Kur Shefedini dhe Admiri u përlanë për një thes misër, skenë tek filmi ‘Përballimi’, kulaku Nazif tentonte t`i ndante, ku për t`u ngacmuar sedrën, u kujtoi se ishin bashkëfshatarë: “Mos u zini, mos u zini, po jeni bashkëfshatarë o të uruar!” Siç duket, në atë lloj zënke, nuk vlente asnjë apel tjetër veç faktit se ishin nga i njëjti fshat. Sepse ndodh që tek njeriu, një pikë përbashkuese siç mund të jetë origjina, vendlindja, besimi apo kauza, të shërbejë si një dozë vetëfrenimi në rast konflikti të mundshëm. Por, koha që po jetojmë, ka zhvlerësuar shumë ligjësi socio-psikolgjike. Përkundër tezës së mësipërme, lufta brenda llojit është ajo që po dominon tek ne. Ja, mbas politikës, sportit e ndonjë sfere tjetër, ja beh dhe Drejtësia, ku njerëzit e saj marrin me hu shoqi-shoqin. Sherri i djeshëm mes prokurorëve, ishte treguesi i trishtë se asnjë grupim apo shtresë, pavarsisht stadit social e kulturor, nuk është i imunizuar nga “epidemia e hurit”. Pos kësaj, tek ngjarja e djeshme, shoqëria e media nuk u alarmuan aq për degjenerimin në dhunë të elitës së prokurorëve, se sa për faktin nëse dhe Llalla i ishte përveshur ndokujt. Për këtë, përvoja më e freskët na thotë që të presim se mos ka ndonjë filmim. Më të gëzuar nga gjithë sa ka ndodhur, duhet të jenë dyshja Ndoka – Ndreu. Skena e tyre tashmë do pasojë rënie në klasifikimin, ku në vend të parë do ngjitet Llalla me të tijtë, edhe nëse mbetet në version të hamendësuar dhune. Punë “bashkëfshatarësh”!
