Hëna ndriçon si një pasqyrë,
vetëm flori edhe argjënd,
sonte s’e kam aspak vështirë,
të shoh atje portretin tënd!
Sa më magjeps pasqyrë e hënës,
që gjithë Planetin pasqyron,
po sot në çdo tik-tak të zëmrës,
veç emri yt më tingëllon!
Koha trokon-po unë kam mbetur,
një romantik nga të qëmotit,
ndaj tek kjo Hënë sonte jam tretur,
si kripë e bardhë në pikë të lotit!
Shiko sot Hënën pambarim,
mund ta kundrosh ti nga çdo vënd,
që nga Ajo-portreti im,
do té shkëlqejë në syrin tënd!
Në zëmrën tënde ëmbëlsisht,
ta ndjesh magjinë edhe këngën,
hape dritaren qetësisht,
vetëm ngri sytë e shiko Hënën!
Mund të të kapi pak trishtim,
po jo trishtim si për një hall,
një i pafundëm mallëngjim,
sepse trishtim të sjell çdo mall!
Veç një sekondë ta shikosh,
gjith’ natën sytë s’do t’ja ndash,
edhe aspak s’do ta kuptosh,
se si nga malli do të qash!
Mua gjithmonë në këto netë,
më turbullon Hëna e Plotë,
s’e kam kuptuar kurrë as vetë,
pse sytë më mbushen plot me lotë!
Një lot i ëmbël që më shlodh,
kur dot s’e ndaj jetën me ëndrrën,
ndaj moj e dashur mos u lodh,
kur ndihesh vetëm-shiko Hënën!
Hënën e Plotë-magji e netëve,
e dua në pafundësi,
se dhe tani-pas dyzetë vjetëve,
kur shikoj Hënën të shoh Ty!
Robër të saja neve mbetëm,
po më të mirë fatin s’e dua,
ndaj shiko Hënën kur je vetëm,
se do shikosh aty dhe mua!
3 Janar 2015
Botuar në Dita, 5 Korrik 2016

APOLOGJIA E SALIUT
(MONIZMI DEMOKRATIK OPOZITAR I VËRTETË)
Të dashur demokratë të foltores,
zgjedhjet e marsit po afrojnë,
gjykata ia dha vulën Lul kimikut,
që partinë atij t’ja dorëzojnë.
Mos u dëshpëroni bëhuni të fortë,
partia do jetë veç e jona përherë,
do vemë prapë për të marrë selinë,
s’do lëmë pa shqyer asnjë derë.
Sigurisht do shqyejmë paqësisht,
dyert e blinduara në çdo kat,
Lulit s’do i prekim asnjë qime floku,
le të vazhdojë të flejë gjumë rehat.
Mos dëgjoni se ç’thoshte Stresi,
që nëse hynim te zyra e Lul mavrisë,
do i kishim hedhur nga ballkoni,
të gjithë tradhëtarët e partisë.
Me gurë betoni i thyen xhamat,
me shkallë u ngjitën te ballkoni,
për të ngulur flamurin e foltores,
pra dhunën këtu, ju, ku e shikoni?!
Ata protestues janë heronj,
u kopanisën dhe s’ngritën dorë,
u helmuan me gaz e u tërhoqën,
por nuk ishin si dele me këmborë.
Jemi vëllezër s’kemi pse të rrihemi,
ne jemi “të besës” dhe kemi nder,
demokratët janë njerëz të lirë,
s’mund të rrinë të izoluar në bunker!
Ju e mbani mend 21 janarin,
kryeministria nuk u blindua,
në luftë dihet ka edhe të rënë,
po qe se siguria ime u rrezikua.
Do thoni ju pse s’përdora gaz,
shpejt turmën për të shpërndarë,
por fatkeqësisht u qëlluan 4 vetë,
që në bulevard ngelën të vrarë?!
Kohët që atëherë kanë ndryshuar,
paratë tuaja nuk i shpërdorova,
unë jam burrë që jetoj me kanun,
socialistët me gaz nuk i helmova.
Brezat më vonë do na gjykojnë,
se 8 janari do futet në histori,
si dita kur selia bëhet si bunker,
ky sekt gaz-bravash quhet parti!
Me kurajo 3 dekada më parë,
ne rrëzuam rregjimin komunist,
e tash Shqupi është bunkerizuar,
si të ishte nën një regjim monist.
Nëse doni të jetoni të lirë,
mos të bëhet Rama si shoku Enver,
le ta heqim Lul pengun paqësisht,
ta shkatërrojmë selinë por pa sherr!
Shansi ynë janë zgjedhjet e marsit,
të tregojmë që shumica jemi ne,
do i ndryshojmë mendjen Amerikës,
për partinë non grata konservatore të re.
Ju ftoj të çoheni të votoni të gjithë,
që partia jonë të jetë e para,
kështu familja ime do gëzojë pasurinë,
e të gjithëve do na prijë e mbara.