Sasia e madhe prurjeve të lumit Devoll ka bërë të detyrueshëm hapjen e portave të HEC-it të Banjës. Për pasojë, uji ka dalë në rrugë, duke e bërë të pakalueshme rrugën Cërrik-Gramsh. Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të mos udhëtojnë në këtë aks rrugor, por të përdorin aksin e vjetër që të çon drejt Gramshit. Sipas shtabit të emergjencave, nga përmbytja nuk rrezikohen banesa dhe toka bujqësore.
Vjosa del nga shtrati, rrezikohen disa fshatra në Vlorë
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati si pasojë e prurjeve të shumta rrezikon fshatrat Fermë dhe Ferras në komunën Novoselë. Sipas informacioneve të fundit, tri shtëpi janë nën ujë, ndërsa dhjetëra të tjera rrezikojnë të përmbyten.
Sasia e madhe e reshjeve të shiut e ka bërë që disa lumenj në vend të fryhen e të dalin nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje.
Zhbllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë
Zhbllokohet pas rreth 18 orësh bllokim aksi Tepelenë Gjirokastër. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka ndërhyrë me fadroma përgjatë gjithë aksit, duke hapur njërën korsi për qarkullim. Ndërkohë, autoritetet po punojnë ende për pastrimin e plotë të rrugës, por sipas tyre situata është problematike.
Ndërsa në Fier, sot situata paraqitet më e normalizuar. Niveli i ujit që përmbyti dje shtëpitë dhe bizneset buzë Gjanicës ka rënë.
18 janar – Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Situata më problematike paraqitet në Fier, ku si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Gjanica, dhjetëra banesa janë përmbytur. Sasia e madhe e ujit i ka detyruar banorët e lagjes “1 Maji” të braktisin shtëpitë e tyre. Shtabi i Emergjencave ka nisur tashmë evakuimin e banorëve të kësaj lagjeje.
Shkak për daljen nga shtrati të lumit Gjanica është bërë sasia e madhe e reshjeve të ditëve të fundit, por edhe ngushtimi i shtratit të tij para disa kohësh. Në zonën anash lumit, niveli i ujit arrin në 50 cm dhe ka përmbytur dhjetëra banesa dhe disa biznese.
Nuk është hera e parë që kjo zonë e Fierit përballet me ujin e Gjanicës. Në dhjetor u regjistrua një situatë e ngjashme, ku dhjetëra shtëpi u përmbytën.
Gjithashtu, situatë e ngjashme me atë të Fierit është paraqitur edhe në Shijak, ku si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen, 18 familje janë në qiell të hapur, pasi uji ka vërshuar në banesat e tyre.
Ata janë strehuar përkohësisht në ambientet e Bashkisë së qytetit, ndërsa të paktën 100 banesa të tjera rrezikohen nga uji.
Probleme me ujin janë krijuar edhe në Durrës, në zonat e Shkozetit, Sukthit dhe në Krujë, për shkak të bllokimit të kolektorëve, uji ka mundur të depërtojë në disa banesa dhe biznese.
Në Krujë, nën ujë gjenden 16 shtëpi, ndërsa janë përmbytur dhe 300 ha tokë. Shkak është bërë devijimi i grykëderdhjes së lumit Ishëm.
Në Urën Vajgurore, dalja e lumit Osum nga shtrati ka përmbytur 50 banesa. Një pjesë e madhe e banorëve janë larguar nga shtëpitë e tyre, pa pritur ndërhyrjen e autoriteteve.
Në Lezhë dhe Shkodër, përmbytje janë regjistruar në Shëngjin, Barbulloj, Dajç, Blinisht e Zadrimë. Edhe në këtë zonë, dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të disa sipërfaqeve, por pa rrezikuar banesat.
Bashkia e Fierit ka bërë të ditur prej kohësh se e ka gati projektin për rehabilitimin e Gjanicës, por është bërë pengesë mungesa e donatorëve për realizimin e tij.
Po su Ben investime per ti rregulluar qytetet nga rruget Shqiperi kto probleme do ket gjithmon