Shëtitje kryeministrore në ullishtore

anazapta

Në 6 prill, kryeministri aktual bëri një takim me  kultivuesit e ullirit, në Vlorë në kuadrin e takimeve, që janë zhvilluar, kohët e fundit, në Lushnjë me kultivuesit e serave dhe në Shijak  me punonjësit e pularisë supermoderne  . Për falsitetin e takimeve të nxituara të Lushnjës, unë kam shkruar, duke i quajtur ato  shëtitje kryeministrore, sepse nuk u bë as një bisedë pune, nuk u zgjidh as një problem, nuk doli as një problem i ri, por vetëm u brohorit. Bujqësi pa probleme, pa  gjenerim situatash të reja, nuk  mund të ketë; prandaj i quajta shëtitje, që nuk prodhojnë gjë.

Kështu ishte dhe vizita në Vlorë.  Vlonjatët, tradicionalisht, e linin bulevardin dhe bënin lart nga ullishtat, thjesht për t’u çlodhur .Për t’u bindur për efektin shëtitës të Kryeministrit, po citoj, fjalët e  tij, në takimin e Vlorës:  “E dua ullirin, – tha Kryeministri, – sepse dua përjetësinë”  dhe vijoi me tej: ”Projekti i ullirit është ndër më të rëndësishmit në histori” . Foli dhe dy fraza , për TVSh-në  dhe u mbyll takimi me kultivuesit e  e talentuar vlonjatë të ullirit. Kryeministri  ka shumë mundësira komode, për të thënë kaq e më shumë fjalë. Të gatshëm i ka grupet e xhirimit dhe mund t’i thoshte kaq fjalë, duke ndenjur në kanape, qoftë dhe nga tribuna portative e Partisë, që e  merr me vete kudo që shkon .

Problemi i ullirit  është paksa më ndryshe. Ne jemi zonë klimatike e  ullirit. Për modernizimin e kësaj dege të rëndësishme të bujqësisë  ka  një traditë të përpunuar nga shkencëtarë të shquar  shqiptarë, prej të cilëve do të përmend  disa. Punës për ullirin, pas çlirimit iu përveshën  Haki Isufi, Vehib Abazi dhe  Dhimitër Muço, këta  specialistë të famshëm dhe pasionantë  e hartuan teorikisht  programin e zhvillimit shqiptar të ullirit  dhe iu përveshën zbatimit të tij. Stafetën më tej e çuan shkencëtarët e brezit më të ri:  Taso Nini,  Gogo Vjero, Resmi Osmani, Vasil Muçko, Agim Gjermeni,  Niko Roshi, Dhionis Çakalli, Seit Alikaj  etj . Këto operacione  të rëndësishme tekniko-shkencore  sollën krijimin e plantacioneve të famshme: Në Stjar, Borsh,  Lukovë, Shtyllas, Dushk, Boshtovë, Sukth etj .

Plantacione u dëmtuan rëndë nga  bandat destruktive, që u gjallëruan në kufirin e ndërrimit “democrat” të pushtetit , por sidoqoftë tradita mbeti. Ju zoti Kryeministër, me qeverinë tuaj,  doni t’i shtoni ritmet? Pyetja ime është e thjeshtë: cilët janë shkencëtarët  tuaj, që hartuan këtë program të shpejtimit të ritmeve, në kohën e sotme? Unë i përmenda shkencëtarët që hartuan programin e zhvillimit  të ullirit. Kurrë nuk kemi dëgjuar ndonjë emër  shkencëtari bujqësor këto 23 vite tranzicion. Shkencëtarët tuaj  flasin me gojën e Sali Berishës, që është krejt sharlatane. Bujqësija nuk është shkencë që bëhet në ikje e sipër. Bujqësija reale  është abandonuar totalisht, këto dekada të tranzicionit, duke i shkaktuar vendit një dëm ekonomik, së paku 30 miliardë  dollarë dhe vijoni të shkaktoni një dëm prej një miliardë dollar për ushqimet që importoni çdo vit.

Nuk mund të rri pa  sqaruar dhe problemet e tjera anësore, që rrjedhin nga qeverisja  aktuale e Shqipërisë.  Sado, që kanë rëndësi të madhe degët e bujqësisë: Ulliri, serat, pularitë, blegtoria, këto nuk janë krejt bujqësia, madje janë pjesa që derivohen nga bujqësia reale. Bujqësia reale, është  bujqësia që fillon me menaxhimin e tokës bujqësore. Të tëra degët e tjera e kanë burimin tek brazda e ugarit. Me të vërtetë pularia e Shijakut është moderne dhe prodhon vezë, për export, por i importon të tëra ushqimet. Këto lloj pularish u ngjajnë punishteve të fasonëve, që punojnë me material të porositësit. Do ta quaja sukses, po qe se misri dhe soja, që përbëjnë 80 % të racionit ushqimor të pulave , të prodhoheshin në fushat e Tërbufit, të Torovicës, të Rrushkullit  dhe të tërë vijës tonë fushore bregdetare, që është e vetmja në Ballkan dhe e famshme nga ana bujqësore në Europë. Misri dhe soja e pularive tona  vinë nga importi, që janë jo vetëm me çmime të kripura, por  dhe objekt i punësimit  të tjetërkujt, jashtë Shqipërisë.  Këto fusha të begata, janë në prag të kënetëzimit, pjesa e  Velipojës dhe e  Lezhës janë  krejt të kënetëzuara. Me këta fermerë, a zhvillon dot  ndonjë bisedë Kryeministri ? Kurrsesi jo !

Politikat tuaja bujqësore, në se mund të kesh guxim t’i quash politika, e abandonuan shkencën dhe institucionet shkencore, që i gjetët të nivelit rajonal. Këtë  nuk e them unë, por e kanë pohuar personalitete shkencore të fqinjve tanë.

Natyrisht fshatari, me demokracinë fitoi lirinë e vet dhe u bë pronar, por këto ia solli  sistemi i ri  ekonomik.  Njihet fakti që bujqësia ruan një imunitet relativ ndaj krizës financiare. Pushtetet e vendosura gjatë tranzicionit,  nuk kanë bërë as një hap të studiuar drejt progresit  shkencor, që po e kryen me sukses bota në krizë. Shqipëria ka bërë të kundërtën. Ku spikat ky  nënvlerësim , që është pak ta quash abuziv?  Megalomania  gjen shprehjen reale në këto shëtitje absurde kryeministrore .

Politikat e zhvillimit të ullirit janë sapun mbi gunë. Bujqësia reale është varrosur dhe toka bujqësore është jashtë funksionit. Sot që po shkruaj këto radhë modeste për gazetën DITA , 5 mijë ha tokë janë nën ujërat e Drinit dhe të Bunës. Nuk mund ta kuptoj se si Kryeministri dhe Ministër Genci , kanë guximin dhe u flasin shqiptarëve, për histori progresi.

Një gjë është e sigurt:  fshati dhe bujqësia shqiptare  do të ishin në një stad shumë më të avancuar, po qe se në drejtimin bujqësor të vendit do të ishte eliminuar ky drejtim arrogant , megaloman dhe  antishkencor. Vërtet kjo qeverisje është ‘historike’ , por  është qeverisja më destruktive, që njeh historia shekullore e shtetit. Faktet flasin vetë. Bujqësia është konkrete. Gjithçka shihet me sy, preket me dorë (dhe me portofol), dhe ndodhet prezent në tryezat e ushqimit të shqiptarëve. Kaq sa importohet sot, nuk ishte importuar as nën qeverinë zogiste .

 

*Ekspert i Bujqësisë, studiues 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *