Pesë çifte në ditë divorcohen sot në Tiranë. Edhe pse kjo është një periudhë dasmash, ku dëgjojmë çdo ditë bori makinash që festojnë lidhjen në martesë të një çifti, nga ana tjetër, na shfaqet një realitet ndryshe. Në ato dhomat e vogla të Gjykatës së Tiranës ku merren vendime për padi civile, po bëhet kërdia me ndarje. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, 1 220 çifte i kanë dhënë fund kontratës së tyre të martesës në këto 8 muaj. Lista është e gjatë, në të mund të gjesh komshinj, të afërm, të njohur, e plotë emra anonimë. Teksa po shfletonim me vëmendje për shkaqet e ndarjeve, në këto vendime mësuam se edhe Romeo e Zhuljeta janë… divorcuar. Po, po. Ndryshe nga personazhet e Shekspirit, këta tanët e kanë zhvilluar pak më shumë dashurinë e tyre. Por vetëm në pamje të parë. Mësojmë se ata kanë lidhur martesë ligjore në vitin 2010 dhe në muajin Mars të këtij viti i kanë dhënë fund jetës së tyre familjare. Nga kjo martesë ata kanë tri fëmijë, për të cilët gjykata në fund të shqyrtimit të çështjes ka ngarkuar babain, Romeon me rritjen dhe edukimin e tyre. Në fund nuk dimë të themi nëse këtë çift i ka bashkuar dashuria apo simbolika e emrave të tyre.
Duke u ndalur pak më shumë në këtë histori mësuam se Romeo ka lindur në Tiranë dhe Zhuljeta në Korçë. Në fillim të lidhjes së tyre çdo gjë ka shkuar mirë, më pas dashuria është venitur. Në vendimin e gjykatës që ne kemi siguruar thuhet se “Me kalimin e kohës midis palëve kanë filluar grindjet dhe mosmarrëveshjet të cilat e kanë tronditur thellë martesën duke e bërë të pamundur bashkëjetesën mes palëve”. Në seancën gjyqësore Romeo shpjegoi se shkak i tronditjes së martesës është bërë pikërisht fakti që Zhuljeta ka braktisur banesën bashkëshortore dhe fëmijët, duke shkelur dhe detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë si nënë.
Romeo gjithashtu ka rrëfyer se që nga momenti që Zhuljeta është larguar nga banesa bashkëshortore, ai është përkujdesur vetë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Më tej, avokati i saj shpjegoi në seancë gjyqësore se martesa midis palëve e ka humbur qëllimin për të cilin është lidhur pasi midis tyre mungon dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Po nga kjo palë gjatë seancës është mësuar se shkaku që Zhuljeta është larguar nga banesa familjare është bërë bashkëshorti, i cili herë pas here e ka keqtrajtuar gruan dhe nënën e fëmijëve të tij, e ka fyer dhe e ka detyruar atë të dalë të punojë (duke bërë punë të rëndomta si për shembull të mblidhte copa hekuri). Në momentin e zhvillimit të divorcit (5 muaj më parë) palët nuk bashkëjetonin me njëri-tjetrin.
Romeo së bashku me tri fëmijët jeton në Shqipëri ndërsa Zhuljeta në Itali. Kështu që në një vendim të datës 31 Mars 2014, gjykata vendosi divorcin e çiftit dhe lënien e fëmijëve nën kujdestarin e babait, duke i dhënë të drejtën e plotë nënës për t’i takuar dhe vizituar ata. Mesa duket, në asnjë kohë, një Romeo dhe një Zhuljetë nuk qenka e thënë që të përfunduakan bashkë.
Shkaqet
Për t’u përhapur në mënyrë të përgjithshme në shkaqe, vërejmë një fakt interesant. Ndikimi i telenovelave në familjen shqiptare duket se radhitet si një ndër shkaqet kryesore të ndarjeve. U habitëm kur prekëm këtë konstatim në zyrat ku bëhen ndarjet në gjykatën e Tiranës, por ja që është e vërtetë. Këto shifra të larta që raportohen herë pas here për divorc, në shumë raste të duket sikur është kthyer në modë, të ndahesh, të ribësh një jetë prej beqari dhe të rimartohesh sërish. Shifrat që na vijnë nga organi gjykues i kryeqytetit tashmë nuk na habisin më, sepse vit pas viti numri është në rritje. Por, vlen të bëhet një panoramë se çfarë ndodh në zyrat e gjyqtarëve për çështjet civile e familjare dhe për të kuptuar më shumë me anë të psikologëve se përse ndahen çiftet sot.
