Një tentativë grabitje e armatosur me pasojë plagosjen e lehtë të pronarit të lokalit ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së premte në Shijak. Policia vendore lokalizoi dhe kapi pas ndjekjes disa orëshe të dyshuarit e ngjarjes së ndodhur në fshatin Manëz. Burime zyrtare thanë se ndaluan Izmir Allçi, 21 vjeç dhe Romario Shehi, i moshës 17 vjeç, të dy banues në Manëz. Rreth orës 23:40, të rinjtë akuzohen se kanë shkuar në lokalin Bar-Restorant të administruar nga Bledar M., 24 vjeç, dhe nën kërcënimin e një pistolete kanë tentuar të vjedhin shumën e xhiros ditore, duke goditur me qytë pistolete në kokë e fytyrë pronarin, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Një pjesë e mirë e strukturave dhe shërbimeve në Policinë e Shijakut u angazhuan menjëherë pas kësaj ngjarje në drejtim të grumbullimit të të dhënave që do t’i shërbenin hetimit dhe zbardhjes së saj. Kjo punë bëri që të arrihej në identifikimin e shtetasve të përfshirë dhe më pas kapjen e tyre me akuzën e “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”.
Shijak, plagosin pronarin e lokalit në grabitje, arrestohen 2 të dyshuarit
