Sheshe dhe përsheshe…

redaktor

Sprova më e madhe e Lulzim Bashës, sapo u fut në Bashkinë e Tiranës, shtyrë si makinë e ngecur pa karburant nga dyshja Tomë-Sashenka, ishte mënyra se si do trajtonte kantieret e hapura të punëve nga ana e paraardhësit. Ai nuk diti të vlerësojë faktin se akti më simpatik gjatë fushatës, për të cilin u vlerësua nga opinioni, ishte pikërisht vlerësimi që i bëri me gjysmë zëri tre mandateve të Ramës, duke thënë se ka bërë dhe punë të mira. Sot ai, do t’i kishte të rritura kuotat si bashkiak, nëse nuk do ndërhynte aq trashë e brutalisht në punët e nisura nga Rama, unazën e re, xhaminë e madhe bashkë me muzeun e bashkëjetesës fetare, por sidomos sheshin Skënderbej, ku do kishte patur shanse më shumë se paraardhësi për t`u identifikuar me atë vepër, edhe pse ishte e gjitha e ideuar dhe e projektuar si vizion nga administrata para tij. E tashmë po grinden mes tyre se kujt duhet t`i atribuohet rregullimi i sheshit ‘Nënë Tereza’. As njërit dhe as tjetrit, por Papës. Puna e solli, që për aq sa kanë kontribuuar, me ide, skica e para, ata thjesht kanë qenë “punëtorë” në shërbim të kreut të Vatikanit. Ndërsa sheshi “Skënderbej”, unaza e re, e xhamia e madhe me muzeun e bashkëjetesës fetare, i përket një historie tjetër, asaj që startoi me mbikalimin e Zogut të Zi, një risi e trishtë e politikës, ku nga zullumet me bazë orale, u kalua tek ato lëndore, ku shoqi-shoqit ja prish punët që bën, për arsye të pastra (dhe të ndyta njëkohësisht), elektorale. Rama bën mëkat nëse inatet e shtyjnë të hakmerret për sa ja kanë bërë zi e ma zi, që me Zogun e Zi; por siç thuhet në librat e shenjtë, pesha kryesore e një mëkati që përhapet ndër njerëz, i bie atij që e veproi për herë të parë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *