Sherr mes Topallit e Oketës

editor

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate të ashpra mes kryetares së Kuvendit dhe deputetit të FRD-së Oketa.

Topalli akuzoi Oketën se xhaxhai i tij ka qenë kryetar i Komisionit të Burgim Internimit, në momentin që ky i fundit kërkoi në seancën e sotme plenare që të respektohej kujtimi i ish të përndjekurit Lirak Bejko, i cili ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra pas aktit të vetëflijimit, që bëri gjatë grevës së urisë në muajin tetor.

Topalli i ndërpreu dy herë fjalën deputetit Oketa, ndërsa përfaqësuesi i FRD-së qëndroi për disa minuta në foltoren e Kuvendit duke pritur të mbante një deklaratë.

Jashtë sallës së Kuvendit, deputeti Oketa u shpreh për mediat se kishte për qëllim t’u kërkonte deputetëve të respektonin kujtimin e Lirak Bejkos, një qytetari shqiptar që në momente dëshpërimi ndërmori aktin e rëndë, për shkak të përsekutimit para viteve 90 dhe pas viteve 90.

“Zonja Topalli i qëndron deklaratës së saj se nuk ka asnjë koment për të përndjekurit politikë, nuk ka asnjë koment për kërkesat e tyre dhe nuk ka asnjë qëndrim as kur një qytetar ndërmerr një akt të tillë”, u shpreh Oketa.

Ndërsa rreth akuzës së Topallit drejtpërdrejt për familjarin e Oketës, deputeti kërkoi nga maxhoranca që të miratojë Ligjin për hapjen e Dosjeve, kur të shihet jo vetëm e kaluara e tij, por edhe ajo e Kryeministrit të vendit, kryetares së Kuvendit dhe zyrtarëve të tjerë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *