Nevil Dede nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Drejtuesit e skuadrës kanë vendosur shkarkimin e 38-vjeçarit 24 orë pas humbjes 1-0 me Alpetrolin në Kupën e Shqipërisë, duke konfirmuar në këtë mënyrë zërat që kanë qarkulluar prej mëse dy javësh në ambientin bardheblu. Në fakt, burime pranë skuadrës kryeqytetase sigurojnë se largimi i Nevil Dedes ka qenë kushti i vënë nga dy donatorët, Refik Halili dhe Lul Morina, për vijimin e sponsorizimit të bardhebluve. Duke mos patur rrugëzgjidhje dhe për të mos e rënduar më tej situatën financiare ku ndodhet klubi, është vendosur shkarkimi i trajnerit. Drejtuesit bardheblu nuk janë vonuar për të emëruar pasuesin e Dedes, i cili do të jetë Alpin Gallo, një njohje e vjetër në kampin kryeqytetas si lojtar por edhe si pjestar i stafit teknik. Nevil Dede e mori drejtimin e Tironës në Shkurt të këtij viti, por në fund të sezonit 24 herë kampionët e Shqipërisë dështuan në të gjitha objektivat. Problemet financiare ndikuan në ndërtimin e vonshëm të grupit dhe jo me elementët e duhur për të synuar objektiva madhorë. Aktualisht Tirana renditet në vendin e 7 në kampionat në kuotën e 10 pikëve, me 3 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje.