Një 21-vjeçar ka mbetur i plagosur sot në orët e para të mëngjesit në Shkodër.
Nga sa mësohet, Edmir Nilaj është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 03:35, ka marrë një telefonatë në sallën operative se në një lokal në afërsi të fshatit Beltojë, është një person i plagosur, çka ka bërë të vihen menjëherë në lëvizje efektivët.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar se pas një konflikti të çastit brenda ambienteve të lokalit mes dy personave, por që ka vijuar edhe jashtë, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi E.N, 21 vjeç, banues Vekel, Malësi e Madhe, bëjnë me dije burime zyrtare nga Policia.
Admir Dekovi, truporja e lokalit dyshohet se është edhe autori i plagosjes së 21-vjeçarit.
Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po punohet për kapjen e autorëve, shtojnë të njëjtat burime.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
