Shfrytëzimi i pyjeve nga prerjet e paligjshme, problem Shkodra dhe Korça

anazapta

Penalitetet e paralajmëruara nga strukturat e mjedisit nuk i kanë trembur aspak shfrytëzuesit e lëndës drusore, të cilët po shtojnë edhe më shumë masakrën e prerjes së paligjshme të pyjeve. Kjo problematikë shfaqet më e theksuar në veri të vendit, kryesisht në Dibër, Shkodër e Lezhë, teksa abuzime të shumta janë konstatuar edhe në Korçë, Elbasan dhe tiranë. Kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Ergys Agasi, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se është vënë re një tentativë e subjekteve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, për të falsifikuar dokumentacionin e kërkuar. Ndaj tyre janë vendosur masa të shumta ndëshkimore duke filluar nga gjobat, e deri tek ndjekjet penale. Drejtoria e Policisë Pyjore pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, ka nisur inspektimet e radhës në lidhje me shfrytëzimin e paligjshëm të pyjeve, si pasojë e të cilave pohohet se deri më datën 12 maj, janë sekuestruar jo pak por 342 m3 lëndë drusore. Ndërkohë që 27 subjekte dhe persona janë gjobitur dhe dërguar për ndjekje penale për shfrytëzim të paligjshëm të pyjeve në kryesisht në Dibër, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Duke u ndalur konkretisht në të dhënat e raportuara nga strukturat zyrtare të Ministrisë së Mjedisit rezulton se në Dibër janë sekuestruar 3 makina me materiale drusore, teksa 3 shtetas janë dërguar për ndjekje penale dhe janë gjobitur 5 shtetas të tjerë me një vlerë prej 80 mijë lekë të reja për secilin. Në total në këtë zonë janë sekuestruar 28 m3 lëndë drusore. Më tej në qytetin e Korçës, 7 subjekteve u është bllokuar lëndë drusore zjarri, të llojit “ah” dhe “pishë”. Në këtë qytetet 3 prej subjekteve janë dënuar me gjobë, ndërsa 4 subjektet e tjera janë çuar për ndjekje penale. Kështu, në Korçë deri më 12 maj janë sekuestruar 95 m3 lëndë drusore. Ndërsa në Shkodër pesë subjekte kanë rezultuar të parregullta dhe për pasojë 4 prej tyre janë çuar për ndjekje penale dhe ndaj një subjekti është marrë masa me gjobë. Kjo pasi në këtë qytet si rezultat i kontrolleve të kryera janë sekuestruar 114 m3 lëndë drusore. Në Lezhë janë ndaluar 4 kamionë me lëndë drusore zjarri dhe janë marrë masat me gjobë ndaj 4 shtetasve që i transportonin pa dokumentacionin përkatës, ndërkohë që në total në këtë qytet janë sekuestruar 24 m3 lëndë drusore. Në Elbasan gjatë datës 12 maj janë sekuestruar 45 m3 lëndë drusore dhe janë dërguar për ndjekje penale 4 subjekte, ndërsa është sekuestruar lënda drusore 9 kamionëve, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës. Abuzime me shfrytëzimin e lëndës drusore janë vërejtur edhe në kryeqytet, ku nga inspektimet është bërë i mundur sekuestrimi i 36 m3 lëndë drusore, teksa janë gjobitur 2 persona që transportonin këtë lëndë,ku një prej tyre është çuar më pas edhe për ndjekje penale. Autoritetet e mjedisit sqarojnë se në këtë kohë inspektimet do të jenë të vazhdueshme në të gjithë vendin.  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *