Po t’i referohemi të dhënave statistikore të inventarit kombëtar të pyjeve në letër fondi pyjor dhe kullosor zë sot rreth 62% të sipërfaqes së Shqipërisë (1.5 mln ha pyje dhe 480 mijë ha kullota, (sipas inventarit më të fundit, 2004), nga të cilat 36 për qind janë pyje, 18 për qind kullota dhe 8 për qind sipërfaqe me bimësi pyjore, djerrë e inproduktive. Nëse do të ishin vërtetë të tilla në sipërfaqe dhe vëllim, këto do të përbënin një pasuri të madhe kombëtare në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit, sidomos atij rural. Sepse gjatë tranzicionit u prenë në mënyrë të parikuperueshme dhe 100 mijë ha, ku nuk u kursyen dhe drurët e mbjellë anës rrugëve automobilistike kombëtare në rreth 150 km linear, ku ende s´janë ripyllëzuar dhe janë një dëshmi e vandalizmit sonë. Ndërkaq u degraduan mijëra ha të tjerë apo u kthyen në shkurre e toka djerrë, shumica e të cilave janë ende të pazëvendësuara. Janë zaptuar rreth 50 mijë ha territore në bregdet dhe zona të tjera me vlera te veçanta natyrore e biodiversiteti, duke shkatërruar me vandalizëm pyllëzimet e zonës bregdetare, rivierën e vendit dhe qendrat turistike dhe rrezikuar në mënyrë të parikthyeshme potencialet e zhvillimit të vendit, që nga Velipoja (Shkodër) e Kune-Vaini (Lezhë), Patoku (Kurbin) e duke vazhduar ne Gjirin e Lalëzit e Golem (Durrës), Divjakë (Lushnjë) dhe deri në rivierën e Vlorë-Sarandës, etj., fenomen ky që vazhdon ende, megjithë kuadrin ligjor të miratuar, konventat e ratifikuara nga vendi ynë dhe V KM-të për këtë qëllim (Dajt, Karaburun etj). Janë dëmtuar rëndë dhe janë në gjendje të shkatërruar zonat që janë biokoridore të rëndësisë ndërkombëtare si masivi PK-Lurë, Dajt-Bizë-Martanesh, Bozdovec, Gërmenj-Shelegur, riviera bregdetare dhe u prenë shumica e kurorave të qyteteve. Për ironi, ka patur dhe një VKM Nr. 692, datë 14.10.1996, “Për miratimin e PK-Lurë si objekt i rëndësishëm”(vendim që nuk u zbatua asnjëherë dhe sot Lura nuk është më PK-?!). Pyjet, përveç rrudhjes së sipërfaqes që pësuan nga sistemi i kaluar (në rreth 300 mijë ha) paguan një haraç edhe më të madh gjatë këtyre viteve të fundit dhe u shfarosën në mënyrë të parikthyeshme rreth 100 mijë ha dhe u dëmtuan rëndë dhe po dëmtohen dhe digjen çdo vit rreth 30-50 mijë ha pyje dhe kullota dhe nuk ka asnjë investim rehabilitues.
Kohët e fundit për t’i thënë stop abuzimeve me pyjet është hedhur ideja e një moratoriumi për pyjet. Por, a mund të “shpëtojnë” pyjet nga ky moratorium? Nisur nga shfrytëzimi ilegal dhe trafikimi i materialit drusor (ku çdo vit në mënyrë të paligjshme janë prerë dhe eksportuar rreth 1.5-2 mln m3 material drusor, nga e cila rreth 1.5 mln m3 janë dru zjarri dhe nga e cila prodhohen dhe qymyri i drurit që del jashtë (kjo e stimuluar dhe nga parimet e pranuara të antarësimit të Shqipërisë në OBT (Organizata Botërore e Tregtisë)… u mor iniciativa dhe doli një VKM Nr. 648 datë 13.12.2002 për “Ndalimin e përkohshëm të prerjes së lëndës drusore, me përjashtim të asaj që përdoret për dru zjarri”, i cili u abrogua pasi mbeti i pazbatueshëm. Shqipëria, megjithë gjendjen e rëndë të pyjeve dhe daljen nga kontrolli të prerjeve ilegale të tyre, nuk mund dhe nuk duhet të bëjë moratorium për shfrytëzimin e pyjeve (se kjo s’mund të ndalohet se fshatarësia në zonat rurale do ngrohet me dru zjarri ) por mund e duhet të adoptojë një moratorium rajonal të shfrytëzimit të pyjeve (me përjashtim të druve të zjarrit dhe kjo vetëm për plotësimin e nevojave të fshatarësisë), dhe moratorium kombëtar për eksportet e materialit drusor për një periudhë të pacaktuar. Ndërkohë, të bëhet promovimi i maksimizimit të funksioneve turistike dhe publike të pyjeve, deri në një rivlerësim të gjendjes dhe rikuperimit të pyjeve dhe ekosistemeve pyjore (mbi 10-vjet). Kjo ka qenë dhe pika e parë e objektivave strategjike që në vitin 2004. Gjithsesi, kërkohet domosdoshmërisht një politikë e re për ringritjen e sektorit të pyjeve dhe të Shërbimit Pyjor në Shqipëri.
*Specialist për pyjet
