Shtimi i rasteve të gripit ka ngritur në gjendje alarmi strukturat shëndetësore. Komiteti për përgjigjen ndaj gripit ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme mbledhjen e dytë, në të cilën është komunikuar shtimi i masave të gatishmërisë si shkak i tendencës në rritje të virozave gripale. Në mbledhjen e zhvilluar në drejtorinë e QSUT-së, Komitetit “Ad-Hoc”, i kryesuar nga ministri Ilir Beqaj, dhe i përbërë nga specialistë të shëndetit publik dhe shërbimeve universitare pasi analizoi situatën aktuale të gripit në vend, masat e marra dhe përgjigjen e deritanishme ndaj rasteve të paraqitura dhe atyre të dyshuara me grip, nënvizoi se Shqipëria vazhdon të përjetojë një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit dhe me prirje rritëse. Gjithashtu, komiteti morri në shqyrtim dhe analizoi paraqitjen në institucionet shëndetësore të rasteve të komplikuara të gripit, duke vënë re se, nga pikëpamja virologjike, Shqipëria karakterizohet këtë vit nga qarkullimi i virusit të tipit A [nëntipat A(H1) dhe A(H3)], në ndryshim nga viti i kaluar, kur ka qarkulluar edhe virusi i tipit B (zakonisht me virulencë më të ulët krahasuar me atë të tipit A), në një përqindje të konsiderueshme, gjë që shpjegon edhe paraqitjen e rasteve të rënda të komplikuara në shërbimet tona spitalore. Mostrat dërgohen për shqyrtim nga pikëpamja e mundësisë së ndryshimeve gjenetike dhe strukturore, në laboratorin e referencës së OBSH-së në Londër, dhe deri tani, nuk rezulton të kemi tipe apo nëntipë të reja virusi. Për të ndalur në kohë ndërlikimet që mund të çojnë drejt pasojave fatale për jetën komiteti kërkoi zbatimin korrekt të sistemit të referimit të rasteve me SRRA (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute) nga spitalet rajonale drejt atyre universitare, si dhe vlerësoi punën e deritanishme të mjekëve në qendrat shëndetësore dhe njësitë e tjera të kujdesit parësor, dhe kërkoi përdorimin e plotë të këtyre shërbimeve nga popullata. Ndërkohë, komiteti kërkoi intensifikimin e komunikimit me mjekët lidhur me udhëzimet më të fundit për përdorimin e barnave antiviralë, dhe ngarkoi ISHP-në dhe specialistët e shërbimeve përkatëse të vazhdojnë më tej informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët. “Prej javës së 3-të të muajit Tetorit 2013 deri më datën 28 Shkurt 2014 janë dërguar në ISHP 476 mostra nga persona të dyshuar për Grip. Gjithsej, 72 (15%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e Gripit. Rreth 36 prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 36 me virusin A(H1). Numri i rasteve me SRRS (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute) rezulton të jenë 134, prej të cilëve, 3 janë me A(H1) dhe 7 me A(H3)”, sqarohet nga komiteti i emergjencës.
Kategoria më e rriskuar
Rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i AH1N1 është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore. Pjesë e grupit të riskut janë edhe pacientët që vuajnë nga probleme të veshkave, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët. Pikërisht këto kategori duhet të bëjnë kujdes dhe të kërkojnë ndihmën e mjekut sapo të bien në kontakt me simptomat e para si temperaturë e lartë, kollë e fortë, dhimbje muskujsh e gjymtyrësh, probleme me frymëmarrjen, dhimbje koke, sekrecione nga hundët , etj.
Shfaqen para kohe alergjitë e stinës
Spostohet sezoni i alergjive. Temperaturat e larta të shfaqura gjatë javëve të fundit ndonëse të pazakonta për stinën, krahas gjendjeve gripale kanë ndikuar edhe në shfaqjen më të shpejtë të alergjive. Mjekët alergologë sqarojnë se nuk kanë qenë të pakta rastet, në të cilat pacientët kanë manifestuar komplikacione të formave të ndryshme alergjike, të cilat kanë si shkaktar çeljen e parakohshme të luleve, apo barit. Gjatë kësaj periudhe pacientët duhet të bëjnë kujdes, pasi ngjashmëria e simptomave të gripit me alergjitë bën që shpesh këto sëmundje të ngatërrohen dhe të mos marrin trajtimin përkatës.
Për të bërë dallimin pacientët duhet të dinë që alergjitë nuk shoqërohen me temperaturë të lartë apo këputje, sikundër ndodh në rastet e gripit. Në listën e të prekurve, krahas të rriturve të shumtë në numër po shfaqen edhe fëmijët e vegjël. “Nëse kemi rënie të temperaturës dhe reshje shiu, normale që situata do të jetë e qetë.
Nëse do të vazhdoj koha e thatë dhe me rrezatim diellor, gjithashtu me temperaturë mbi 18 gradë celsius, rastet alergjike do vijnë duke u shtuar. Shenjat e para janë shenjat që i përkasin alergjive të rrugëve të frymëmarrjes dhe më pak alergjitë e lëkurës. Rrugët e frymëmarrjes preken më shumë të pjesëve të sipërme, pra hunda, gryka, trakea, laringu, sklerat e syve, etj.
Nëse kemi rruf këtë vit, vitin tjetër mund të kemi kollë dhe marrje fryme, që është azma bronkiale vazhdimësi e rrufës. Përballemi me të njëjti problem, por që zbret në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Prandaj është i nevojshëm diagnostikimi sa më i shpejtë i tyre”, shprehet mjekia alergologe Fatmira Xhixha.
