Vendosja e kamerave nëpër shkolla, apo të pasurit e një polici në oborrin e tyre nuk po i frenon shpërthimet konfliktuale dhe ngacmimet ndërmjet nxënësve të arsimit parauniversitar. Duke marr shkas edhe nga ngjarjet e shëmtuara të dhunës të raportuara në shkolla së fundmi, pohohet se situata është në nivele alarmante, pasi konstatohet një rritje e nivelit të dhunës në radhët e nxënësve, të cilët nuk ngurrojnë të hyjnë në ambientet e shkollave të tyre edhe me armë të ftohta. Brenda një viti raportohen me dhjetëra raste të nxënësve të plagosur me armë të ftohta apo qindra raste të tjera të dhunës së manifestuar jo vetëm në formën fizike, por edhe atë emocionale. Ky fakt shqetësues është pranuar edhe nga vetë autoritetet e arsimit, të cilat kanë ripërsëritur të njëjtat deklarata, si dhe paraardhësit e tyre që do të marrin masa dhe do të zbatojnë projekte për të frenuar këtë fenomen. Sondazhi i kryer në 6 mujorin e dytë të 2013-ës, tregon se dhuna në shkolla, e cila shpesh herë shpërthen në përleshje agresive mes të rinjve me pasoja fatale për jetën, mbetet ende një nga fenomenet më shqetësuese në vend. Të dhënat e raportuara nga sondazhi i “Save the children” dhe Fondacionit Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve, tregojnë se është shtuar në mënyrë të ndjeshme shkalla e konfliktualitetit të evidentuar ndërmjet nxënësve me 6-8 për qind më shumë se sa në vitet e shkuara. Po ashtu është shtuar edhe numri i të miturve të dënuar nga sistemi i drejtësisë, shifër e cila tashmë ka shkuar në 800 persona. Nga 1435 nxënës të anketuar, 28 për qind e tyre e tyre janë shprehur se konfliktohen në ambientet e shkollës, ndërsa 47 për qind e tyre nuk ndihen të sigurt në klasa, për shkak të grindjeve apo sjelljeve të tjera të dhunshme që shfaqen çdo ditë nga bashkëmoshatarët e tyre. Situata më shqetësuese raportohet në shkollat e mesme, të cilat regjistrojë edhe problematikën më të madhe të rasteve. Megjithatë, raste të shumta të konflikteve ndërmjet nxënësve shpërthejnë edhe në arsimin e detyruar 9-vjeçar. Vetëm tre ditë më parë një adoleshent u plagos në gjimnazin “Partizani” në Tiranë nga shoku i klasës, ndërkohë që pak javë më parë edhe një tjetër ngjarje e shëmtuar e vrasjes së një adoleshenti nga bashkëmoshatari i tij ndodhi në qytetin e Durrësit. Përballë kësaj situate Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të shtojë masat për t’i parandaluar aktet e dhunës, nëpërmjet një bashkëpunimi jo vetëm me Ministrinë e Brendshme, por edhe me mësuesit e në veçanti me prindërit. Një strategji e posaçme do të fillojë të zbatohet në shkolla. “Është drithëruese ajo që po ndodh në shkollat shqiptare, dhe këto janë masat. Ato janë adresimi i plotë dhe drejtimi i gishtit tek vetja. Zhvillimi i përgjegjësive të reja për të ndërtuar një komunikim të ri brenda shkollës. Dënimi i aktit të dhunës kur vijnë nga mësuesit dhe parja në sy e problemeve dhe thënia e të vërtetave. Marrja e përgjegjësive, ndërtimi i këtij partneriteti të ri”, ka deklaruar dje ministri e Arsimit Lindita Nikolla tryezën e rrumbullakët me temë: “Zgjidhja e konflikteve ndërmjet nxënësve, përmes ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues”. Kjo tryezë mblodhi së bashku MAS-in, organizatat “Unicef”, “Save the Children”, “SACP Programe” dhe Fondacionin e Pajtimit të Mosmarrëveshjeve, me qëllim gjithpërfshirjen në zgjidhjen e konflikteve dhe identifikimin e strategjive të posaçme në parandalimin e dhunës në shkolla.