“Divorcet ndodhin për disa arsye: E para sepse u përfundon dashuria për njëri-tjetrin, e dyta sepse e tradhtojnë njëri-tjetrin, e treta sepse nuk janë dashur kurrë, por kanë jetuar në gënjeshtër, e katërta sepse gjejnë dikë tjetër që i përmbush shpirtërisht, e pesta sepse njeri nga partnerët shkel marrëveshjen dhe dëmton familjen (pi, luan bixhoz etj). Dhe tjetra, sepse është bërë si modë që duhet ndonjë divorc në jetë. Shikojnë telenovela. U duket jeta si nëpër filma. Ka shumë çifte të sotme që duke parë telenovela kanë nisur të bëjnë një jetë të shthurur për normat ekzistuese… për të qenë më të qartë, ka raste që gratë shoqe ndryshojnë burrat për eksperiencë apo e kundërta, nuk janë shumë, por ka”, na pohon gjyqtarja e gjykatës së Tiranës e cila dëshiron të mbetet anonime.
Raporti
Në 8 muajt e fundit, vetëm në Gjykatën e Tiranës ka pasur 1220 çifte të ndarë, që i bie që gjykata për çdo ditë pune ka ndarë 5 deri në 6 çifte kryeqytetase. Dhe paditë civile me objekt “zgjidhje martese” që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues bëhen gjithmonë më të shumta. Ata që ngrenë padinë në më të shumtën e rasteve janë meshkuj, por vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe numri i femrave. Po t’u hedhësh një sy “letrave”, të gjitha fillojnë me: “Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok, pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjen dhe mosmarrëveshjet…”. Nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet. Martesa duket se po bëhet përherë e më shumë një marrëdhënie delikate. Në kohën moderne të gjithë sociologët e martesës flasin për ndërtimin e marrëdhënieve të ekuilibruara midis çiftit, i cili për të mirëmbajtur martesën apo për ta miratuar atë duhet të ndërrojë relacione xhonglerësh për të shmangur kërcitjet, konfliktet dhe thyerjen e saj përmes divorcit. Tregon emancipim apo shkatërrim? Sociologu Gëzim Tushi i pyetur nga “Dita” lidhur me këto shifra, pohon se “Loja me divorcet është bërë shumë e rrezikshme, tejet shqetësuese me pasoja të rënda sociale, ekonomike, edukative dhe me ndikim dezintegrues dhe dobësues në kohezionin social të vendit”.
Dhe vjen një moment kur ndodhemi përpara pyetjes nëse kjo rritje tregon emancipim apo përkundrazi, shkatërrim?
“Unë besoj se do të ishte naivitet nëse këto shifra alarmante dhe të papërgjegjshme të divorcit do t’i konsideronim si tregues të emancipimit të martesës në Shqipëri apo ndryshimeve progresive që ka pësuar tipologjia e martesës. Dimensionet e divorcit që vitet e fundit në Shqipëri janë më shumë se 6 mijë në vit e kanë bërë atë “kazmë” që po shkatërron martesën dhe në një farë mënyre edhe strukturën relativisht të qëndrueshme të familjes shqiptare, e cila pa asnjë mëdyshje duhet konsideruar në vetvete si një tregues pozitiv “sui generis” i shoqërisë shqiptare.
Përse po divorcohemi kaq shumë?
Analiza e shkaqeve të divorceve janë të shumta. Ato fillojnë nga ato morale dhe shpirtërore e deri tek problemet ekonomike e sociale. Nuk ka shkaqe deterministe që ndikojnë tek divorci, por megjithatë me sa duket problemet e komunikimit bashkëshortor, dyshimet për çështjet e besnikërisë bashkëshortore dhe perceptimi nganjëherë primitiv i determinantëve fizikë dhe seksualë të martesës, problemet e keqadministrimit të vetes dhe bashkëshortit, ndikimet helmuese të familjeve të origjinës, etj janë shkaqet që ndeshen më shpesh në sallat e gjyqit dhe që bëhen determinante të pashmangshëm për divorcin.
A e ka humbur funksionin dhe qëllimin martesa?
Martesa është një lidhje me shumë qëllime dhe funksione. Është institucion me rëndësi i jetës private, por dhe institucion themelor i organizimit të jetës sociale. Martesa nuk është institucion vetëm i seksualitetit, sepse me sa duket kjo është gjëja që po i ngatërron më shumë të rinjtë e sotëm të cilët nisen në martesë me idenë se atje do të gjejnë vetëm një parajsë seksuale dhe që pastaj pësojnë zhgënjime nga që pritshmëritë e tyre nuk përputhen me realitetin. Padyshim, njerëzit nuk martohen as thjesht për të mos mbetur vetëm, sepse martesa nuk është ilaçi që shëron vetminë. Njerëzit martohen për një tërësi shkaqesh dhe qëllimesh që kanë të bëjnë me vazhdimësinë, trashëgiminë, kënaqësinë e lidhjes intime, nevojën e krijimit të aleancës mbështetëse dhe krijimit të familjes që është vendi më i shenjtë i tokës. Askush nga ata që i ka bërë “bisht” martesës është e pamundur që të mos jenë penduar kur ka ardhur koha e bilancit përfundimtar të jetës. Liberalizimi i seksualitetit dhe mundësitë e sigurimit të relacionit seksual jashtë apo pavarësisht nga martesa është një iluzion që e kanë të rinjtë, të cilët kur kalojnë moshën e kuptojnë gabimin e pakthyeshëm që kanë bërë. Martesa ka dialektikën e vet të socialitetit dhe seksualitetit, sepse ai është institucioni i bashkëjetesës, mbështetjes reciproke, solidaritetit dhe humanizmit midis atyre që lidhin martesën dhe që e çojnë atë deri në fund. Sa më e vjetër bëhet martesa aq më shumë lumturi ndjen njeriu kur bën bilancin e produkteve të saj. Mesa duket martesa paska nevojë për “periudha kalimi” dhe testim e verifikim të anëve që duhen dhe që garantojnë martesën.
Nga 100 martesa shqiptare, 16 përfundojnë në divorc
Një javë më parë “Open Data Albania” ka përditësuar të dhënat lidhur me numrin e martesave dhe divorceve të shënuara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile deri në vitin 2013. Në pesë vitet e fundit (2009-2013), sipas këtij grupi hulumtues, numri i martesave ka ardhur duke u ulur për të shënuar në vitin e fundit një ngritje me vetëm 4% krahasuar me vitin pararendës. Nëse në vitin 1990 shënohen 28992 martesa, sipas ODA-s në vitin 2013 shënohen 23820. Pra, në harkun kohor të 23 viteve, ODA vlerëson se numri i martesave ka pësuar një rënie me 18%.
Raporti i plotë i “Open Data Albania”
Qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës, në të cilin në vitin 2013 janë kurorëzuar 5231 çifte. Ky qark përbën 22% të totalit të martesave të këtij viti. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë Elbasani, Fieri e Durrësi me mbi 2000 martesa të regjistruara pranë Gjendjes Civile.
Në raport të zhdrejtë me martesat, numri i divorceve ka pësuar rritje në këto 23 vite. Nga 2675 divorce të shënuara në vitin 1990, në 3747 në vitin 2013.
Dy faktorët që tregojnë ndryshimin e sjelljes sociale në vendin tonë janë dhe koeficienti bruto i martesës si dhe koeficienti i divorcit. Koeficienti bruto i martesës është numri i martesave për 1.000 banorë në një vit të dhënë, ndërsa koeficienti i divorcit është numri i divorceve për 100 martesa në një vit të dhënë.
Në vitin 1990, për njëmijë banorë realizoheshin gati 9 martesa, ndërsa në vitin 2013 ky indikator ishte 8.2. Ky koeficient përmban një marzhë të lartë gabimi për shkak të metodologjisë përllogaritëse nga Instituti i Statistikave. Ndërsa numri i martesave merret nga Regjistri Kombëtar ku shënohen edhe martesa të shtetasve shqiptarë jo rezidentë në vend, popullsia llogaritet sipas censusit të fundit, ku nuk shënohen emigrantët rezidentë në vende të huaja por ende me shtetësi shqiptare.
Nga ana tjetër, koeficienti me 15.7 divorce për njëqind martesa në vitin 2013, dëshmon për një etapë të re të modelit social të shoqërisë shqiptare. Në këtë vit për çdo 100 martesa që realizohen 16 përfundojnë në divorce.


Martesa esht thjesht interes, dashnorja ose dashnori ka me shum dashuri?ne kapitalizem
Martesa e vertet ështe lidhje zemrash dhe,…. zgjidhje brekësh.
Kur brekët rrin te lidhura,ather fillon tatpjeta e martesës. 😉
CAVEZI I NDAKOI FARE TELENOVELAT,PO NJRZIT FILLUAN TE FLISNIN SE QE DIKTATOR PRANDAJ E BERI. NE SHQIPTARET JEMI NJERZIT ME ME KOMPLEKSE NE BOTE,DHE NE NUK NA BEJN MIRE GJERAT E EKZAGJERUARA. NE DHE DEMOKRACIA NA BERI DEME TE MADHE,NE DUHET TE HAPESHIM ME KUJDES SI PO HAPEN KINEZET. NE SHQIPTARET E FAMILJES E NDERIT E RESPEKTIT I KEMI HARUAR FARE KETO VYRTYTE. DHE ATA QE I KAN TE TJERET I SHIKOIN ME SYRIN E KEQ. SI TE PRAPAMBETUR DHE SI IDIOTER. ZOTRINJE KEMI ARDHE NE KETE BOTE QE TE IKIM NA KJO BOTE SA TE KEMI MUNCI DHE ME TE PASTER. FAMILJA PER 1 NJERI NORMAL ESHTE MUNDI DHE DJERSA E GJAKU I GJITHE JETES. KUSH KA FAMILJE TE SHENDOSHE DHE FISNIKE KA FUTUAR NE KETE DYNJA. TE BEJM KUJDES PER FAMILJEN,TE BEHEMI COPA PER TE,BURRA EDHE GRA.FAMILJA FAMILJA FAMILJA KJO DUHET TE JETE NE MENDJEN TONE CDO SEKOND TE JETES TONE,SE PER FAMILJEN JETOIM.FLM
E kini mirë “beni”? Familja duhet ruajtur sepse është shkarkesa me serioze e streseve të përditëshme të kësaj shoqërie,është vatra e ngrohtë e humanizmit,ciltërsisë,dhembshurisë,trashëgimisë etj.etj. Znj. Entela iu ka bërë një autopsi të plotë shkaqeve të shpartallimit të familjes shqiptare dhe unë bie plotësisht dakord me analizën e saj. Por them se problemi i dhimbshëm i divorceve qe përjeton kjo shoqëri e ka shkakun edhe te detyrimet e dobëta ligjore qe kanë bashkëshortët ndaj familjes!? Prandaj është më i lehtë shkatërrimi!? Eshtë më i lehtë sepse nuk janë të fortë ligji apo rregullat e lidhjes? Ligji dhe rregullat janë të lehtë për lidhje dhe të dobët për vazhdimin? Mandej shoqeria jonë ka shumë semundje qe nuk mund te mos reflektohen edhe në semurjen e trungut familjar. Një shoqëri e semurë është dhe një familje e semurë. Një shoqëri e dobët moralisht induktohet edhe te familja dhe te martesa? I është dhënë shumë liri perversitetit. Liria për mua duhet të jetë e kontrolluar. Liria jashtë kontrollit e dobëson dhe e nxjerr familjen gjithashtu jashtë kontrollit. Edhe shembujt negative të shtetarëve kanë ndikuar për keq. Nano u kujtua të rimartohet kur po plakej apo jo? Kjo ju tha shumë shqiptarëve “bëni si unë”? Po se mos vetëm nano? Politikanët tani janë një shumicë të martuarish e rimartuarish nga dy e tre herë!? Dukuri e ndërlikuar për ta spjeguar…? Bravo. Entela që ke kapur një temë kaq të ndjeshme për shoqërinë shqiptare e cila duket se ka rrjedhur fare!? Nderime!
Edi Rama ka nderuar deri tash 4 gra publikisht dhe nuk i ka hyre gjemb ne kembe nga mungesa e ligjit qe nuk i mbron grate qe nuk kane vellezer persembari qe t’i hiqnin koken Rames, perkundrazi, Pama pasi i ndan apo i leshon grate, i marton dhe burrat ua ben ministra e drejtore. A ka model me te mire? Dhe ne e votojme dhe e bejme kryminister. Pra jemi si popull model i injorances
Nuk ka te beje se nderon 4 gra politika..? Shumica e politikanve kan nderuar partneren ose partnerin! Kancelari gjerman chroder4 gra anxhela te dytin burre francezi sakozi e shm e shum te tjere,,, ! Cdo sistem politik qe praktikohet ne bote, ka prioritet familjen, sepse ajo percakton edhe problemet me te medha ne ekonomi ne mbarvajtjen e sistemit politik! Tek vendet perendimore sot per sot ne 10 martesa 8 perfundojn ne divorc e 2 mundet te jetojne..?pse ndodh kjo…? Kultura qe prodhojne vendet perendimore ju jep shancin cdo individi te provoje e te shijoje cdo mundesi qe i jepet njeriut ndoshta edhe nepermjet mashtrimit kur flitet per martesa te reme, per te perfituar dicka qe te dy partneret, sepse te dy deklarojne ne dhenjen e librit te kurrorzimit dashurine, por qe kjo dashuri nuk mundet te jet e gjat per arsye te ndryshme! Tek kultura jone martesa ka qene nje domosdoshmeri, per te perballuar sfidat e jetes, por edhe probleme kulturore sidomos tek ata te kultures orientale, sepse ndryshon nga ajo oksidentale per shum arsye? Ka gra ose burra qe tolerojne ne mardhenje ndaj te tjerve ose te tjerave, dhe gelltitin cdo gje per hir te familjes! Kjo esht mencuri sepse nuk esht e mundur qe ndergjegjia e cdo individi ne kurrore te jet e pa dyshimte! Kjo esht absurditet!
Nuk me duket normale qe te dalin kaq shume informacione mbi te dhenat personale!
Thjesht meqe keni fshire mbiemrin, mendoni se jeni ne rregull me ruajtjen e te dhenave personale te njerezve?!
Uroj te jete nje histori e sajuar i shitur sikur te ishte nje e vertete….