Pranvera Kola-DITA
Një gjendje mjaft e shpeshtë që manifestohet gjatë kësaj stine është edhe kolla, prej të cilës mund të preken të gjitha grupmoshat, ndërkohë që bëhet më e shqetësuese tek të rriturit dhe moshat e treta. Kolla shfaqet si një reagim normal i trupit ndaj ngacmuesve të ndryshëm që gjenden në rrugët e frymëmarrjes.
Kur kolla vazhdon gjatë ajo mund të kalojë në stad kronik, ku nëse nuk trajtohet mund të shoqërohet me ndërlikime të shumta. Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili ndalet në detajimin e faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e kollës kronike, formave se si shfaqet, si dhe trajtimeve që duhet të ndiqen për lehtësimin e simptomave të saj.
Çfarë është kolla kronike?
Kollitja kronike është një kollë që vazhdon për një kohë të gjatë. Kollitja kronike nuk është një sëmundje në vetvete, por më tepër një simptomë e një situate themelore shëndetësore. Kolla kronike është një problem mjaft i zakonshëm që ne e ndeshim në praktikën tonë të përditshme klinike dhe është arsyeja e shumë vizitave mjekësore të pacientëve.
Cilët janë shkaktarët më të zakonshëm të kollës kronike?
Disa shkaqe të zakonshme të kollës kronike përfshijnë astmën bronkiale, rinitin alergjik, infeksionet e
hapësirave sinusale (sinuzitet), refluksin gastro-ezofageal (kthimi mbrapsht i ushqimit nga stomaku), medikamente të ndryshme, si edhe sëmundje specifike malinje (si për shembull kanceri bronkial, apo i mushkërive).
Në raste të rralla, kollitja kronike mund të jetë rezultat i thithjes së trupave të huaj në mushkëri (zakonisht në fëmijë). Gjithashtu nuk duhet harruar se shkaku më i zakonshëm i kollës kronike është edhe pirja e duhanit. Më poshtë po i analizojmë të gjithë shkaktarët e mësipërm të kollës kronike.
Si ndikon astma bronkiale?
Astma bronkiale është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes që karakterizohet me vështirësi në frymëmarrje. Jo pak pacientë astmatikë kanë si shenjë të vetme të sëmundjes vetëm kollën kronike. Ata madje mund të kenë rezultate normale të funksionit të mushkërive. Zakonisht kjo quhet edhe astma e kollës së variantit, sepse simptomat e astmës mund të përkeqësohen nga ajri i ftohtë, ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit, polenet e bimëve, tymi ose parfumi.
Po refluksi gastro-ezofageal si ndikon në shfaqjen e kollës kronike?
Kjo gjendje i referohet refluksit (kthimit mbrapsht) të acideve të stomakut, ose përmbajtjes ushqimore në ezofag. Nëse acidi i stomakut shkon në ezofag do të kemi spazma (tkurrje) të rrugëve të frymëmarrjes (në mënyrë reflektore) që mund të shkaktojnë gulçim dhe kollitje. Në disa raste situata mund të jetë aq e rëndë sa të aspirohen (thithen) substanca në mushkëri dhe të shkaktojnë simptoma të ngjashme me astmën, si edhe dëmtim të indit të mushkërive. Në disa pacientë shfaqen simptomat e urthit (djegësira dhe thartira ne stomak) kurse në raste të tjera simptoma e vetme mund të jetë kolla kronike.
Si ndikojnë sinuzitet?
Sinuzitet dhe rrjedhja e infeksionit nga pjesa e pasme e hapësirës nazale (të hundës) në faring (fyti) janë gjithashtu shkaqet e kollës kronike me mukus (sekrecione).
Në përgjithësi kjo gjendje mund të jetë e vështirë për t’u zbuluar. Jo rrallë nevojitet CT (skaner) për të vërtetuar diagnozën. Individët e prekur, shpesh ankohen për “gudulisje në fyt” dhe kruajtje të shpeshtë të fytit. Infeksione të tilla si bronkitet, ose pneumonitë mund të shkaktojnë kolle akute, ose kronike. Këto infeksione mund të shkaktohen nga viruset, bakteret ose kërpudhat (mykrat). Infeksionet virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes shpesh rezultojnë me një kollë të zgjatur dhe nuk i përgjigjen mjekimit me antibiotikë.
Po bronkiti dhe pneumonia a ndikojnë në rëndimin e simptomave të kollës?
Bronkiti është një nga shkaqet më të shpeshta të kollitjes kronike dhe shpesh të shoqëruar me gjak (hemoptizi). Po ashtu, një lloj i veçantë i pneumonisë bakteriale që shkaktohet nga Mycoplasma, mund të shkaktojë kollitje kronike shoqëruar me dobësi të përgjithshme, gulçim dhe sputum (gëlbazë). Ky infeksion prek shumë moshat e reja dhe të shëndetshme.
Çfarë mund të themi për të ashtquajturën “kollë e mirë”?
Duhet të përmendim edhe Pertusis (“kolla e mirë“) që është një infeksion akut, shumë ngjitës i frymëmarrjes, i shkaktuar nga bakteret “Bordetella pertusis”.
Mund të shkaktojë kollitje dhe mund të jetë fatale për fëmijët e vegjël. Sot ky infeksion është mjaft i rrallë pasi parandalohet që në fëmijërinë e hershme nëpërmjet vaksinës “pertusis”. Në përgjithësi kolla kronike është e pazakontë për fëmijët e vegjël.
A mund të themi se përdorimi i medikamenteve të caktuara lidhet me kollën kronike?
Po. Një tjetër shkaktar i kollitjes kronike janë edhe disa medikamente që përdoren për të ulur tensionin e lartë të gjakut (enalaprili, kaptoprili, etj). Prandaj mjekimi duhet të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut. Ndër shkaqe të tjera mund të përmendim alergjitë, sarkoidozën, insuficienca (pamjaftueshmëria) e zemrës, emfizema e mushkërive (sëmundja obstruktive e mushkërive), si edhe disa tumore. Është e rëndësishme të theksojmë se kolla kronike duhet konsultuar me mjekun dhe nuk duhet anashkaluar asnjëherë.
Cilat janë llojet e ndryshme të kollës kronike?
Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të kollës së vazhdueshme, ose kronike. Së pari, kemi kollë të vazhdueshme të thatë që nuk prodhon mukus (gëlbazë), është irrituese për fytin dhe mushkëritë dhe kjo mund të jetë shenjë e një infeksioni viral. Së dyti, kemi kollë kronike të njomë (që prodhon gëlbazë) dhe varësisht nga ngjyra mund të tregojë infeksion bakterial, ose probleme të zemrës (insuficienca). Së treti përmendim kollën e stresit që është një shpërthim refleksiv i rrugëve të frymëmarrjes si rezultat i gjendjes stresante në të cilën ndodhemi. Zakonisht nuk prodhon mukus dhe nuk lidhet me infeksionet. Kolla në formën e “lehjeve” gjendet më tepër te fëmijët në infeksionet virale. Zhurma e ashpër e një kolle zakonisht shkaktohet nga problemet e trakesë.
Ku duhet të drejtohen pacientët që shfaqin probleme të kollitjes kronike?
Së pari, sigurisht që duhet të drejtohen tek mjeku i familjes, i cili rekomandon dhe ekzaminimet e para mjekësore. Pastaj në varësi të rezultateve dhe të problematikës përkatëse, mjeku i familjes lëshon rekomandime për specialistin e duhur.
Në varësi të shkaktarit do të jepet edhe mjekimi specifik. Kolla kronike nuk kalon nëse nuk trajtohet shkaku i saj. Në përgjithësi shkaktarët e saj janë sëmundje kronike prandaj duhet të bëhen me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga mjekët specialistë përkatës.
Natyrisht që çajra të ndryshëm (si për shembull xhinxheri) apo shurupe të ndryshme bimorë mund të
lehtësojnë, ose zbusin simptomat e kollës, por asnjëherë nuk e shërojnë atë. Rekomandohet edhe gargarë me ujë me kripë në kushtet e shtëpisë për dezinfektimin e fytit, avulli i ngrohtë për të liruar dhe qetësuar mukozat e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, shmangia e duhanit, pluhurave, aromave ngacmuese.
Përdorimi i frutave të freskëta është mjaft i rëndësishëm pasi ato dallojnë për përmbajtje të lartë të vitaminës C, e cila luan një rol të rëndësishëm në forcimin e imunitetit tonë.
p.k/dita

Ne Shqiperi,ma se pari duhet te eliminohet tuberkuloza,e cila eshte ende shume e perhapur.
Pra kush kollitet te konsultoje per nje radiogrfi apo nje skaner te mushkrive edhe kur keni nje njeri qe kollite mos u turperoni me pyet a e ke bere nje radio per te eliminuar nje tuberkuloze
Stop Tb.
Ketu ka mjeke me tuberkuloz qe fshihen pas gishtit dhe bejne infeksionisten duke infektuar edhe te tjeret. Lere pastaj kur japin mend neper gazeta!