93% e parave hua janë marrë që në gjashtë muajt e parë!

anazapta

Qeveria në ikje po i lë “trashëgim” qeverisë së re të shtatorit dhe gjithë shqiptarëve financa publike të rrënuara plotësisht. Të dhënat për gjendjen financiare në fund të 6-mujorit të parë 2013 janë më shumë se dëshpëruese. Së pari, të ardhurave tatimore u mungojnë 17 miliardë lekë, ose 137 milionë euro (rreth 11 përqind  të të gjithë të ardhurave tatimore të një viti), nga të cilat të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 10.4 miliardë lekë (ose 71 milionë euro), nga akciza 2.6 miliardë lekë (ose 18.5 milionë euro) e me rradhë.

Duke u futur në garën më të ethshme elektorale të historise se tranzicionit tonë, qeveria në ikje në 6 muajt e fundit zbatoi politika krejtësisht të papërgjegjshme fiskale me efekt negativ në të ardhurat buxhetore (heqje e një sërë taksave), me te ardhura të munguara në buxhetin e shtetit për periudhën e mbetur të vitit 2013 në rreth 5.2 miliardë lekë, ose 38 milionë euro. Nga disa parashikime për të ardhurat deri në fund të vitit, duke shtuar këtu edhe efektin e paralizës, shkrehjes së plotë të administratës fiskale në këtë periudhë të tranzicionit qeverisës, vlerësohet se buxhetit do t’i mungojnë rreth 32 miliardë lekë (226 milionë euro).

Këto para janë 15 përqind e të gjithë të ardhurave buxhetore! Së dyti, shpenzimet buxhetore gjatë 6 muajve janar-qershor 2013 për efekte zgjedhore kanë qene të çmendura. Ato janë tejkaluar me rreth 9 miliardë lekë (ose 67 milionë euro), duke e shtuar ndjeshëm defiçitin buxhetor. Pasojat katastrofike të këtyre shpenzimeve do të pasqyrohen tek  detyrimet e prapambetura, të cilat do të thellojnë më tej defiçitin e buxhetit të shtetit, duke rrezikuar t’ia lidhin duart qeverisë së re. Huamarrja e brendshme në këta 6 muaj është tejkaluar për rreth 3 miliardë lekë, duke realizuar një shumë prej 25.2 miliardë lekë (qeveria ka marre borxh mbi 180 milione euro!), kur programi vjetor ka parashikuar një huamarrje të re vjetore rreth 27 miliardë lekë.

Pra, 93 përqind e parave hua janë marrë që në gjashtë muajt e parë. Kjo nuk është parë në ndonjë buxhet tjetër publik evropian, ndoshta edhe botëror ! Praktikisht, qeveria e re nuk ka ç’të marrë më borxh, nuk e lejon disiplina financiare. Kjo ka thelluar krizën e borxhit publik tek ne, duke rënduar tej çdo parashikimi ogurzi gjendjen e buxhetit të shtetit dhe duke asfiksuar mundësinë e politikave investuese nga buxheti.

Detyrimet (borxhet) ndaj kompanive të biznesit për kontratat e lidhura, për kryerjen e shërbimeve të kërkuara me tendera dhe të papaguara, vetëm për infrastrukturën rrugore janë 37 miliardë lekë (ose 292 milionë euro!). Kjo jo vetëm ka ndikim negativ në buxhetin e shtetit, por nënkupton falimentim të plotë apo kufizim të ndjeshëm të veprimtarisë së këtyre kompanive private për shkak të mungesës së likuiditetit nga ana e tyre dhe mungesës së aftësisë paguese për pagesën e detyrimeve fiskale dhe kredive bankare.

Pra qeveria zhyt edhe më tej në krizë financiare dhe falimentim biznesin privat të vendit. Rimbursimi i prapambetur i TVSH-së, i përllogaritur nga kërkesat e klientëve, por i pakonfirmuar nga organet tatimore, është rreth 20 miliardë lekë ose 168 milione euro. Detyrimet reciproke mes kompanive publike kanë arritur nivele rekord të paimagjinueshme më parë. Vetëm KESH thotë se Cez Shperndarje i ka 500 milionë euro borxh energji të papaguar. Kjo gjendje sjell të dukshëm gogolin e kolapsit të këtyre kompanive, që ofrojnë shërbime jetike për popullsinë e vendit, si dhe rritjen e ndikimit negativ të tipit ortek, në sistemin financiar publik të vendit.

Qeveria e re do të ketë pak ose aspak hapësira për një politikë pro punësimit dhe rritjes ekonomike. Asaj i duhet të mbështetet fort në një program të ngushtë me FMN dhe Bankën Botërore, për të dalë nga ky apokalips financiar,  ku e zhyti vendin, në kërkim të votave të shqiptarëve, me papërgjegjshmërinë më të madhe financiare publike në historinë e vendit, kjo qeveri në ikje.

 

Borxhi i brendshëm, i konsumuar mbi 90 për qind të planit vjetor

Treguesit financiarë të kësaj qeverie në ikje janë të vështirë për tu perceptuar në shpenzimet e pa orientuara. Cdo ditë shifrat flasin për shpenzimet e pa fre të qeverisë së shkuar. Në këtë mënyrë qeveria e deri para 23 qershorit pothuajse ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e huamarrjes në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, aktualisht niveli i huamarrjes arrin për 6 muajt e parë të vitit 2013 në vlerën 25.2 miliardë lekë, nga 22.4 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë. Pra kufiri i përcaktuar është kaluar me 2.8 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar mbi 90 për qind.  Kjo lidhet dhe me faktin se  gjysma e parë e vitit ishte një periudhë zgjedhore dhe investimet publike kanë njohur rritje të dukshme. Këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive që kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të rinj. Vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm, kjo ndikuar dhe nga kushtet jo të favorshme dhe interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare. Për rritje të nivelit të borxhit publik, qeverisë shqiptare i kanë ardhur kritika,  jo vetëm nga ekspertët e vendit, por dhe nga institucione të rëndësishëm financiare ndërkombëtare, si FMN apo BB. Këto institucione janë shprehur skeptikë edhe për heqjen me ligj në Shqipëri të tavanit prej 60 për qind për borxhin publik.

 

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *