Televizionet po humbasin terren. Një artikull i revistës the Economist jep një diagramë, ku tregohet se si tre televizionet kryesore amerikane që janë të fokusuara te informacioni, dmth Fox News, CNN dhe MSNBC, kanë një rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit. Ka rënie në mënyrë të veçantë CNN. Dy të tjerat, Fox News që është me orientim qartësisht të djathtë, dhe MSNBC që është me orientim qartësisht të majtë janë duke ecur më mirë. Dhe boss-i i CNN-it, që ka bindjen se sot për sot audienca kërkon informacion të natyrës partizane, u thotë të vetëve: “Nuk ka lavdi për arbitrat e paanshëm, si CNN, midis kanaleve që janë shumë të anshëm. Asnjë nuk shkon në një ndeshje të shohë arbitrin; të gjithë duan të shohin dy skuadrat që luajnë”.
Kjo është arsyeja që ai po kërkon ta ndryshojë CNN-in. Po si? Kjo është çështja. Web-i nga ana tjetër po e gërryen audiencën televizive. Me televizionet po ndodh ajo që ndodhi me gazetat më shumë se një dekadë më parë.
Për ata që duan të dinë më tepër, mund të lexojnë artikullin e The Economist-it në rubrikën tonë ‘Global View’. Titulli i artikullit është ‘News You can lose’./Re.Pu