspertëve të pavarur të diplomacisë, mazhoranca shpreh gatishmërinë për konsensus mes palëve për këtë çështje.
“Raporti i emërimeve në mënyrë të veçantë në nivel ambasadorësh të jetë dukshëm në favor të diplomatëve që vijnë nga karrierë, dhe e dyta çështja për seancat dëgjimore në komision, besoj me këto të dyja do të biem në një mendim të përbashkët. Nuk besoj se kemi ndonjë rezistencë nga ana e ministrisë”, tha Arta Dade, Kryetare e Komisionit të Politikës së jashtme. “Me kolegët e shumicës ne e kemi këtë konsensus”, u shpreh Aldo Bumci, deputet i PD -së.
Sekretariati i Komisionit të punëve të jashtme është duke punuar një variant të ri të ligjit për shërbimin diplomatik, duke synuar reflektimin e kërkesave të të dyja palëve. Nëse kjo dakordësi do të arrihet, do të shihet javën tjetër, kur projektligji të diskutohet nen për nen.
