Këshilli i Ministrave ka miratuar dje projektvendimin “Për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr .725, datë 23.12.2000, “Për regjimin e tranzitimit të duhaneve dhe cigareve”
Projektvendimi “Për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr .725, date 23.12.2000, “Për regjimin e tranzitimit të duhaneve dhe cigareve”, propozohet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8449, date 27.1.1999, “Kodi doganor i Republikës së Shqipërisë”. Sipas relacionit, synimi i vendimit të vitit 2000 ka qenë rregullimi nënligjor i procedurave të tranzitimit të duhaneve nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë, me disa kushte. Por, relacioni i Ministrisë së Financave shpjegon se për arsye të procedurave dhe kostos së lartë, nuk ka pasur interes nga subjektet që të tranzitonin nëpërmjet territorit të RSH të tilla produkte. Ndër vite nuk janë dhënë leje të tilla tranzitimi dhe subjektet kanë përdorur vende të tjera për të bërë tranzitim të produkteve të duhanit. Shfuqizimi i kësaj VKM është kërkuar edhe nga Administrata doganore për arsye se ky akt bie ndesh me parashikimet e ligjit 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe konkretisht me nenin 2 pika 5, nenin 30, 31, 33 etj.
