Më 31 dhjetor 2019, u raportua një grup rastesh të një pneumonie me etiologji të panjohur në Wuhan, në provincën e Hubei, në Kinë. Më 9 janar 2020, CDC në Kinë, raportoi një koronavirus të ri në grupin filogjenetik SARS-CoV, si agjentin shkaktar të këtij shpërthimi. Sëmundja shoqëruese tani quhet sëmundja e koronavirusit të ri (Covid-19).
Në udhëzimin e përditësuar nga ECDC mbi parandalimin dhe kontrollin e infeksionit në institucionet e kujdesit shëndetësor, konfirmohet se paraqitja klinike e Covid-19 varion nga pneumonia simptomatike (pa shenja të dukshme klinike), e deri tek pneumonia e rëndë me sindromën e distresit respirator akut, shok septik dhe dështimi i shumëfishtë i organeve, që mund të rezultojë deri në vdekje.
Analizat e rasteve sugjerojnë se infeksioni Covid-19 shkakton sëmundje të butë (d.m.th. pa pneumoni, ose me pneumoni të lehtë) në rreth 80 për qind të rasteve. Shumica e rasteve shërohen, 14 për qind kanë sëmundje më të rënda, dhe 6 për qind përjetojnë sëmundje kritike që kërkojnë kujdes mjekësor të specializuar, përfshirë këtu edhe ventilimin mekanik.
Shumica e sëmundjeve më të rënda dhe e vdekjeve janë shfaqur tek të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese kronike. Për më tepër, personat e moshuar janë në rrezik më të madh të efekteve anësore të Covid-19, përfshirë nevojën për kujdes spitalor të specializuar ose një përfundim fatal.
Pacientët e shtruar në institucionet e kujdesit afatgjatë janë zakonisht më të prekshëm (vulnerabël/të predispozuar) ndaj infeksioneve sesa popullata e përgjithshme. Meqenëse Covid-19 shkaktohet nga një virus i identifikuar së fundmi, nuk ka terapi ose vaksina në dispozicion, dhe supozohet se nuk ka imunitet pre-ekzistues në popullatë.
Në shumicën e rasteve, koronaviruset besohet se transmetohen përmes spërklave të mëdha të krijuara gjatë frymëmarrjes nga personi në person, përmes inhalimit ose depozitimit në sipërfaqet mukozale. Rrugë të tjera të transmetimit të koronavirusëve përfshijnë kontaktin me objektet e kontaminuara (fomitët) dhe thithjen e aerosoleve të formuara nga proceset gjeneruese të tyre. Virusi i ri është zbuluar në mostrat e frymëmarrjes, fekaleve dhe gjakut.
Rreziku më i lartë i transmetimit të lidhur me kujdesin shëndetësor ndodh në mungesë të masave paraprake standarde, kur masat bazike të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit mungojnë në vend, dhe gjatë trajtimit të pacientëve, infeksioni Covid-19, i të cilëve nuk është konfirmuar ende. Megjithëse transmetimi nëpërmjet ajrit nuk konsiderohet si rruga kryesore e transmetimit, ne rekomandojmë një qasje të kujdesshme për shkak të transmetimit të mundshëm përmes aerosoleve.
Në kuadër të masave të përgjithshme të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit, Masa të përgjithshme të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rekomandon se personat që ndjehen të sëmurë me simptoma të frymëmarrjes, duhet të inkurajohen të kontaktojnë shërbimet e kujdesit shëndetësor për të kërkuar këshilla mjekësore përmes telefonit ose telemjekësisë, apo edhe internetit.
Ndërkohë që bluzave të bardha u kërkohet që të bëjnë kujdes në menaxhimin e rasteve duke nisur nga identifikimi, diagnostikimi, si dhe transportimi i personave të infektuar drejt shërbimit spitalor për trajtim të specializuar. Në çdo rast është thelbësore që të mos neglizhohet përdorimi i masave mbrojtëse, maskave, dorezave dhe veshjes në tërësi.
Për punonjësit e kujdesit shëndetësor që kryejnë vlerësimin e parë pa kontakte të drejtpërdrejta, rekomandohet që pacienti duhet të vendosë një maskë mjekësore dhe të mbajë një distancë të paktën 1 metër. Nëse është e mundur, një pengesë fizike siç është një dritare komunikuese xhami ose plastike, që mund të përdoret për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë dhe për të ruajtur distancën.
Menaxhimi i viktimave
- Spitalet duhet të jenë të përgatitur për të menaxhuar një numër në rritje të pacientëve që humbin jetën.
- Për shkak të qëndrimit të mundshëm të virusit në sipërfaqe (përfshirë trupat) për disa ditë, kontakti me një trup të pajetë pa përdorur masat e nevojshme mbrojtëse, duhet të shmanget.
- Nëse është e nevojshme kryerja e një autopsie, procedurat e testit të aerosolit duhet të kufizohen. Duhet të përdoren masat mbrojtëse të përshtatshme nëse ekziston rreziku i gjenerimit të aerosoleve.
p.k\DITA
