Një sherr për parkimin e makinës dyshohet se është shkaku i vrasjes me thikë të ndodhur dje në qytetin e Kuçovës, para shkollës 9-vjeçare dhe në sy të shumë nxënësve. Nga plagët në trup vdiq pak minuta pasi u dërgua në spitalin rajonal të Beratit, Artan Braushi, babai i dy fëmijëve, kurse policia kapi në ndjekje të dyshuarin Elton Bori, për akuzën e “vrasjes me dashje”, për të cilin thuhet se është dhe bashkëshorti i një prej mësueseve të shkollës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:30 në lagjen “11 Janari” të qytetit. Prokuroria dhe policia po vijojnë hetimet, por zyrtarisht u deklarua se motivet janë banale dhe se viktima është goditur në zemër.
Ngjarja
Sherri për parkimin para shkollës 9-vjeçare të qytetit të Kuçovës erdhi për shkak se i dyshuari Elton Bori ka kërkuar që makina të hiqej nga viktima prej këtij vendi. Debati përfundoi në sharje dhe më pas agresori ka nxjerrë një thikë duke e goditur 33-vjeçarin disa herë në trup. Artan Braushi i ka thënë 36-vjeçarit se do merrte dy fëmijët nga shkolla dhe do largohej, por Bori nuk ia ka pritur gjatë. Nga hetimet e kryera mësohet se Bori është njëkohësisht edhe bashkëshorti i mësueses së fëmijëve të viktimës. Por ngjarja nuk ka lidhje me sherret personale mes tyre, po për shkak të parkimit të mjetit. Sipas mjekëve, Braushi ka pasur dëmtime në zemër që i shkaktuan edhe vdekjen 33-vjeçarit.
Hetimet
I dyshuari Elton Bori, që po shkonte në shkollën ku jepte mësim gruaja e tij, është përballur me Artan Braushin te dera. Mësohet se mes tyre ka pasur edhe përplasje verbale të mëparshme. Por dje i ka kërkuar që të largonte makinën nga parkimi para shkollës. Grupi hetimor ka shoqëruar nxënës dhe mësues të shkollës, por ata kanë dhënë pak shpjegime, sepse ngjarja ishte e befasishme. Kurse Elton Bori u kap brenda pak minutash bashkë me armën e ftohtë thikë, që u sekuestrua si provë materiale, teksa përpiqej të arratisej. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë motiv tjetër më të fortë, por nga dëshmitë e para mësohet se shkak ka qenë parkimi i veturës nga viktima para shkollës. Vetë Bori ka thënë se Braushi e ka fyer rëndë dhe sulmuar i pari, ndërsa ai është vetëmbrojtur.
