Shërbimi i Djegie-Plastikës përurohet me salla të reja për operacionet

anazapta

Shërbimi i Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tashmë ka në dispozicion një bllok të ri operator, ku do të kryhen ndërhyrjet kirurgjikale për pacientët. Gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur edhe inaugurimi i këtyre hapësirave të reja dhe të rikonstruktuara, të cilat do të ofrojnë një shërbim më cilësor për pacientët shqiptarë. Nëpërmjet një granti prej 1 milionë eurosh, është bërë e mundur që në këtë shërbim të ketë salla të reja për kryerjen e operacioneve. Sipas të dhënave të bëra publike nga drejtuesit e këtij shërbimi, rezulton se pranë sallave kryhen çdo vit rreth 1 mijë lloje të ndryshme ndërhyrjesh kirurgjikale të këtij specialiteti. Ndërkohë që ky shërbim i është dashur që në raste të caktuara të përballet edhe me emergjenca. Të pranishëm në inaugurimin e këtyre sallave ishin ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Clive Rumbold, i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, dhe drejtoresha e QSUT-së  Ogerta Manastirliu. “Me mbështetjen bujare të Bashkimit Evropian, sot ne bëjmë të mundur fillimin e funksionimit normal të kësaj njësie të re” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj, duke theksuar se rikonstruksioni i bllokut operator të shërbimit të Djegie-Plastikës është një projekt i rëndësishëm që rrit në radhë të parë sigurinë për vetë qytetarët shqiptarë. Nëpërmjet realizimit të këtij projekti, është bërë e mundur të rriten në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet kuruese të pacientëve që kanë djegie të rënda, si dhe të aplikohen standarde evropiane në  kurimin e tyre. Me një vlerë totale të grantit prej 950,000 euro, projekti përfshiu rikonstruksionin e plotë të bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij, instalimin e disa aparaturave, pajisjeve dhe mobiljeve mjekësore, furnizimin e një pakete barnash të domosdoshme për shërbimin, si dhe trajnimin e stafit ekzistues të shërbimit. Më konkretisht, nëpërmjet këtij projekti rikonstruksioni është ndërhyrë në konstruksionin mbajtës, rifiniturë dhe në të gjitha rrjetet inxhinierike të tre sallave operatore, si dhe është bërë i mundur rikualifikimi i fasadës dhe hyrjes kryesore, përmirësimi në rrjetin elektrik, vendosja e një gjeneratori, rrjeti i gazeve mjekësorë, së bashku me depozitën e oksigjenit, e gjithashtu, edhe përmirësimi i rrjetit hidraulik dhe depozitave të ujit, këmbyesit të nxehtësisë për panele diellore dhe sistemi i ventilim-kondicionimit sipas kushteve të BE-së për sallat e operacionit. 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *