Rreth 500 kg marijuanë janë bllokuar nga policia e Gjirokastrës gjatë operacionit të koduar “Periferia”. Lënda e mbështjellë në boçe ishte futur në 10 fuçi plastike dhe 10 thasë plastmasi është kapur në periferi të Lazaratit në një automjet me targa false AA 090 AL.
Automjeti i dyshimtë është pikasur nga policia ndërsa lëvizte në një rrugë dytësore për në drejtim të Gjirokastrës, gjatë mbrëmjes së të shtunës.
Drejtuesi i automjetit, duke përfituar nga errësira, ka arritur të largohet, por policia bën të ditur se e ka identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
Gjithashtu, në automjet janë gjetur edhe dy armë zjarri kallashnikov dhe dy krehra me fishekë.
Dyshohet se lënda narkotike dhe armët kanë qenë të fshehura dhe poseduesit e drogës duke pasur presionin e policisë, e cila po vijon kontrollet çdo ditë në Lazarat, kanë tentuar ta nxjerrin jashtë fshatit, me qëllimin për ta trafikuar.
