Letër e nënshkruar,
Veledin Abazi
Ariu gaztor koncertet i ka pjesë të pandarë të jetës. Pa ato koncerte,ai nuk rron dot. Pavarësisht se ato i bëjnë spektatorët të qeshin apo të qajnë. Ai përgatitet çdo ditë për koncertin e të enjtes. Prestigjator i përkryer tërheq vëmendjen e spektatorëve që nisin diskutimet, thashethemet për mashtrimet, të vërtetat…Ariu hedh gurin në pusin e kukullave spektatorë. Ai mbaron koncertin e ditës dhe largohet i qetë se e kreu detyrën. Paskoncerti i ariut kthehet në fushëbeteje, sa harrojnë edhe të ushqehen, apo hanë me turne dhe kthehen sërish. Pasi u kanë shteruar të gjitha fuqitë dhe mendja ka filluar ta mbyllë perden e koncertit, çuditen me vete.
Kalojnë ditët e ata fillojnë jetën normale, me marrëveshje e mirëkuptime, tërheqje të litarit e lëshime, orekse të plotësuara e synime të reja… Po dita e enjte vjen shpejt dhe ariu gaztor do të paraqesë numra të rinj në spektaklin e tij. Betejat midis spektatorëve do të rifillojnë. Shikojmë në ekranet këto farsa bajate dhe sa e sa të tjera në studiot televizive dhe me dhëmbë të shtrënguar mendojmë:
Më mirë të mos kishte fare të enjte të tilla! Më mirë të mos kishim votuar për këta parlamentarë. Më mirë djepin bosh, se shejtanin brenda!
