Babai i futbollistit, Agimi, dhe kushëriri i tij, Graniti, akuzojnë me fjalë të ashpra njëri-tjetrin
Kushëriri i Lorik Canës dhe babai i futbollisti janë përfshirë ditët e fundit në akuza dhe kundër-akuza ndaj njëri-tjetrit. Granit Cana, djali i xhaxhait të kapitenit kuqezi, është shprehur me fjalë të hidhura se nuk ka marrë kurrë ndonjë ndihmë nga familja e kushëririt të tij. Babai i Lorikut, Agimi, është njëkohësisht edhe agjent lojtarësh dhe Graniti, futbollist 21-vjeçar, e ka akuzuar se nuk e ka ndihmuar ndonjëherë, për t’i siguruar prova në skuadra të huaja. Pas këtyre fjalëve, reagimi i babait të Lorikut ka qenë me të vërtetë i furishëm dhe me fjalë mjaft të ashpra. “Ai është një njeri i poshtër, që në deklaratat e tij ka vetëm gënjeshtra. Ne i kemi siguruar prova te skuadra e Nantës në Francë dhe ata të klubit na thanë se niveli i tij ishte si i një 14-vjeçari”, thotë Agim Cana për nipin e tij, i cili e mbylli fazën e parë të sezonit me
Flamurtarin e Prishtinës. Në sezonin e kaluar ai ka qenë te Teuta e Durrësit, me të cilën ka luajtur vetëm dy ndeshje dhe Agim Cana thotë se kjo u mundësua pikërisht falë tij. “Krahas provave në Nantën, unë personalisht kam ndikuar që ai të arrinte marrëveshjen me Teutën e Durrësit, pasi në të kundërtën nuk do të mund të luante as aty”, thotë Agimi. “Përderisa kam ndihmuar shumë lojtarë të tjerë, përse nuk do ta ndihmoja një të afërmin tim?”. Babai i kapitenit të kombëtares shqiptare është edhe agjenti i Lorikut dhe jeton në Francë, ndërsa aktualisht gjendet në Prishtinë, për pushime. Në të kaluarën ai ka pasur disa probleme me drejtësinë franceze, për shkak të dyshimeve në lidhje me rregullsinë e transferimit të Canës nga Paris SG te Olimpik i Marsejës. Ndërkohë, një nga zyrtarët e klubit parisien e akuzoi babanë e lojtarit se e kishte kërcënuar nëse nuk do të arrihej transferimi në jug të Francës, por këto akuza mbetën të paprovuara asnjëherë. Ndërkaq, deri tani nuk ka pasur përfshirje të Lorikut në çështjen midis babait dhe kushëririt të tij futbollist.
