Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur mesditën e sotme në Durrës. I plagosur ka mbetur Ardit Kërtusha, 31-vjeç, ish-kandidat i PS-së për degën e Durrësit, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit iu bashkua publikisht Lulzim Bashës.
Përplasja ka ndodhur në lokalin ‘Zins’, në pronësi të këngëtarit Noizy, ndërsa rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja janë ende të paqarta.
Sipas policisë, përplasja ka ndodhur gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. I riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë vijon krehja e zonës, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Ardit Kërtusha
Ardit Kërtusha kandidoi për kryetar të PS Durrës në 2020 dhe më pas u tërhoq nga gara. Para zgjedhjeve të 25 prillit, Kërtusha iu bashkua Partisë Demokratike dhe zhvilloi takime me Lulzim Bashën. Ish kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit u shpreh asaj kohe se qyteti ishte peng i interesave të Dakos. Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike.
o.j/dita
