Letër e nënshkruar
Elta Liksenaj
Nëse u referohemi 8-marseve të shekullit pararendës, të paktën botërisht kjo ditë me simbolikën e saj i bën thirrje si mendjes edhe ndërgjegjes për të reflektuar dhe kërkuar të drejtat tërësisht apo pjesërisht të cenuara. Nëse ka apo jo çështje kaq themelësisht urgjente në vendin tonë, për të ngritur zërin kolektivisht këtë e dëshmojnë evidencat vjetore në dhunën ndaj grave, dhe së fundmi jetët e shuara të dy femrave në rrethqarkullimin e vetëm dy ditëve: 7 dhe 8 mars! Por ky 8 mars na bëri që mes lebetitjes së dy duarve në kokë dhe zërit të dridhur një pjesë e mirë e gjinisë femërore (por jo vetëm), të shqiptonin: “Edhe kjo ndodhi prapë?” Trendi më i ri i festimeve të shfrenuara femërore nëpër klubet e natës mund të cilësohet si thjesht i papërsëritshëm – sidomos kur shfaqjes së shëmtuar i vishet simbolika krejt e ndryshme e kësaj dite.
Në një ngjarje të tillë, protagonistet ose kanë humbur nocionet e limiteve mes argëtimit estetikisht të pranueshëm ose me skenat e atij vulgariteti skajshmërisht të pështirë po mundoheshin të mbushnin boshllëqet që u ka krijuar jeta/fati/rrethanat. Dhe kur pasioni i keq ja zë vendin arsyes, dyshoj për vendin që i mbetet emancipimit të grave – të atyre që kërkojnë të jenë shoqe më solidare, nëna më të dhimbsura, bashkëshorte praktikisht më të arsyeshme! Emancipimi i vërtetë është ai që nis nga kontrollimi dhe orientimi i vetes.
